Kërko

2018.12.14 Vergine Maria, la Maestra del Vangelo 2018.12.14 Vergine Maria, la Maestra del Vangelo  (© Musei Vaticani)

‘Hirëplote’ emri më i bukur i Marisë, Nënës së Zotit

Titulli ‘Nëna e Zotit’ së bashku me titullin ‘Virgjëra Shenjte’, është më i lashti dhe themeli i gjithë titujve të tjerë, me të cilët besimtarët e nderojnë në Lindje e në Perëndim Virgjërën Mari. ‘Hirëplote’ tregon se Maria është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Më 1 janar, Kisha katolike kremton solemnitetin e Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Nënës së Zotit! Kështu, më 1 janar fillojmë një vit të ri e na merr për dore shpresa e krishterë, e fillojmë duke iu lutur Hyjit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes për familjet tona, për fshatrat e qytetet tona, për botën mbarë .

Titulli ‘Nëna e Zotit’ së bashku me titullin ‘Virgjëra Shenjte’, është më i lashti dhe themeli i gjithë titujve të tjerë, me të cilët besimtarët e nderojnë në Lindje e në Perëndim Virgjërën Mari. Mishërimi i Fjalës Hyjnore dhe amësia hyjnore e Marisë janë mistere të mëdha, të vështira për t’u kapur nga mendja njerëzore. Maria – shkruan Shën Luka – i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemër të vet”. (Lk.2,19) Folja greke ‘sumbállousa’, që përdoret në këtë rast do të thotë ‘t’i mbledhësh së bashku’ e të shtyn të mendosh për një mister të madh që duhet zbuluar pak nga pak.

 ‘Hirëplote’ emri më i bukur i Marisë, Nënës së Zotit

Virgjëra Mari jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimi e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore”, pikërisht sepse Zoti i kishte caktuar misionin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për të Papërlyerën, duke pohuar se fjala ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti. E kjo tregon se Maria është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit.

Mund të na lindë pyetja: pse ndërmjet të gjitha grave, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit si Nënë për Birin e tij të vetëm? Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe Ungjilli vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë.

Në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Aligerit, pikërisht në Këngën e fundit të Parajsës, shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Biri, / ti e përvujtë e e lartë përmbi krijesat të tëra/…E vetë Virgjëra, në ‘Magnificat’, thotë: “Shpirti im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”. E Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij. U bë kështu Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore.

Maria e pranoi Jezusin me fe e ia dhuroi botës me dashuri. Kjo është edhe thirrja jonë e misioni ynë, thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia japim botës, që bota të shëlbohet përmes Tij. E besimtarët duhet ta shikojnë festën e Marisë, Nënës së Zotit si një fanar që ndriçon rrugët e panjohura të vitit të ri, si shenjë të ndritur e të sigurt shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit në shtegtim.

Në shkollën e Marisë mund të mësojmë me zemër, atë që sytë e mendja nuk mund ta perceptojnë, as mund ta nxënë. Bëhet fjalë për një dhuratë tepër të madhe, e cila mund të pranohet vetëm përmes fesë, ndonëse nuk mund të kuptohet plotësisht. E pikërisht në këtë shtegtim feje. Maria na ndihmon, na mbështet, na prin.

01 janar 2019, 09:19