Mbretërit Dijetarë në Betlhemin prej rëre të këtij viti në Vatikan Mbretërit Dijetarë në Betlhemin prej rëre të këtij viti në Vatikan 

Imzot Bizzeti: festa e Dëftimit të Zotit është e gjallë në Turqi, vijnë nga Lindja në kërkim të Krishtit

Vikari apostolik i Anadollit, imzot Paolo Bizzeti, interpreton pjesën e Ungjillit të Mateut mbi adhurimin e Mbretërve Dijetarë, në dritën e përvojës së Kishës në Turqi. “Të largëtit janë bërë të afërt dhe disa nga të afërtit mbeten të ftohtë”. “Sot njerëzit vijnë nga Lindja në kërkim të Krishtit, që ndoshta e kanë parë në internet, ose në ndonjë libër”.

R.SH. - Vatikan

“Pasi lindi Jezusi në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, disa dijetarë erdhën nga Lindja në Jeruzalem dhe thoshin: ‘Ku është ai që lindi, mbreti i judenjve? E pamë yllin e tij dhe erdhëm ta adhurojmë”. Kështu fillon Ungjilli i Mateut mbi Dëftimin e Zotit, i cili mishërohet si “përvojë e gjallë e shumë aktuale” në Turqi, pohon imzot Paolo Bizzeti, vikar apostolik i Anadollit. Na flet me telefon nga Iskenderun, ku 71 vjeçari jezuit fiorentin u vendos tre vjet më parë, për të mbushur boshllëkun e krijuar në vitin 2010 nga vrasja brutale e imzot Luigi Padovese-s.

Dijetarët dhe paganët e shumtë, që bëhen dishepuj

“Teksti i Ungjillit të Mateut është medituar shumë - komenton imzot Bizzeti - Është tekst, në të cilin Mateu, vite pas historisë së Jezusit dhe në dritën e kthimit të shumë paganëve në dishepuj të Tij, rimendon për jetën e Zotit dhe e kupton se që nga fillimi, ata që rrinin larg ishin bërë të afërt, ndërsa disa nga të afërtit - për fat të keq – ishin treguar shumë të largët. Kjo është një tjetër përmbysje perspektive, që ndodh gjatë Krishtlindjes: të largëtit afrohen, ndërsa të afërtit mbeten të ftohtë si Herodi, priftërinjtë, skribët, ata që mendojnë se njohin gjithçka”.

Risia e pabesueshme e një Zoti të varfër me të varfërit

“Ata e dinë se kur dhe ku duhet të lindë Mesia... Por, faktikisht, rrinë pa lëvizur në Jeruzalem, sepse mbyllen në dinamikën e tyre të pushtetit e të fesë, ndërsa këta dijetarë përfaqësojnë njerëzit në kërkim të së vërtetës, të një Zoti autentik dhe e lënë veten të udhëhiqen; janë ata, që së fundi, e pranojnë këtë mrekulli, këtë risi të pabesueshme të një Hyji, që bëhet i vogël mes të vegjlish, i butë mes të butësh, i varfër mes të varfërish. Pra - sërish - Ungjilli na paraqet një përmbysje të logjikës me të cilën jemi mësuar”.

Dijetarët e rinj të sotëm tërhiqen nga ylli i Jezusit

“E gjithë kjo për ne, këtu në Turqi, - vëren imzot Bizzeti - është përvojë e gjallë dhe e përditshme, sepse ka njerëz që vijnë nga Irani, nga Afganistani, nga Turkmenistani, nga vende të tjera të Lindjes, në kërkim të Krishtit, për ta kuptuar më mirë intuitën, e cila u ka ardhur me mënyra nga më të ndryshmet. Nganjëherë, një kontakt në internet, nganjëherë një libër, nganjëherë një ëndërr. Ata e ndiejnë se Jezusi është ylli i vërtetë, që shndrit çdo njeri dhe vihen në lëvizje, vijnë këtu, në këtë vend, ku sigurisht, ka më tepër mundësi se në vendet e tyre të origjinës, për të vazhduar kërkimet e tyre fetare. Për ne kjo pjesë ungjillore ka aktualitet të madh”.

Në Perëndim, fatkeqësisht, po përhapet me shpejtësi frika nga të huajt. Ç’mund të na mësojë ky episod i Mbretërve Dijetarë, të cilët do t’i gjejmë të dielën në adhurim para Jezu Krishtit, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit?

Frika nga të huajt, frika nga të tjerët, nga ata që janë në kërkim të diçkaje të re e vënë në diskutim çdo lloj gjendje, ekziston kudo. Ekziston edhe këtu. Sigurisht që ekziston edhe në Evropë, e cila është kthyer në një kështjellë të papushtueshme. Mendoj se duhet ta rizbulojmë atë zemërgjerësi, atë gatishmëri, që përfaqësojnë Mbretërit Dijetarë. Nëse nuk ka hapje, nuk mund të ketë përparim as në fenë e vërtetë, as në jetën e popujve. Duhet të hyjmë në këtë aventurë si ata, të cilët udhëtuan nga një vend në tjetrin, erdhën nga larg dhe, së fundi, vunë në dispozicion atë që kishin, sepse edhe kjo është mrekulli: njerëz, që vënë në dispozicion gjithçka kanë për këtë familje të varfër, ku lindi Foshnja Hyjnore. Është tregim shumë simbolik, ndërmjet kërkimit njerëzor dhe zbulesës hyjnore, ndërmjet qiellit dhe tokës, që takohen në shpellën e Betlehemit.

04 janar 2019, 13:28