Kërko

 Imzot  Pierbattista Pizzaballa kryeson Meshën në Gazë Imzot Pierbattista Pizzaballa kryeson Meshën në Gazë 

Toka e Shenjtë: për Krishtlindje, vetëm 200 leje për të krishterët e Gazës

Për atin Mario Da Silva, famullitar i famullisë latine të Familjes Shenjte në Gazë, “të krishterët nuk do të duhej të kërkonin lejekalimi për Krishtlindje. Është e drejta e tyre të shtegtojnë e të luten pa pengesa”. Dy ditë më parë imzot Pizzaballa kremtoi Meshën e Krishtlindjes për katolikët e Gazës.

R. SH. - Vatikan

Janë 500, lejet akorduar nga autoritetet izraelite të krishterëve të Gazës për të dalë nga Rripi e për ta kremtuar Krishtlindjen në Jeruzalemin Lindor dhe në Cisjordani. Por nga këto, deri tani u janë dorëzuar vetëm 200 - sipas deklaratës nga ana e burimeve të Kishës së Gazës, dhënë Agjencisë Sir.

Mesha e Krishtlindjes, kremtuar nga imzot Pizzaballa

Pardje, në famullinë latine të Gazës, kushtuar Familjes Shenjte, administratori apostolik i Patriakatit latin  të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa dhe mëkëmbësi i tij për Jeruzalemin dhe Palestinën, imzot Giacinto-Boulos Markuzzo, kremtuan, sipas zakonit, Meshën e Krishtlindjes 2018, pasuar nga një festë e madhe për fëmijët dhe familjet e tyre, organizuar në sallonin famullitar. Tani për tani janë dhënë vetëm 200 leje, për njerëz mbi moshën 55 vjeç dhe ndërmjet 16 e 35 vjetëve. Fëmijët nën moshë 18 vjeç nuk përfshihen në listën e atyre, që mund të përfitojnë leje. 300 besimtarë janë në pritje për lejekalimin, që nuk e dinë kur do të mund ta sigurojnë, ndërsa festat afrohen e nuk mund të presin që dikush t’ua hapë udhën drejt Betlehemit, udhë që deri Herodi ua pati hapur tre Mberetërve shtegtarë, dymijë vjet më parë.

Ndiqet politika e ndarjes së prindërve nga fëmijët

Përmes Patriarkatit latin, famullitari i Gazës, atë Mario da Silva, njoftoi  se vitin e kaluar të krishterët e Gazës morën 300 leje, për ta kremtuar Krishtlindjen në Betlehem. Por të “treqind fatlumët”, ishin mbi moshën 55 vjeç. “Izraeli po përdor politikën e ndarjes së prindërve nga fëmijët” - denoncon famullitari, që shpjegon, më pas, se familjet nuk duan të ndahen, ndërsa leja i jepet vetëm kryefamiljarit. Atëhere, për të mos u ndarë, familja vendos ta kalojë festën në Gazë. E gjithë kjo, duke e ditur fare mirë  se “për të krishterët palestinezë të Gazës, të marrësh lejekalimin për t’i kremtuar Krishtlindjen a Pashkët në Betlehem a në Jeruzalem, do të thotë  të kesh mundësi të largohesh për pak çaste nga realiteti i tyre i tmerrshëm: një akt ky, që e tremb Izraelin, prej këndej, vijon ta kufizojë gjithnjë më shumë mundësinë për këtë shtegtim festiv.

Për palestinezët e Gazës, vetëm leje ushtarake

Përballë dyndjes së turistëve dhe shtegtarëve - sipas të dhënave zyrtare, 4 milionë hyrje për fundvitin 2018 -  që do të arrijnë në Izrael për të vizituar në liri të plotë, edhe lëvizjeje, Vendet e Shenjta, “palestinezëve, që duan të bëjnë të njëjtën gjë, u jepet shuplaka e privilegjeve të kufizuara, në formën e lejeve ushtarake. Ndonëse “të krishterët nuk do të duhej të kërkonin lejekalimi për Krishtlindje”. Është e drejta e tyre të shtegtojnë e të luten pa pengesa”- këmbëngul, me të drejtë, atë Da Silva. Në Gazë, në gjirin e një popullsie prej 2 milionë banorësh, jetojnë rreth 1.100 të krishterë. Prej tyre, katolikë janë pak më shumë se 100. Zhvendosjet e tyre prej e për në Gazë e drejt Izraelit dhe Cisjordanisë, rregullohen nga Izraeli i cili, që nga viti 1991, kontrollon, me lejekalime, çdo lëvizje civile të palestinezëve, duke përfshirë edhe shtegtimet, lëvizjet për punë, nevojat shëndetësore etj. etj. Ndërtimi i Murit të ndarjes dhe ngritja e post-blloqeve ushtarake e ndërlikon edhe më keqas situatën. 

18 dhjetor 2018, 12:40