Kërko

The restored painting 'La Madonna di San Luca' by Filippo Rusuti The restored painting 'La Madonna di San Luca' by Filippo Rusuti 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit

Më 1 janar fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, na nxjerrtë prej Tij dhuratën e bekimit e të shëndetit, e na nxjerrtë dhuratën e Krishtlindjes që është paqja

R.SH. - Vatikan

Më 1 janar fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, na nxjerrtë prej Tij dhuratën e bekimit e të shëndetit, e na nxjerrtë dhuratën e Krishtlindjes që është paqja. Më 1 janar  bie Dita e Botërore e Paqes.

Në ditën e parë të vitit të ri me përzemërsi shkëmbejmë me njëri-tjetrin urimet e mbarësisë e të prosperitetit: ato na vijnë para se gjithash nga Bekimi i Aronit që i kërkon Hyjit të na mbrojë e të bëjë të shkëlqejë fytyra e vet në ne.

E Zoti e dëgjoi këtë lutje përmes Birit të vet të mishëruar. Maria, iu bindë vullnetit të Atit Qiellor, e qiti në dritë personin e Fjalës e për këtë mund ta lusim me plotë të drejtë me titullin e lartë e të madhërishëm (fisnik) të “Nënës së Zotit”.

Amësia e saj e ka karakterizuar e shënjuar thellësisht ekzistencën e saj, e cila jetoi krejtësisht në lidhje me të Birin, Jezu Krishtin, në gëzime e po ashtu edhe në dhimbje; Maria ka ruajtur çdo fjalë e gjest të Jezusit, duke medituar e ruajtur gjithçka në zemër të saj, e pastaj e ka ndjekur deri në gjestin e flijimit të tij suprem në mundime e në vdekje mbi kryq. Në Marinë ne shohim pra imazhin e Kishës e të sjelljes që duhet të ketë çdo dishepull i Jezu Krishtit, për të bashkë-ndarë të njëjtin lavd në ringjallje, shenjë, shembull e parashijim i së cilës është vetë Maria.

Maria e ka jetuar gjithmonë amësinë e vet në fe, duke qenë përherë e vëmendshme ndaj shenjave të Zotit. Edhe emri i Jezusit (=Hyji shpëton) është shenjë e misionit të tij shpëtimprurës për gjithë.

                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë (Nr 6,22-27)

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.” Fjala e Zotit!

Psalmi 67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

————————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

————————————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

————————————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

————————————————————-

Leximi dytë (Gal 4,4-7)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit!

Ungjilli Lk 2,16-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit!

Në solemnitetin e sotëm ju propozojmë homelinë e Papës Gjon Palit II.

1. ”Ja, do të ngjiz një bir, do ta nxjerr në dritë dhe do ta quaj Jezus”(Lk 1, 31). Jezus do të thotë “Zoti që shpëton”. Jezu, emër dhënë nga vetë Zoti, na thotë që “tek askush tjetër s’është shpëtimi”(Vap 4, 12) veçse tek Jezusi i Nazaretit, lindur nga Maria e Virgjër. Në Të, Zoti është bërë njeri, duke ardhur kështu në takim me çdo qenie njerëzore.
“Zoti… u kishte folur në kohërat antike shumë here… baballarëve, nëpërmjet profetëve, tani shpejt, në këto ditë na foli nëpërmjet Birit”(Heb 1, 1). Ky Bir është Fjala e përjetshme e së njëjtës përmbajtje të Atit, i bërë njeri për zbulimin e Atit dhe për të bërë të mundur kuptimin e gjithë së vërtetës mbi ne. Ka folur me fjalë njerëzore dhe me veprat e tij e me vetë jetën e tij : nga lindja gjer në vdekjen në kryq e në ringjallje.
E gjithë kjo që nga fillimi shkaktoi mrekulli. Barinjtë e ardhur në Betlehem çuditeshin për atë që kishin parë dhe të tjerët rrinin të habitur duke dëgjuar ato gjëra, që ata tregonin për të Porsalindurin (Shih Lk 2, 18). Të drejtuar nga intuita e fesë, ata do të njihnin Mesinë tek fëmija i shtrirë në grazhd dhe lindja e varfër në Betlehem e Birit të Zotit i shtyu të shpallin me gëzim lavdinë e Hyjit.

2. Emri Jezu i takonte që nga fillimi Atij që quhej kështu, ditën e tetë pas lindjes. Në një farë mënyre, Ai e solli me vete, duke ardhur në botë këtë emër, që shpreh në mënyrë të mrekullueshme esencën dhe misionin e Fjalës së mishëruar.
Ai erdhi në botë të shpëtojë njerëzimin. Kur pra, i qe vënë ky emër, qe zbuluar ndërkohë kush ishte dhe cili do të jetë misioni i tij. Shumë në Izrael e kishin këtë emër, por Ai e mbajti në një mënyrë unike, duke ia realizuar plotësisht domethënien: Jezu i Nazaretit, Shpëtimtar i botës.

