Kërko

Imzot Frendo në audiencë me Papën Françesku në Vatikan Imzot Frendo në audiencë me Papën Françesku në Vatikan 

Shqipëri: imzot Frendo paraqiti mesazhin papnor të Ditës së Paqes 2019

Çdo vit, që nga viti 1998, Papa shpall një mesazh me rastin e Ditës Botërore të Paqes. Ishte Papa Pali VI që vendosi që çdo vit të kremtohet kjo ditë në ditën e parë të vitit. Dhe mesazhi ka gjithmonë një porosi shoqërore. Imzot Frendo paraqiti në Tiranë mesazhin papnor të Ditës së Paqes 2019 kushtuar politikës së mirë.

R.SH. - Vatikan

Në Shqipëri, pranë Universitetin Katolik  ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në Tiranë, u mbajt konferenca e kushtuar mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes. Përveç studentëve, në takim morën pjesë Presidenti shqiptar Ilir Meta, nunci apostolik në Tiranë Imzot Braun, ipeshkvijtë katolikë të vendit, përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, politikanë e të tjerë .

Në vazhdim ju propozojmë fjalën e imzot Georgre Frendo kushtuar Mesazhit papnor për Ditën e 52-të Botërore të Paqes me temë: “Politika e mirë është në shërbim të paqes”. E, duke e kujtuar këtë, Papa Bergoglio në lutjen e Engjëllit të Tënzot,kremtuar më 1 janar 2019 në Vatikan, mes tjerash tha se “nuk mendojmë se politika u takon vetëm qeveritarëve. Të gjithë përgjigjemi për jetën  e “qytetit”, për të mirën e përbashkët. Politika është e mirë në atë masë, me të cilën i shërben secili nesh:  “Na ndihmoftë në këtë angazhim të përditshëm, Nëna e Shenjtë e Zotit””.

Ja fjala e mbajtur Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Frendo:

Çdo vit, që nga viti 1998, Papa shpall një mesazh me rastin e Ditës Botërore të Paqes. Ishte Papa Pali VI që vendosi që çdo vit të kremtohet kjo ditë në ditën e parë të vitit. Dhe mesazhi ka gjithmonë një porosi shoqërore. Titulli i mesazhit për sivjet është: Politika e Mirë është në Shërbim të Paqes. Mesazhi ka një përmbajtje shumë praktike. Mjaft të hedhim një sy mbi titujt e paragrafëve. Për shembull: Sfida e Politikës së Mirë, Virtytet Njerëzore për një Politikë në shërbim të të drejtave njerëzore, Veset e Politikës, etj.

Por para se të filloj të komentoj mesazhin e Papës e shoh të dobishme të them se as Papa si autori i mesazhit, as unë në këtë ligjeratë, nuk flasim si politikanë, por si barinj shpirtëror. E ndiej të dobishëm këtë sqarim sepse nganjëherë na kanë qortuar të mos ndërhyjmë në politikë. Ne nuk ndërhyjmë në politikë, por nuk mund të shmangim detyrën tonë për të bërë të ditur mesazhin shoqëror të Biblës hebreo-krishtere.

Mjaft të kujtojmë porosinë e profetëve si Izaia dhe Amosi (profeti i madh i drejtësisë shoqërore), Letrën e Jakobit, si edhe fjalët e Jezusit, i cili, edhe pse “zemërbutë dhe i përvuajtur”, nuk ngurroi të përdorte një fjalor të fortë përballë atyre që nganjëherë keqpërdornin autoritetin e tyre duke abuzuar me më të dobëtit. Jemi në një vend demokratik, dhe Kushtetuta na garanton lirinë e fjalës. Dhe në fakt nuk mund të ankohem: kam gëzuar gjithmonë këtë liri, edhe kur kam folur, nën qeveritë e ndryshme, për disa anomali shoqërore, në mbrojtje të të varfërve, të punëtorëve, dhe, këto kohët e fundit, në favor të studentëve.

