Kërko

 21  të krishterët koptë të vrarë 21 të krishterët koptë të vrarë 

Libi: në një gropë të përbashkët, gjinden eshtrat e 34 të krishterëve etiopë të martirizuar

Autoritetet qeveritare të marrëveshjes kombëtare të Libisë dhanë njoftimin për gjetjen e një grope të përbashkët me eshtrat e 34 të krishterëve etiopë, masakruar më 2015-tën nga xhihadistët e Shtetit të vetëquajtur Islamik. Trupa pa koka, të prera në betejën, që xhihadistët e quajnë “kundër Kombit të Kryqit”.

R. SH. - Vatikan

Autoritetet qeveritare të marrëveshjes kombëtare të Libisë dhanë njoftimin  për gjetjen e një grope të përbashkët, me eshtrat e 34 të krishterëve etiopë, masakruar më 2015-tën nga xhihadistët e Shtetit të vetëquajtur Islamik. Trupa pa koka, të prera në betejën xhihadiste kundër “Kombit të Kryqit”.

Kthimi i martirëve në Atdhe

Varri i përbashkët, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme libike, u gjend në një truall jo larg nga bregdeti i Sirtes, në zonën, e cila në vitin 2015 ishte nën kontrollin e grupeve të armatosura të xhihadistëve. Autoritetet libike - njoftojnë burimet zyrtare vendase, cituar edhe nga Agjencia Fides - bëjnë të ditur se trupat e masakruar nga Daesh do të riatdhesohen, pas përfundimit të procedurave ligjore.

E pabesueshme, në shekullin XXI

A mund ta mendojmë veten aktorë të një skene të tillë? Ku njerëz të armatosur deri në dhëmbë na kërkojnë të mohojmë Krishtin, ose jetën? Ç’përgjigje do të jepnim, duke e përfytyruar veten trup pa kokë?  Na duket e pabesueshme, në shekullin XXI! Ndërsa është realitetet sa tragjik, aq edhe i papranueshëm!

Një video e 2015-tës tregon…

prill të vitit 2015, një video e përhapur nga Furqan Media - e akredituar në atë kohë si network mediatike e shtetit islamik - pati treguar dy grupe  të burgosurish, të paraqitur si të krishterë etiopë, që u pritej koka apo qëlloheshin me armë zjarri në zverk, në një plazh të shkretë të Libisë. Videoja shoqërohej me parrullat e zakonshmee kundër “kombit të Kryqit”,  e me pamje të kishave, ikonave e varreve të krishtera të rrënuara. Duke shtuar se në trojet e kontrolluara nga Shteti Islamik, nuk do të kishte shpresë shpëtimi për të krishterët, nëse nuk do të pranonin të ktheheshin në islam ose nuk do të paguanin “taksën e mbrojtjes”. Mendonin kështu, duke mos besuar se fjala “shpëtim” për të krishterët ka një kuptim të huaj për ta! Njerëzit me kokë të prerë, vdisnin duke thirrur emrin e Krishtit, me bindjen e patundur se ishin të gjithë “të shpëtuar”!

Edhe Kisha kopte sulmohet nga atentatet e xhihadistëve

Kisha ortodokse etiope Tewahedo, deri më 1959 varej juridikisht nga Patriarkana kopte e Aleksandrisë së Egjiptit. Vit kur u njoh si Kishë autoqefale nga patriku Çirili VI. E edhe kjo Kishë u vu në shënjestër të xhihadistëve të Daesh, ngaqë identifikohet si entitet kishtar pranë institucioneve politike  të Egjiptit, kryesuar nga Presidenti Abdel Fattah al Sisi. Ndërmjet janarit e shkurtit 2015, pak muaj para masakrimit të të krishterëve etiopë, edhe 20 egjiptianë koptë u therën në fyt në një plazh libik, jo larg Sirtes. Ata, që e kryen këtë krim, e quajtën Kishën etiope, Kishë armiqësore! Të krishterët, Kishë Martire!

 

06 janar 2019, 17:31