3. Shën Pali, siç e kemi dëgjuar në Leximin e dytë, shkruan: “…kur erdhi plotësia e kohës, Zoti dërgoi Birin e tij lindur nga gruaja, lindur sipas ligjit, sepse do të marrin adoptimin e bijve”(Gal 4, 4-5). Koha është e lidhur me emrin e Jezuit qysh nga fillimi. Ky emër e shoqëron në jetën e tij tokësore të kredhur në kohë, por pa qenë Ai subjekt i saj, pasi në Atë është plotësia e kohës. Madje në kohën njerëzore Zoti ka sjellë plotësinë, duke hyrë me të në historinë e njeriut. Nuk ka hyrë si një koncept abstrakt. Ka hyrë si At, që jep jetën - një jetë të re, jetën hyjnore - bijve të vet të adoptuar. Nëpërmjet veprës së Jezu Krishtit ne të gjithë mund të marrim pjesë në jetën hyjnore :bij të Birit, të caktuar në lavdinë e përjetësisë.
Shën Pali e thekson më tej këtë të vërtetë: “Dhe që jeni bij e provon fakti se Zoti ka dërguar në zemrat tona Shpirtin e Birit të tij që thërret: Abba, Atë!”(Gal 4, 6). Tek në, njerëzit, birësimi hyjnor vjen nga Krishti dhe vihet në jetë nga Shpirti i Shenjtë. Shpirti vjen për të na mësuar që jemi bij e në të njëjtën kohë për ta bërë të vërtetë tek ne këtë birësim hyjnor. Biri është ai, që me gjithë qenien e tij i thotë Zotit : “Abba, Atë”.
Jemi duke prekur këtu kulmin e misterit të jetës sonë kristiane. Emri “kristian”tregon realisht një mënyrë të re të qenurit :të jesh në ngjashmërinë e Birit të Zotit. Si bij të Zotit, marrim pjesë në shpëtimin, i cili nuk është vetëm çlirim nga e keqja, por është para se gjithash plotësim i së mirës; të se mirës me të lartë të birësimit të Zotit. Dhe është shpirti i Zotit për të rinovuar fytyrën e tokës (Krh. Psal 103/104/, 30). Në ditën e parë të vitit të ri Kisha na fton të marrim përgjegjshmëri përherë e me të thellë për këtë, na fton ta shqyrtojmë në një dritë të tillë kohën njerëzore.

4. Liturgjia e ditëve tona kremton solemnitetin e Nënës se Zotit. Maria është Ajo që ka qenë e përzgjedhur të jetë Nëna e Shëlbuesit duke e mbështetur thellësisht misionin. Në dritën e Krishtlindjes ndriçohet misteri i amësisë së saj hyjnore. Maria, Nëna e Jezusit, që lindi në Shpellën e Betlehemit, është edhe Nënë e çdo njeriu që vjen në botë. Si të mos ia besojmë Asaj vitin që nis, për t’u lutur që të jetë një kohë qetësie dhe paqeje për gjithë njerëzimin? Ditën në të cilën hapet ky vit i ri nën vështrimin bekues të nënës së Zotit, të kërkojmë për secilin dhe për të gjithë, hirin e paqes.

5. Realisht, ka disa vite tashmë, që një janari është kremtuar, me nismën e paraardhësit tim të nderuar, Papa Pali IV, si Dita Ndërkombëtare e Paqes. Jemi këtu në Bazilikën e Vatikanit edhe këtë vit për t’u lutur për hirin e paqes për kombet e gjithë botës.
Është domethënëse, në një kremtim të tillë, prania e të ndriturve Zotërinj Ambasadore pranë Selisë së Shenjtë, që i përshëndes me nderim. Përshëndes me përzemërsi edhe Presidentin e Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe të Paqes, Kardinalin Rogen Etchegaray dhe të gjithë Bashkëpunëtoret e tij dhe i falënderoj për ndihmesën e çmuar që paraqesin në përhapjen e mesazhit të paqes, që Kisha nuk lodhet së përsërituri.
Këtë vit tema e Mesazhit për këtë Ditë është “Jep faljen, merr paqen”. Sa e nevojshme është falja për të bërë që të lulëzoje paqja në zemrën e çdo besimtari dhe të çdo njeriu me vullnet të mirë! Paqja dhe falja formojnë një binom të pazgjidhshëm. Çdo njeri vullnetmirë, më dëshirën që të punojë pa u lodhur në ndërtimin e qytetërimit të ri të dashurisë, duhet ta bëje të tijën këtë ftesë: jep faljen, merr paqen.

6. Kisha lutet dhe punon për paqen në çdo përmasë: për paqen e ndërgjegjeve, për paqen e familjeve, për paqen mes kombeve. Ajo është e zellshme për paqen në botë, pasi është e vetëdijshme, se vetëm në paqe mund të zhvillohen në mënyrë autentike komunitetet e mëdha të njerëzve.
Duke u afruar fundit të këtij shekulli, në të cilin bota, e veçanërisht Evropa kanë sprovuar jo pak luftëra e mundime, duam që pragu i vitit 2000 të mund të kalohet nga të gjithë njerëzit më shenjën e paqes! Për këtë duke menduar thirrjen njerëzore për të jetuar në një vit tjetër faljeje, përsërisim me Moisiun fjalët e Aleancës Antike: “Të bekoftë Zoti e të mbroftë. Zoti bëftë që ta ndriçojë fytyrën e tij mbi ty dhe të qoftë i volitshëm. Zoti sjelltë mbi ty fytyrën e tij dhe të dhashtë paqen” (Nm 6, 24-26). Përsërisim gjithashtu me besim dhe shpresë fjalët e Apostullit: “Krishti është paqja jonë!” (Krh. Ef 2, 14). Besojmë në ndihmën e Zotit dhe në mbrojtjen amësore të Marisë, Mbretëreshë e paqes. Mbështesim këtë shpresën tonë mbi Jezusin, emër shpëtimi dhënë njerëzve të çdo gjuhe e race. Duke rrëfyer emrin e tij, ecim plot besim drejt së ardhmes, të sigurt se nuk do të mbetemi të zhgënjyer nëse do të besojmë në emrin e shenjtë të Jezusit.
In te Domine speravi, non confundar in aeternum.
Amen!
1 JANAR 1997

31 dhjetor 2018, 15:32