Kërko

Libri "Maria përmes pikturës" Libri "Maria përmes pikturës" 

Zoja dhe devocioni marian në art

Jeta e Marisë e feja, që Kisha ushqen për Nënën e Zotit, treguar nga imzot Vincenzo Francia dhe nga kryeveprat e historisë së artit, në librin “Maria përmes pikturës”, botuar nga Paolinet.

R.SH. - Vatikan

Thellësia e vështrimit në Lajmërimin e Zojës, me autor Antonello nga Mesina, Maria hieratike në fronin e mozaikëve të Monreales, humaniteti i jetës së përditshme në Zojën e Roberto Ferruzzi-t, Virgjëra mbretëreshë e Masolino-s nga Panicale, hiri i Edukimit të Virgjërës, me autor Giambattista Tiepolo-n, eleganca e shën Marisë në Paraqitjen në Tempull të Andrea Mantenga-s, humaniteti plot simbolizëm i Zojës shtatzënë, me autor Piero della Francesca, ngrohtësia amnore e Pushimit gjatë ikjes nga Egjipti, me autor Caravaggio-n, ose misteri i Virgjërës së Shkëmbinjve e Leonardo Da Vinçit. Janë emra të disa prej kryeveprave artistike, zgjedhur për të përshkuar jetën e Marisë, nga Zënia e Papërlyer e deri tek Ngjitja në qiell, në librin “Maria përmes pikturës”, shkruar nga imzot Vincenzo Francia, pedagog i Ikonografisë Mariane në Fakultetin Papnor Teologjik “Marianum”, në Romë. Libri botohet nga Paolinet.

Të hysh brenda veprës, Biblia pauperum

         Vëllimi e ndihmon lexuesin të hyjë në brendësi të veprës së artit, ta kundrojë atë, duke i kthyer kështu, funksionin e “Biblia pauperum” - faqeve madhështore të Biblës, paraqitur në pikturë, në mënyrë që të gjithë, pavarësisht nga niveli i arsimimit e i njohurive, të zbulojnë thellësinë e tekstit të shenjtë. Çdo fotografi e kryeveprave shoqërohet me një pjesë nga Shkrimi Shenjt: Bibla shpjegon artin e, njëkohësisht, zbulon Fjalën e Zotit.

         “Një nga pikat e dobta të kulturës së sotme – shpjegon, në mikrofonin tonë, imzot Vincenzo Francia – është se njihet pak bota letrare, sidomos ajo biblike”, prandaj, nganjëherë, është e vështirë të interpretohen e të kuptohen deri në fund subjektet fetare. Pikërisht për këtë, nevojiten pikturat, të kuptueshme nga të gjithë.

Maria, bukuria e nënës

         Nga shqyrtimi i pikturave kushtuar Nënës së Shëlbuesit del në pah një tipar i përbashkët: “asnjë nga  imazhet mariane nuk të shtjen frikën”. “Nganjëherë, para paraqitjes figurative të Virgjërës – vëren imzot Francia – mund të ndjejmë se na qorton, siç bën nëna, ose mahnitemi nga një bukuri më e thellë, jo thjesht estetike; por, ndërsa para disa të Kryqëzuarish veçanërisht të dhunshëm, ndokush mund ta ulë vështrimin, nuk tmerrohemi para asnjërës prej pikturave të Zojës”.

Nuk ka grua më të pikturuar se Maria

         Zoti është bukuri e Maria është një shembull i qartë për këtë. Vërtet, nuk ka reshtur kurrë së frymëzuari artistë të çdo lloj epoke, që asaj i kanë kushtuar piktura, pjesë altari, afreske, mozaikë, për t’u kundruar nga çdo njeri, besimtar a jo. Nuk ka grua më të paraqitur në kanavacë se sa Maria. “Asnjë yll i Hollivudit – vëren imzot Francia – nuk është pikturuar kaq shumë. Imazhet mariane janë kaq të shumta, sa t’u flasin të gjithëve, pa përjashtim”.

Photogallery

Disa faqe të librit "Maria përmes pikturës"
07 dhjetor 2018, 11:50