Kërko

Lutje në kishë Lutje në kishë 

Kisha e parë në territorin turk, që nga viti 1923

Në Stamboll, brenda muajit shkurt, do të ndërtohet një kishë e re. Është e para që ngrihet në Republikën e Turqisë, duke nisur që nga themelet Njoftimin e dha, të martën e kaluar, Bulet Kerimoglu, kryebashkiak i Bakitkoy, në zonën e Stambollit, ku do të ngrihet kisha.

R. SH.- Vatikan

Gazetarët e mësuan lajmin, gjatë një takimi të kryebashkiakut të Bakitkoy, Kerimoglu me Yusuf Cetin, metropolit i Kishës siro-ortodokse në Turqi. Punimet për ndërtimin e Kishës - sipas agjencisë Fides - mendohet të përfundojnë brenda dy vjetësh. Kisha do të ngrihet në lagjen Yesilkoy në Bakirkoy, në një zonë jo larg nga aeroporti kombëtar Ataturk e do të zërë më se 700 besimtarë.

Në Turqi, rritet numri i besimtarëve siro-ortodoksë, të ikur nga Siria

Nuk është hera e parë, që flitet për ndërtimin e kësaj kishe. Së pari për të pati folur ministri Ahmet Davutoglu, gjatë një takimi në Pallatin Dolmabahçe, mbajtur në vitin 2015, me përfaqësuesit e pakicave fetare turke jo myslimane. Në këtë periudhë, bashkësia e krishterë siro-ortodokse, e pranishme në Turqi, po shtonte vazhdimisht radhët e besimtarëve të saj me refugjatë të ardhur nga Siria e tronditur nga lufta.

Vëmendja e Turqisë për bashkësitë e krishtera siriake

Vitet e fundit  vërehen disa sinjale, që flasin për vëmendjen e posaçme të drejtuesve politikë turq ndaj bashkësive të krishtera siriake. Në vitet e para të konfliktit sirian, autoritetet turke patën ngritur në Mydiat (prej shekujsh, qendër e një enklave kristiano-siriake, në provincën e Mardinit), një kamp refugjatësh, caktuar enkas për të krishterët siriakë, që mund të strehonte 4 mijë refugjatë. Sot të krishterët sirë, që jetojnë në Turqi, janë rreth 25 mijë vetë, shumica në lagjet e jashtme të Stambollit. Shumë prej tyre banojnë rreth e qark vendit, ku do të ndërtohet kisha e re.

 

10 janar 2019, 15:39