Kërko

Massafra 1aem.jpg

Imzot Massafra, deputetëve shqiptarë: korrupsioni, problem për “politikën e mirë” kërkuar nga Papa

Në letrën e tij për deputetët shqiptarë dhe në përshëndetjen e djeshme, në Teatrin Migjeni të Shkodrës, gjatë paraqitjes së Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Paqes 2019, me temë “Politika e mirë është në shërbim të paqes”, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u kërkon politikanëve të reflektojnë mbi fjalët e Atit të Shenjtë mbi korrupsionin, mosrespektimin e rregullave, pasurimin e paligjshëm, duke bërë përpjekje të kthehen në “artizanë të paqes”.

R.SH. - Vatikan

U paraqit dje në Shkodër, Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Paqes 2019, me temë “Politika e mirë është në shërbim të paqes”, si edhe u dha një shfaqje me këngë e valle në Teatrin Migjeni, për t’u uruar Vitin e Ri gjithë shkodranëve. Në praninë e besimtarëve të krishterë dhe të banorëve të qytetit verior të Shqipërisë, të përfaqësuesve të besimeve të tjera, si edhe të autoriteteve shtetërore, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u drejtoi të pranishmëve përshëndetjen, ku përvijoi temat kryesore të mesazhit papnor, aktual edhe për Shqipërinë e pështjelluar nga protestat studentore e nga ndryshimet në qeveri. Pikërisht “politika e mirë”, për të cilën flet Ati i Shenjtë është ideali drejt të cilit duhet të synojnë edhe përfaqësuesit e popullit shqiptar, në një udhë aspak të lehtë, por që mund të kompromentohet përfundimisht nëse nuk mbahet parasysh qëllimi i përbashkët kah priret çdo politikë: sigurimi i paqes, shoqërore e shpirtërore, me të gjitha sfidat e detyrat që paraqet.

Shembulli i Aldo Moros

         Pikërisht për këtë, imzot Massafra kujtoi shembullin e politikanit të njohur italian Aldo Moro, vrarë nga brigadat e kuqe, i cili pati thënë për vendin e vet: “Nuk do të shpëtojë, stina e të drejtave dhe e lirive nuk do të zgjasë shumë, nëse në Itali nuk do të lindë një ndjenjë e re e detyrës”. “Bëhet fjalë për një mësim të urtë, të cilin sot, - nënvizoi imzot Massafra - mund ta zbatojmë edhe në Shqipëri: “Shqipëria nuk do të shpëtohet nëse stina e të drejtave nuk do të lindë një ndjenjë të re të detyrës”.

         Kjo, përshëndetja e plotë:

„[ Teatri Migjeni, 08.01.2019“

„I dashur Mons. Romanus, i ngarkuar me pune te Nunciatura, I nderuar Ate Nikolla Petani, E nderuar Zonja Voltana, Kryetare i Bashkise, E nderuar Zonja Loreta Aliko, Kryetare i Komitetit per Kultet; shumë të dashur vëllezër e motra! ................ .“

