Kërko

episodi i Dasmës së Kanës episodi i Dasmës së Kanës 

Jezusi shkon në festën e dasmës, në festёn e dashurisё

Ti, Mesia, shkon në festën e dasmës./Ti ndalesh për t’u gëzuar bashkë me dhëndrin e nusen...Ti ke ardhur për ta kthyer çdo herë/ ujin tonë pa shije,/ ujin tonë të hidhur nga dhimbjet e lotët,/ ujin tonë të kripur me djersë e gjak,/ në verën e gëzimit, në gjakun e besëlidhjes,/ në harenë e një jete të re në Zotin.

R.SH. - Vatikan

Një reflektim  frymëzuar nga Ungjilli i së dielës nga Gjoni 2,1-12, përqendruar tek episodi i Dasmës së Kanës. Vera e zgjedhur, që Jezusi u siguron dasmorëve, në një çast të vështirë, gjatë gostisë në Kanë të Galilesë, është simbol i gëzimit të dashurisë, e më shumë akoma, i gjakut, me të cilin do të vuloste, tre vjet më pas, paktin dasmor me njerëzimin.

Liturgjia e Fjalës së Zotit, posaçёrisht fragmenti nga Ungjilli i Gjonit 2,1-12, na kujton domethënien e thellë të mrekullisë së parë të Krishtit, si një dëftim të Tij para botës e njëkohësisht, shenjën, përmes së cilës tregonte se Ai ishte Dhëndri i Kishës, që do ta bënte të shenjtë e të bukur. Gjithsesi, shenjtëria e bukuria duhen fituar vazhdimisht, duhet përtërirë e përforcuar vazhdimisht. Kjo Vashë-Nuse, që është Kisha, pra, populli i Zotit, formuar nga qenie njerëzore, ka vazhdimisht nevojë për praninë e Hyjit.

 

Nga Ungjilli shenjt sipas Gjonit ( 2,1-12)
Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. Fjala e Zotit.

 

Ti, Mesia, shkon në festën e dasmës.

Ti ndalesh për t’u gëzuar bashkë me dhëndrin e nusen.

Ti humb kohë, ulur në sofra

bashkë me dasmorët e vendit e pasardhësit e dishepujve të tu.

 

Ti e shpreh harenë e asaj dite,

duke vallëzuar ndoshta me të tjerët,

për të kremtuar Hyjin Atë e forcën e dashurisë

që sfidon kohën.

 

Është bukur të të shohësh kështu, o Jezus i Nazaretit.

Është bukur të vëresh në fytyrën

e në gjestet e tua gëzimin që ka ngritur shtëpi

në burra e gra, të mbledhur së bashku,

për një rit martese.

 

Sepse Ti nuk je profeti i zymtë,

që lexon me ashpërsi çdo ngjarje të historisë,

e thërret vazhdimisht: impenjohuni!

 

E nuk je as kryetari

që fiksohet në projektin e vet,

e shqetësohet veç si t’i shpenzojë energjitë

për t’i dhënë jetë një lëvizjeje,

për të mobilizuar ndjekësit e vet.

 

Nuk je njeriu i Zotit

që veç sinjalizon praninë e vet

me gjestet solemne të atij që nuk i përket kësaj bote.

 

Ti ndihesh në vendin tënd në këtë festë dasme.

kuptohet! Sepse Ti je Dhëndri!

Ti ke ardhur që gëzimi i kësaj dite

të mos ndërpritet,

nga mungesa e verës.

 

Ti ke ardhur për ta kthyer çdo herë

ujin tonë pa shije,

ujin tonë të hidhur nga dhimbjet e lotët,

ujin tonë të kripur me djersë e gjak,

në verën e gëzimit, në gjakun e besëlidhjes,

në harenë e një jete të re në Zotin.

19 janar 2019, 18:03