Kërko

 Shembja e digës në Brazil Shembja e digës në Brazil 

Brazil, shembet diga: solidariteti i dioqezës Belo Horizonte

Në Brazil shembet një digë. Bilanci, ende i përkohshëm, është 9 të vdekur e 300 të humbur. Imzot Walmor shpreh dhimbjen e thellë për këtë tragjedi.

R. SH. - Vatikan

Me një notë, kryeipeshkvi metropolit i Belo Horizonte, në Brazil, imzot Walmor Oliveira de Azevedo, i shpreh solidaritetin gjithë kryedioqezës për tragjedinë, që tronditi thellë mbarë vendin. Dje, në Brumadinho, rreth 60 km. larg Belo Horizonte, u shemb një digë. Pasoja: 9 të vdekur e 300 të humbur, bilanc, që mund të rëndohet më tutje.

Dëme të pandreqshme në njerëz e ambiente

Imzot Walmor, në deklaratën e tij, flet për një fatkeqësi tjetër të rëndë, që shkatërroi jetë njerëzore dhe shkaktoi dëme territoriale, me pasoja të rënda  në këndvështrimin shoqëror dhe ekonomik. “Bashkësitë tona - lexojmë në komunikatë - bashkohen për t’u çuar ndihmë e mbështetje të gjithë atyre, që vuajnë nga një tragjedi kaq e rëndë”. Për kryeipeshkvin, “dëmet njerëzore e shoqëroro-ambientale janë të pandreqshme” e kërkojnë të veprohet me shpejtësi të rrufeshme. Hirësia e Tij uron edhe që të rimendohen modelet e zhvillimit dhe të respektohet natyra sepse, kur nuk respektohet, nis rebelimin, me pasoja tragjike, që përsëriten në të katër anët e botës.

Solidaritet me viktimat e kujdes në hetimet

“Lutemi për viktimat e kësaj tragjedie - shkruan akoma imzot Walmor, që nuk harron të nënvizojë edhe urgjencën “për lehtësimin e dhimbjes së atyre, që u goditën nga kjo tragjedi ambientale”. Por kërkon edhe të ndiqet nga afër veprimtaria e autoriteteve gjatë hetimeve, për të gjetur shkaktarët e fatkeqësisë. Nuk dihet ç’e shkaktoi shembjen e  digës, por nuk është hera e parë, që ndodh një aksident i tillë në shtetin Minas Gerais. Tri vjet më parë u shemb diga në komunën Mariana, duke shkaktuar 19 të vdekur.

Ndihmat vijojnë papushuar

Ndërkaq veprimtaritë e ndihmës vijojnë pa pushim: më se njëqind zjarrfikës po punojnë, ndërsa njëqind të tjerë priten të arrijnë së shpejti. Në vend ishte guvernatori i Shtetit të Minas Gerais, Romeu Zema si dhe Ministri i Ambientit i qeverisë federale, Ricardo Salles.

 

26 janar 2019, 16:43