„Vit të mbarë të gjithëve! Falënderoj Z. Luigj Mila, Përgjegjës i Qendrës “Drejtësi e Paqe”, shkollat tona, grupet famullitare, bashkëpunëtorët dhe Drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” për këtë mbrëmje të bukur. “POLITIKA E MIRË ËSHTË NË SHËRBIM TË PAQES” kjo është tema e ditës së 52-të Botërore për Paqen. Falënderojmë Papa Françeskun për këtë mesazh, që Ai ia dërgon Kishës, Krerëve të Shteteve e të Qeverive dhe Përgjegjësve të Besimeve fetare për të na kujtuar vlerën thelbësore të paqes dhe nevojën për të vepruar pa u lodhur për ta arritur atë. Papa Françesku na fton që të reflektojmë mbi nevojën e një politike të mirë për t’i dhënë një kthesë serioze pozitive zhvillimit integral të popujve të të gjitha kombeve dhe paqes botërore. Politika e mirë ka nevojë për persona të mirë. Pikërisht sepse ajo është e mirë, politika nuk mund të jetë veçse në shërbim të paqes, për të mirën e njerëzimit. Papa Françesku, duke cituar një fjali të poetit francez, Charle Peguy, pohon se paqja është “një lule e brishtë që përpiqet të çelë mes gurëve të dhunës”. Papa ka një vlerësim të lartë për politikën. Ajo është një formë e dashurisë, sepse ndërton qytetin. Politika është vendi ku duhet të praktikohen virtytet njerëzore, si p.sh. drejtësia, respekti i ndërsjellë, sinqeriteti, ndershmëria dhe besnikëria. Pikërisht duke u bazuar te kjo doktrinë, Kardinali vietnamez François - Xavier Nguy Vã Thuân, vdekur në vitin 2002, i cili ka qenë një dëshmitar besnik i Ungjillit, ka folur për “lumturitë e politikanit”, si: “Lum politikani që punon për të mirën e përbashkët dhe jo për interesin e vet!”. Të dashur, “Paqja është një dhuratë e Hyjit dhe vepër njerëzore”. Papa na thote se te gjithe do te jemi: artizanët e paqes; sepse Paqja është dhuratë e Hyjit, e cila është besuar të gjithë burrave dhe grave, që janë thirrur ta realizojnë atë”. Më lejoni që të citoj një ekspert të “politikës së mirë”, deputetin dhe profesorin Aldo Moro, vrarë 40 vjet më parë prej brigadave të kuqe: “Ky vend nuk do të shpëtohet dhe stina e të drejtave dhe e lirive nuk do të zgjasë shumë, nëse në Itali nuk do të lindë një ndjenjë e re e detyrës”. Bëhet fjalë për një mësim të urtë, të cilin sot, sipas meje, mund t’ia aplikojmë edhe Shqipërisë: “Shqipëria nuk do të shpëtohet nëse stina e të drejtave nuk do të lindë një ndjenjë të re të detyrës”. Mesazhi përfundon duke nënvizuar tre përmasat e paqes: atë të brendshme me veten, atë bashkësiore me tjetrin dhe atë ekologjike me krijimin. Të dashur, Viti i ri, me hirin e Hyjit, le të jetë një vit paqeje për çdo njeri, për ato familje që vuajnë prej mungesës së saj, për Shkodrën, për Shqipërinë, për Tokën e Shenjtë, për Sirinë, Irakun dhe për 50 vendet ku ka luftë dhe për botën mbarë. Nga zemra ju falënderoj të gjithëve dhe uroj që të gjithë ta gëzojmë paqen dhe të jemi çdo ditë artizanë të paqes. Përshumëvjet! ]“

Letra për gjithë deputetët

Jo më larg se më 3 janar, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit, së bashku me mesazhin e Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes. Nga ky mesazh citon ato argumente, që janë të rëndësishme edhe për Shqipërinë, ku sidomos perceptimi i korrupsionit është në nivele mjaft të larta.

Gjendja aktuale

Pikërisht në fund të vitit të kaluar u bë i njohur studimi i institutit kërkimor ndërkombëtar “Ëorld Justice Project”, me qendër në SHBA, ku vihet në dukje se Shqipëria është në vendin e 93-të ndër 113 shtete, duke u përfshirë kështu në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë. Shqiptarët e ndiejnë se korrupsioni është i lartë në sistemin juridik e gjyqësor, si edhe në qeverisjen e vendit. Nga ana e tij, edhe Departamenti i Shtetit amerikan nënvizon se problemet me të drejtat e njeriut në Shqipëri, gjatë vitit 2017, ishin “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë vetëcensurimin dhe frikësimin e gazetarëve, shtyrë nga interesa financiare dhe politike; si edhe korrupsioni i përhapur në gjithë qeverinë”.

Citimet nga Papa Françesku në letrën e imzot Massafrës

         “Ati i Shenjtë – shkruan imzot Massafra në letrën, që shoqëron mesazhin e sivjetëm të Papës për Ditën Botërore të Paqes – e ka veçanërisht për zemër Shqipërinë tonë, aq sa e ka paraqitur atë si shembull të bashkëjetesës paqësore mes besimeve fetare…

Sipas Papës, politika është ‘mjeti kryesor për krijimin e qytetarisë dhe ndërtimin e veprave të njeriut’, por ‘kur ata që e ushtrojë nuk e  jetojnë si shërbim ndaj bashkësisë njerëzore, mund të bëhet vegël e shtypjes, e përjashtimit e madje, edhe e shkatërrimit’.