Dua gjithashtu të bëj të qartë se as Bibla hebreo-krishtere, as tradita teologjike e krishterë nuk e idealizojnë asnjë ideologji politike specifike. Zbulesa hyjnore merret me të vërtetën morale dhe shpirtërore të njeriut. Strukturat politike i përkasin një dimensioni tjetër. Megjithatë, sikurse jeta morale dhe shpirtërore ka nënkuptime shoqërore (atëherë edhe politike), ashtu edhe politika ka domosdoshmërisht ndërlikime morale.

Platoni ka thënë se për të realizuar një republikë të drejtë duhet që të përbëhet nga njerëz të drejtë. Edhe Aristoteli ishte i bindur se politika duhet të themelohet mbi moralin. Prandaj mirë ka thënë shkrimtari i famshëm hebre Jonathan Sacks, Rabbi kryesor i Britanisë së Madhe, se “ndryshimi shoqëror është gjithmonë i paraprirë, dhe zbatohet nëpërmjet, ndryshimit moral” (Social change is always preceded by and works through moral change - The Politics of Hope, 1997, p. 257).

Papa Françesku, në mesazhin e tij, tregon qartë rolin e rëndësishëm të politikës. Me të drejtë ai pohon se Politika është një mjet themelor për të ndërtuar qytetarinë dhe veprat e njeriut (2). Shpeshherë njerëzit flasin tëpër negativisht për politikën dhe politikanët. Duke ndjekur Aristotelin, Toma Akuini përkufizon njeriun si “qënie sociale”, e prandaj shoqëria politike (civitas) rrjedh nga nevojat dhe synimet e vetë natyrës njerëzore.

Atëherë politika nuk është krijimi i paaftësisë njerëzore (një “kontratë sociale”, si më vonë kanë pohuar filozofë si Thomas Hobbes dhe Jean Jacques Rousseau). Mesazhi i Papës, duke nënkuptuar nevojën e politikës, me pak fjalë përshkruan rolin e politikës. Ai thotë: Funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin për t’i shërbyer vendit të vet, për t’i mbrojtur ata që banojnë aty e për të punuar që të krijohen kushtet për një të ardhme të denjë dhe të drejtë.

Fjala kyç në këtë tekst është shërbyer. Mos të harrojmë se vetë fjala ministër, një fjalë latine, do të thotë shërbëtor. Nga kjo Papa vazhdon të tregojë dinjitetin e politikanit (natyrisht, kur është një politikan i pastër dhe i pjekur që ka kuptuar se misioni i tij është t’i shërbejë bashkësisë). Papa thotë: Nëse realizohet në respektimin themelor të jetës, të lirisë dhe të dinjitetit të personave, politika mund të bëhet me të vërtetë një formë e lartë e dashurisë së krishterë (ibid).

Pastaj citon një fjalë nga Enciklika Caritas in Veritate e Papa Benediktit XVI, që tregon shumë mirë ndikimin e dashurisë për të mirën e përbashkët: Kur është i frymëzuar nga dashuria, angazhimi për të mirën e përbashkët ka një vlerë më të madhe sesa ajo e angazhimit vetëm shekullar dhe politik. ... Veprimi i njeriut mbi tokë, kur frymëzohet dhe mbështetet nga dashuria, kontribuon në ndërtimin e atij qyteti të gjithmbarshëm të Hyjit drejt të cilit ecën historia e familjes njerëzore.  Dhe ky, thotë Papa Françesku, duhet të jetë programi për çdo politikan, nga cilado shtresë kulturore apo fetare, që dëshiron të veprojë për të mirën e familjes njerëzore, duke praktikuar virtytet e domosdoshme për një polikë të mirë, si janë drejtësia, barazia, respekti i ndërsjelltë, sinqeriteti, ndershmëria dhe besnikëria (3).

