Kërko

 Te Deum: të falënderoj, o Zot Te Deum: të falënderoj, o Zot  

Te Deum: të falënderoj, o Zot

T’ia kushtojmë Zotit Vitin e Ri 2019, duke e falënderuar për një vit plot jetë, dhuratë e Tij.

R. SH. - Vatikan

Po vdes Vit’ i vjetër

 e lind Viti i Ri

përplot me premtime,

por dhe me fshehtësi…

 

Po shkon Vit’ i vjetër  

 e lë përpas sot

dhuratat që i pata

prej teje, o Zot!

 

 “Dhuratën e jetës,

të punës, të dashurisë,

të ajrit, të diellit,

të paqes, lirisë!

 

 Lë pas çka nuk bëra,

 e çka e kam bërë,

një ditë, një muaj

një vjetë të tërë!

 

Gjithçka që kaloi

o Zot, ty të përket

ashtu si e pritmja

prap Emrin ta thërret.

 

Sot Ty ta besoj

njeriun dorëdhënë,

e, për dashuri

dhe atë gojërëndë!

 

Të afërm e të largët

që janë e s’janë sot,

ata që i ndihmova

e s’i ndihmova dot.

 

Sot falje të kërkoj

për lëmoshën e padhënë,

njeriun e papërfillur

e lutjen e pathënë.

 

E jotja është e sotmja,

o Zot i amshuar!

E edhe kalendari

akoma i pashfletuar…

 

Ti hapin ma ndal

në udhët dredharake;

e buzët m’i kyç

për fjalën rrenacake.

 

M’i hap veç për fjalën

e mirë, për urim,

që shpirti të më mbushet

përplot përdëllim…

 

I errët a i ndritshëm,

me vaj a me gëzime

i yti, qoftë, Zot,

viti e jeta ime!

 

 

31 dhjetor 2018, 11:56