Pastaj Papa Françesku rreshton një e nga një armiqtë e paqes në fushën politike, si: ‘korrupsioni, mohimi i së drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, …, refuzimi i përkujdesjes për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të fitimit të çastit…’.

Dhe, në fund, kujton: ‘Sot, më shumë se kurrë, shoqëritë tona kanë nevojë për ‘artizanë të paqes’, lajmëtarë dhe dëshmitarë të vërtetë të Hyjit Atë, i cili dëshiron të mirën dhe lumturinë e familjes njerëzore’”.

Në përfundim të letrës, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, sqaron se nxitja për ta shkruar i ka ardhur nga “dashuria për të mirën e përbashkët”, synim i “politikës së mirë”, që edhe deputetët shqiptarë janë betuar ta ndjekin, që nga çasti i hyrjes së tyre në parlament.

Kjo, letra e plotë:

„[ Prot. nr. 03/2019; “

„Shumë të nderuar Deputetë, Zoti ju dhashtë paqe!“

„Fillimi i një viti të ri nis me shpresa të reja dhe me urimet më të mira për të ardhmen. Në këtë kontekst festash, por edhe shqetësimi, me shikimin hedhur përpara, Kisha katolike i propozon botës mbarë një Ditë Botërore kushtuar temës së Paqes. Kështu, kam dëshiruar që t’jua dërgoj edhe juve mesazhin që Ati i shenjtë, Papa Françesku, duke vazhduar praktikën e lavdërueshme të paraardhësve të vet, ka shkruar për çështjen e paqes edhe me rastin e këtij Viti të Ri dhe që ne kemi përkthyer në gjuhën tonë shqipe. Në mënyrë të veçantë, mesazhi i këtij viti titullohet: “Politika e mirë është në shërbim të paqes”, dhe për këtë arsye kam menduar që t’jua dërgoj të gjithëve ju, të nderuar Deputetë, që jeni të angazhuar në këtë fushë kaq të rëndësishme dhe kaq delikate të ndërtimit të Vendit. Ati i Shenjtë e ka veçanërisht në zemër Shqipërinë tonë, aq sa e ka paraqitur atë si shembull të bashkëjetesës paqësore mes Besimeve fetare. Ky fakt, a nuk mund të jetë një shtysë për ta jetuar shërbimin politik ndaj popullit shqiptar në një dimension paqësor edhe mes rrymave politike që kanë linja të ndryshme mendimi? Me lejoni t’ju paraqes disa pjesë prej letrës së Papës, që mund të jenë të dobishme për një reflektim të përbashkët. Për Papën politika është “një mjet themelor për të ndërtuar qytetarinë dhe veprat e njeriut”, por “kur, nga ata që e ushtrojnë, nuk përjetohet si shërbim për shoqërinë njerëzore, mund të bëhet vegël shtypjeje, mënjanimi dhe madje edhe shkatërrimi”. Pastaj Papa Françesku liston një e nga një armiqtë e paqes në fushën politike, të cilët janë: “korrupsioni, mohimi i të drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, …, refuzimi për t’u kujdesur për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të përfitimit të menjëhershëm…” Dhe, në fund, kujton që: “Sot, më shumë se asnjëherë, shoqëritë tona kanë nevojë për “artizanë të paqes”, që të jenë lajmëtarë dhe dëshmitarë autentikë të Hyjit Atë, që do të mirën dhe lumturinë e familjes njerëzore”. Ju falënderojmë për vëmendjen me të cilën do ta lexoni këtë letër të shkurtër, por të dendur dhe të diktuar vetëm prej dashurisë për të mirën e përbashkët, çështje për të cilën edhe ju, në shërbimin tuaj ndaj Atdheut, jeni betuar. Duke ju uruar çdo të mirë, ju përshëndesim përzemërsisht dhe ju uroj Vitin e Ri: Gëzuar 2019“

„Imzot Angelo Massafra OFM, “

„-----------------------------“

„Kuvendi i Republikës TIRANE ]“

09 janar 2019, 12:48