Emigrante Emigrante 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Esdrës

Aktualiteti i sotëm, me botën që u mbyll dyert dhe i përzë të huajt, duke i përdorur si kurban në altarin e problemeve të vendeve perëndimore, e ka zanafillën që në kohë të lashta. Edhe në kohën e Esdrës, qindra vjet para Krishtit, emigranti gjykohej si “i papastër” dhe i vishej faji i mëkateve të popullit, duke e nisur andej nga kishte ardhur.

R.SH. - Vatikan

Në emisionin e sotëm, do t’ju flasim për Librin e Esdrës, por duke filluar nga kapitulli i 10-të, i fundit, ku gjejmë një listë fajtorësh. E ç’faj kishin bërë ata? Ishin martuar me gra të huaja, të cilat duheshin dëbuar, së bashku me fëmijët. Aktualiteti i sotëm, me botën që u mbyll dyert dhe i përzë të huajt, duke i përdorur si kurban në altarin e problemeve të vendeve perëndimore, e ka zanafillën që në kohë të lashta. Edhe në kohën e Esdrës, qindra vjet para Krishtit, emigranti gjykohej si “i papastër” dhe i vishej faji i mëkateve të popullit, duke e nisur andej nga kishte ardhur. Libri i Esdrës dëshmon se feja, kur dëshiron të themelojë një shoqëri të spastruar, bëhet e pamëshirshme dhe prodhon fundamentalizëm. Edhe sot, bazohemi në vëllimin e shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

Ç’kishte ndodhur për të arritur deri në pikën e përshkruar në Librin e Esdrës? Në vitin 539 para Krishtit, Kiri, mbret i Persisë dhe i Medisë, mund Nabonedon, mbretin e Babilonisë, dhe ia shkatërron mbretërinë. Perandoria persiane, që shtrihej nga lumi Indo deri në Egjipt, hap një fazë të re politike: në vend të një qeverisjeje despotike dhe diktatoriale, Kiri mbret u lejoi mërgimtarëve, që banonin në Babiloni, të ktheheshin në atdhe, të rindërtonin qytetet dhe tempujt, t’i mbanin dhe t’i rifillonin (nëse ishin ndërprerë) traditat e tyre fetare.

Edikti i Kirit mbret

Kështu, në vitin 538, edikti i Kirit u mundëson hebrenjve të mërguar në Babiloni të kthehen në Jeruzalem, të marrin me vete objektet e arta, që u kishte vjedhur Nabukodonozori (thesari i tempullit) dhe të rindërtojnë Tempullin. Shumë nuk u nisën, por një pjesë e mirë, nën udhëheqjen e Sasabasarit, u kthyen në atdhe. Por shpejt, dolën probleme të mëdha e temmpulli nuk u arrit të ndërtohej. Atëherë, Jeruzalemi ndodhej në prefekturën e Samarisë, pra, nën qeverisjen e hebrenjve separatistë të mbretërisë së Veriut, që konsideroheshin edhe më të papastër se të huajt.

Karvani i dytë niset nga Babilonia

Një karvan i dytë niset nga Babilonia në vitin 520, nën udhëheqjen e Zorobabelit dhe të kryepriftit Jezua. Ndër të rikthyerit, është edhe Zakaria profet, që së bashku me Agjeun, u jep zemër dhe i inkurajon bashkëkombasit, duke folur për të ardhmen e lavdishme të shenjtërores, që po ngrenë. Falë tyre, në vitin 515, përfundon i ashtuquajturi “Tempulli i dytë”. Por, historia e tij nuk do të jetë aq e lavdishme sa shpresohej, prandaj, kur skribi Esdra kthehet në Jeruzalem nga Babilonia, e reformon krejtësisht vendin, duke i dhënë jetë një judaizmi, ashtu siç e njohim nga Besëlidhja e Re dhe nga jeta e Jezu Krishtit.

Esdra vendos ligjin

Esdra vendos plotësisht kultin e ligjshëm në tempull, ndërsa Ligji i Moisiut bëhet ligj i shtetit. Merr jetë kështu, një komb, që, duke mos pasur mundësi të aspirojë liritë civile, e gjen identitetin e vet në unitetin fetar. Pengesa më e madhe për këtë identitet e për pastërtinë e tij është martesa. Gjatë mërgimit kishte pasur shumë martesa të përziera, që tani, konsiderohen arsye të papastërtisë së kombit.