Papa thekson nevojën që kemi sot në shoqëritë tona për “artizanë të paqes”, që të jenë lajmëtarë dhe dëshmitarë autentikë të Hyjit, që duan të mirën dhe lumturinë e familjes njerëzore (5). Si e sheh, Papa Françesku, rolin e politikës për paqen? Ai thotë se është i sigurt se politika e mirë është në shërbim të paqes, sepse ajo respekton dhe nxit të drejtat themelore njerëzore, që janë njëkohësisht detyra të ndërsjella (3). Por vëren se politika është për paqen nëse shprehet në pranimin e karizmave dhe të aftësive të çdo personi (5). Sepse, si thotë Toma Akuini, individi dhe familja janë para shtetit.

Papa na kujton se kanë kaluar njëqind vjet pas fundit të luftës së parë botërore, dhe komenton: Sot më shumë sesa dje, njohim mësimin e tmerrshëm të luftrave vëllavrasëse. Përvoja e asaj lufte shkatërroi optimizmin e pjesës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur mendohej se me progresin e shkencës njeriu arriti tek një parajsë tokësore. Prandaj Papa vazhdon: Paqja nuk mund të arrihet vetëm me ekuilibrin e forcave dhe të frikës. Madje shton: Ta mbash tjetrin nën kërcënim do të thotë ta kthesh atë në objekt dhe t’i mohosh dinjitetin. ... Escalation me fjalë kërcënuese, ashtu sikurse shumimi i pakontrolluar i armëve janë kundër moralit dhe kërkimit të një harmonie të vërtetë.

Dhe këtu bën dy vëzhgime të rëndësishme. Vëzhgimi i parë është se terrori i ushtruar mbi personat më të dobët nxit mërgimin e popullsive të tëra në kërkim të një toke në paqe. Edhe vëzhgimi i dytë është në mbrojtje të emigrantëve. Thotë: Nuk mund të pranohen fjalimet e politikanëve që priren të akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqijat dhe t’ua heqin shpresën të varfërve. Unë do të kisha përmendur jo vetëm politikanët, por edhe shumë gazetarë. E dimë, për shembull, sa shumë gazetarë në disa vende i kanë denigruar shqiptarët duke i akuzuar për shumë krime që nuk i kanë bërë, ose duke fajësuar të gjithë shqiptarët për krimet e kryer nga disa shqiptarë. Vërtetë, shpeshherë emigrantë bëhen dash  i kurbanit në çdo krim. Dhe Papa na kujton: Paqja bazohet mbi respektimin e së drejtës dhe të së mirës së përbashkët, të krijimit që na është besuar dhe të pasurisë morale që na është përçuar nga brezat e kaluar (6).

Prandaj Papa, në këto fjalë, përmend jo vetëm ekologjinë natyrore, por edhe ekologjinë morale, sepse kjo përbën një pjesë të rëndësishme në ruajtjen e kulturës së çdo populli.

Në një kontekst interesant, Papa përdor fjalën dialog: Jeta autentike politike, që themelohet mbi të drejtën dhe mbi një dialog besnik mes subiekteve, ripërtërihet me bindjen se çdo grua, çdo burrë e çdo brez përmbajnë në vetvete një premtim që mund të lëshojë energji të reja relacionale, intelektuale, kulturore dhe shpirtërore. Ajo që më duket mjaft interesante në këto fjalë është menyra se si Papa paraqet dialogun si mjet për të zbuluar pasurinë e shoqërisë me talentet e çdo anëtari të saj. Por Papa cilëson këtë dialog si dialog besnik dhe të shoqëruar nga e drejta.

Në këto javë të fundit kemi dëgjuar shumë, në kontekst të protestave, fjalën “dialog”: kush kërkon dialog, kush refuzon dialog... Shumë herë, dhe jo vetëm në këto kohët e fundit, në deklaratat tona, ne ipeshkvijt kemi theksuar nevojën për dialog. Por e ndiej të nevojshme të bëj disa sqarime për sa i përket dialogut. Së pari, që dialogu të jetë një dialog autentik, dhe jo një karikaturë dialogu, kërkohet një dëgjim i ndërsjelltë dhe i sinqertë. Vetë Zoti na jep shembull për këtë dialog, që pati origjinë atë moment kur Ai e krijoi njeriun në përngjasimin e vet dhe arriti kulmin kur e dërgoi Birin e vet të bërë njeri si ne. Por Shkrimi Shenjtë na jep disa shembuj të dialogut të Hyjit me persona si Abrahami dhe Moisiu. Dhe veçanërisht kur Zoti thotë: Kam dëgjuar britmën e popullit tim... Kërkohet gjithashtu besim tek të dyja palat. Sepse si mund të hyj në dialog me ty nëse nuk kam besim tek ti?

