Kërko

 Vendi ku lindi Krishti Vendi ku lindi Krishti 

Krishtlindja në kalendarin julian: urimet e Papës

Nesër në Kishat lindore, që ndjekin kalendarin julian, kremtohet Krishtlindja. Të gjithave, Papa, sot, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, u bëri urimet më të përzemërta e vëllazërore. Ndërmjet bashkësive, që kremtojnë më 7 janar, edhe ortodoksët e Patriarkanës së Moskës.

R. SH. - Vatikan

“Disa Kisha lindore, katolike e ortodokse, që ndjekin kalendarin julian, e kremtojnë nesër Krishtlindjen. Atyre u drejtoj urimin tim më të përzemërt e vëllazëror, në shenjë bashkimi ndërmjet gjithë të krishterëve, që e pranojnë Jezu Krishtin si Zot e Shëlbues. Të gjithave, Gëzuar Krishtlindjen!”.

Me këto fjalë Françesku u dërgoi, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit,  urimin bashkësive kishtare të Lindjes, që nesër do të kremtojnë lindjen e Jezusit. Veç këtyre, edhe shumicës së të krishterëve ortodoksë, që vijojnë  të përdorin kalendarin julian. Që nga shekulli IV pas Krishtit, Kisha e pati pranuar këtë kalendar, që ishte në përdorim në Perandorinë romake.  Quhej “julian”, sepse u shpall nga Jul Çezari, në vitin 46 para Krishtit.

Lindja e kalendarit gregorian

Në sistemin e numërimit të ditëve, regjistrohet një ndryshim i rëndësishëm në vitin 1582, kur botohet bula e Papës Gregori XIII “Inter gravissimas” që i jep fund, në shumë zona të Evropës, përdorimit të kalendarit julian. Qëllimi i këtij vendimi ishte të zhdukej ndryshimi që krijohej ndërmjet kalendarit julian e ciklit të vitit diellor. Kështu, në vitin 1582, kalendari gregorian e zëvendësoi në shumë vende atë julian,

Në Egjipt, Nata e Krishtlindjes, në katedralen e re

Ndërmjet bashkësive, që ndjekin kalendarin julian, ky është vit i posaçëm posaçërisht për koptët egjiptianë, që do ta kremtojnë liturgjinë solemne   në katedralen e re, kushtuar Lindjes së Krishtit, ndërtuar në atë, që do të jetë kryeqytet i ri adminstrativ i vendit. Kremtimin do ta kryesojë Patriku Tawadros.

Kështu për Krishlindjen. Ndërsa Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, bashkësitë kishtare të Lindjes, që ndjekin kalendarin julian, do ta kremtojnë më 19 janar.

06 janar 2019, 18:57