Libri i Esdrës fillon me ediktin e Kirit të madh, që autorizon kthimin e hebrenjve në atdhe, e përfundon me spastrimin e skribit Esdra. Nuk të bën aq përshtypje në lexim, por është një nga librat, që ka ndikuar më shumë se të tjerët në historinë e judaizmit. Provë është, në mos tjetër, fakti se kemi edhe një libër tjetër apokrif të Esdrës e një “zbulesë”, që i atribuohet atij. Në kapitullin e 7-të, Esdra përshkruhet me këto fjalë: “Esdra ishte dhënë mend e zemër për ta shqyrtuar Ligjin e Zotit e për ta vënë në zbatim, për t’ua mësuar izraelitëve ligjet dhe rregulloret” (Es 7,10).

Shteti i Esdrës, me tipare fundamentaliste

Duke studiuar ligjin: kështu lindi hebraizmi, që njohim nga Ungjijtë; kështu lindi kombi i pastër dhe i kushtuar Zotit, duke gjetur identitetin e vet në ligjin e në të drejtën, në përkatësinë në një komb, që nuk është më gjeografik, por fetar. Me fjalimin e tij para bashkëkombasve, duke folur për Zotin, praktikisht, Esdra themelon një identit të ri izraelit, me tipare fundamentaliste:

“‘Toka të cilën ju do ta pronësoni, është tokë e papastër nga papastërtia e popujve vendas, nga fëlliqësitë e tyre me të cilat e kanë mbushur fund e krye. Prandaj mos i jepni bijat tuaja për djemtë e tyre as bijat e tyre mos i merrni për djemtë tuaj. Mos e dëshironi assesi paqen e tyre as fatin e tyre kurrë e për këtë jetë. Kështu do të bëheni të fortë e do t’i hani më të mirat fryte të tokës, të cilën do ta trashëgojnë përgjithmonë djemtë tuaj.’

Tani, pas të gjitha këtyre vështirësive që na takuan t’i heqim për shkak të veprave tona të mbrapshta e për shkak të fajit tonë të madh ‑ megjithëse ti, o Hyji ynë, na ke ndëshkuar më pak se sa meritonin fajet tona dhe na shpëtove siç po shohim sot, a thua edhe më tutje do t’i prishim urdhërimet e tua dhe do të lidhim martesa me popujt e këtyre turpësive? Vallë, a mos je zemëruar deri në fund me ne për të na shfarosur që të mos ketë shpëtim as për këtë Tepricë të mbetur?” (Es 9,11-14).

U jepet fund martesave të përziera

“Popujt e fëlliqësive” janë shkaku për zemërimin hyjnor dhe për kërcënimin e shfarsojes së Izraelit. Prandaj, s’mbetet tjetër, veçse të zhduket ky turp i martesave të përziera. Thirret populli e, për tre muaj me radhë, Esdra dhe krerët e tij marrin në shqyrtim të gjithë burrat, që ishin martuar me gra të huaja. Përpilojnë një listë famëkeqe, që pasqyrohet në fund të Librit, i cili përfundon me fjalë lakonike, ku nuk ndihet as dhimbje, as pendim:

“Të gjithë këta ishin martuar me gra të popujve paganë. Të gjithë i dëbuan gratë dhe fëmijët” (Es 10,44).

Secili zgjedh udhën e vet: dikush ngre mure e dikush ndërton ura

Por në Bibël gjejmë gjithçka. E nëse nga njëra anë, pasqyrohet fundamentalizmi i Esdrës, nga ana tjetër, Shkrimi Shenjt lëvdon dhe i kushton një libër të tërë Rutës, gruas së huaj, mohabites, që nuk e la të vjehrrën, pas vdekjes së burrit, por shkoi me të, u bë ndjekëse e Zotit të Izraelit, u martua sërish dhe nxorri në dritë gjyshin e Davidit mbret! Rut, që do të thotë “miqësi”, që do të thotë se i madhi e i shenjti Davidi mbret kishte gjak të papastër ndër deje, gjak të huaj…

Secili zgjedh udhën e vet në jetë: dikush atë të Esdrës e dikush atë të Rutës; dikush ngre mure e dikush ndërton ura!

17 janar 2019, 12:25