Përveç kësaj, një dialog i vërtetë kërkon që edhe njëri edhe tjetri të jenë krejt të hapur për rrugën e së vërtetës dhe të drejtës. Sepse dialogu nuk është kompromis. Mund të çojë tek një zgjidhje të ndryshme nga ajo që propozojnë të dyja palët, sepse me një shpirt të përvuajtur dhe të hapur për të vërtetën, palët hapin sytë për një rrugë tjetër. Dua të shtoj se një dialog i matur duhet të jetë i vazhdueshëm, domethënë mos të rezervohet për situatat e krizës ose para zgjedhjeve politike, kur politikanët trokasin dyert e qytetarëve për t’u kërkuar votat. Dhe, në një demokraci, vendi më i volitshëm për dialog është parlamenti. Atje, në një atmosferë të matur, të nxitur nga dashuria e tyre për atdheun dhe për gjithë popullin, pozita dhe opozita takohen për të diskutuar argumente shumë të rëndësishme për të mirën e përbashkët.

Shtoj edhe një fjalë rreth protestave. Është shenjë pozitive kur, në një demokraci, bëhen protestat për një qëllim të drejtë. Kemi shembullin e protestave që janë bërë në vitin 1991, që kanë çuar drejt rënies së regjimit totalitar, drejt një shteti demokratik. Por ka nje kod etik edhe për protestat. Për shembull, duhet të përjashtohet dhuna dhe vandalizmi, që janë mëkat kundër kombit. Në fakt protestat e studentëve kanë dhënë një shembull të mirë se nuk kanë përdorur dhunë ose vandalizëm. Protestuesit duhet gjithashtu të shmangin, për sa të jetë e mundshme, shqetësime apo bezdisje të mëdha qytetarëve. Kam parasysh, për shembull, kur si PS edhe PD, ndërsa ishin në opozitë, për shumë javë kanë bllokuar rrugën “Dëshmorët e Kombit”, një rrugë kryesore, duke krijuar një situatë shume kaotike për trafikun.

Për tri javë në tetor, Papa Françesku, në Sinodin e Ipeshkvijve mbi të rinjtë, ka dëgjuar shumë ipeshkvij dhe të rinj që kanë shprehur sfidat dhe ankesat e të rinjve sot. Prandaj nuk habitemi nëse edhe në këtë mesazh ka folur për të rinjtë. Ja çfarë ka shkruar: Kur ushtrimi i pushtetit politik synon vetëm mbrojtjen e interesave të disa individëve të privilegjuar, e ardhmja komprometohet dhe të rinjtë mund të tundohen të jenë mosbesues, sepse janë të mënjanuar nga shoqëria, pa pasur mundësinë për të marrë pjesë në një projekt për të ardhmen. Ndërsa, kur politika përkthehet, në mënyrë konkrete, në inkurajimin e të rinjve të talentuar dhe të thirrjeve që kërkojnë të realizohen, paqja shfaqet në ndërgjegje dhe në fytyra” (5).

Theksoj shprehjen: të rinjtë mund të tundohen të jenë mosbesues, sepse shpresa sot është në një krizë të thellë. Të gjithë kemi nevojë që shoqëria e sotme të rilindë në ne një shpresë të fortë, por veçanërisht të rinjtë, të cilët kanë para tyre një të ardhme plot pasiguri dhe shqetësime. Më lejoni të citoj çfarë kam thënë vetë në homelinë në meshën e natës së Krishtlindjes:

Para disa ditësh kam qenë në një takim me disa studentë universitarë. U mërzita shumë kur gati të gjitha kanë shprehur dëshirën e tyre të emigrojnë. Ndoshta nuk jemi mjaft të vetëdijshëm se po humbasim shumë persona që numërohen ndër elementet më të çmuara në vendin tonë; nuk po vëmë re se kjo është varfëria më e madhe në Shqipëri. Nga dashuria ime për Shqipërinë, për këtë vendin tim, u lutem pozitës dhe opozitës të ulen së bashku rreth një tryeze e të diskutojnë këtë problem, si mund të tërheqin investitorë për këtë komb të bukur dhe të krijojnë vende pune.

