Kërko

2018.10.13 Natività, adorazione dei Magi 2018.10.13 Natività, adorazione dei Magi 

Meditim: Festa e Dëftimit të Zotit – festa e Epifanisë

Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit kremtojmë dëftimin e Krishtit para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja. Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimit.

R.SH. - Vatikan

Festa e Dëftimit të Zotit i fton besimtarët t’u përngjasin Mbretërve Dijetarë, model i unitetit të arsyes me fenë

Kisha më 6 janar kremton festën e Dëftimit të Zotit,  festë që ndër shqiptarët katolikë njihet si festa e ‘Ujit të Bekuar’. Me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.

Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjës Hyjnore. Në Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit dhe skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë.

Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Mbretërit, kërkues të palodhshëm të së vërtetës, ishin dijetarë që vrojtonin yjet e që njihnin historinë e popujve. Megjithatë ata nuk e konsideronin dijen e tyre të plotë; përkundrazi, ishin gjithnjë në kërkim të zbulimeve e të thirrjeve të reja hyjnore. Mund të kishin thënë: e dimë vetë gjithçka e s’kemi nevojë të na mësojë kush, duke lënë mënjanë, sipas mendësisë sonë të sotme, çdo ‘infektim’ të shkencës nga Fjala e Zotit.

Mbretërit dëgjojnë profecitë dhe i pranojnë, duke arritur harmoninë e përkryer ndërmjet kërkimit shkencor të njeriut e së Vërtetës hyjnore. Si dijetarë të vërtetë, ia hapin zemrën misterit, që dëftohet në mënyrë mahnitëse, duke konfirmuar plotësisht unitetin ndërmjetin ndërmjet arsyes e fesë. Prej këndej, ti lutemi edhe ne Zojës së Bekuar: “Na ndihmo, oj Virgjëra Mari, model i urtisë së vërtetë, të jemi kërkues të palodhur të së vërtetës së Hyjit, të aftë ta jetojmë gjithnjë përkimin e thellë ndërmjet arsyes e fesë, shkencës e zbulesës”.

05 janar 2019, 10:11