Një argument tjetër shumë i rëndësishëm është atje ku Papa flet për abuzimet dhe mëkatet e politikës (ose më mirë të them e disa politikanëve). Lexojmë: Kërkimi i pushtetit me çdo kusht çon në abuzime dhe padrejtësi. ... Kur, nga ata që e ushtrojnë, (politika) nuk përjetohet si shërbim për shoqërinë njerëzore, mund të bëhet vegël shtypjeje, mënjanimi dhe madje edhe shkatërrimi” (2). Dhe pastaj ka një paragraf që flet shumë konkretisht për “veset e politikës”. Besoj se është shumë e dobishme të lexoj gjithë këtë paragraf:

Përkrah virtyteve, për fat të keq, edhe në politikë nuk mungojnë veset, që vijnë qoftë nga paaftësia profesionale, qoftë nga shtrembërimet në mjedis dhe në institucione. Të gjithë e kanë të qartë se veset e jetës politike u heqin besueshmërinë sistemeve brenda të cilave ajo zhvillohet, ashtu sikurse edhe autoritetin moral, vendimeve dhe veprimit të personave të angazhuar. Këto vese, që dobësojnë idealin e një demokracie autentike, janë turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen sociale: korrupsioni – në format e tij të shumta të përvetësimit të padrejtë të të mirave publike dhe të instrumentalizimit të personave - , mohimi i së drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, justifikimi i pushtetit nëpërmjet forcës apo me pretendim arbitrar për “interesa Shtetërore”, prirja për të qëndruar gjithmonë në pushtet, ksenofobia dhe rracizmi, refuzimi për t’u kujdesur për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të përfitimit të menjëhershëm, përçmimi i atyre që janë të detyruar të mërgojnë.

Por nuk dua ta mbaroj këtë fjalim me një notë negative. Shpeshherë, në intervista të ndryshme që më kanë bërë në vende të ndryshme, kam folur për gjëra shume pozitive dhe shumë të bukura që gëzojmë në Shqipëri. Në një Evropë që po bëhet gjithnjë e më shumë anonime dhe viktimë e atij fenomeni që Papa Françesku e ka quajtur “globalizimi i indiferencës”, populli ynë shqiptar ende tregon një shpirt mikpritjeje të madhe si edhe një solidaritet të veçantë, veçanërisht në situata fatkeqësie.

Familja, edhe pse, fatkeqësisht, ka mësuar shumë gjëra negative nga Evropa perëndimore, megjithatë në përgjithësi ende është e fortë dhe shumë e bashkuar. Në një Evropë në të cilën të moshuarit janë konsideruar thjeshtë si një peshë për familjen dhe për shoqërinë, në Shqipëri të moshuarit vlerësohen si një pasuri për familjën, për Kishën, dhe për Shtetin. Këto, dhe shumë gjëra të tjera, janë një thesar që duhet të vlerësohet. Për këtë arsye të rinjve që ëndërrojnë vetëm për të shkuar jashtë shtetit, gjithmonë u them: Mos mendoni se një vend më i pasur do të thotë se është nje parajsë tokësore. Vlerësoni gjërat e mira që zbukurojnë atdheun tuaj. Ëndërroni më shumë të ndërtoni një të ardhme më të mirë për atdheun tuaj.

Të njëjtin mesazh dua t’u komunikoj të rinjve dhe të rejave të pranishëm në këtë sallë. Urime të përzemërta për një të ardhme dhe një Shqipëri më të mirë!

Imzot George Frendo

18 janar 2019, 14:40