Kërko

 Te Deum Te Deum 

Te Deum. Papa: sonte Kisha, në mbarë botën, i larton Zotit himin e lavdisë e të falënderimit

Në homelinë mbajtur nga Papa gjatë kremtimit të Te Deum, falënderimi Zotit në përfundim të vitit. Fjala e Zotit - kujtoi Françesku - na shoqëron me fjalët e Shën Palit Apostull, shprehje koncize, e pasur me mendim: sintezë e Besëlidhjes së Re, që i jep kuptim një çasti “kritik”, siç është gjithnjë kalimi i një viti.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të vitit, Fjala e Zotit na shoqëron me këto fjalë të Shën Palit Apostull: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, për t’i shpërblyer të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt” (Gal 4, 4-5). Shprehje koncize, e pasur me mendim: sintezë e Besëlidhjes së Re, që i jep kuptim një çasti “kritik”, siç është gjithnjë kalimi i një viti.

Shprehja e parë, që na tërheq vëmendjen, është “përmbushja e kohës”. Tingëllon në mënyrë të veçantë, në këto orë të fundit të vitit diellor, në të cilat e ndjejmë fort nevojën për diçka, që mund ta mbushë plot me kuptim vrapin e kohës. Diçka, a më mirë të themi, Dikë. E ky “dikush” erdhi! Zoti na e dërgoi: ëshë i Biri. Sapo e kremtuam lindjen e Tij: lindi nga një grua, Virgjëra Mari. Lindi nën Ligj, fëmijë hebre. I nënshtruar Ligjit të Zotit. Po si është e mundur? Si mund të jetë kjo shenja, që tregon se “koha u përmbush?”. Natyrisht në fillim do të ishte gati i padukshëm,… por në më pak se tridhjetë vjet, nga ky Jezus do të shpërthente një forcë e paparë dhe e padëgjuar, që vijon e do të vijojë, sa të vijojë vetë historia. Kjo forcë quhet Dashuri! Dashuri, që përkryen gjithçka, edhe kohën; e Jezusi është “koncentrat” i gjithë dashurisë së Zotit, në një qenie njerëzore.

Shën Pali e thotë qartë pse Biri i Zotit lindi në kohë, cili është misioni, që  i ngarkoi Ati: Ai lindi për t’i shpërblyer, domethënë, për t’i bërë të dalin nga gjendja e skllavërisë e për t’ua rikthyer lirinë dhe dinjtetin bijve. Skllavëria, që ka në mendje Apostulli, është ajo e “Ligjit”, kuptuar si tërësi e rregullave, që duhen respektuar. Ligj i cili, sigurisht, e edukon njeriun, është pedagogjik, por nuk e çliron nga gjendja e mëkatarit, madje, nëse mund të shprehemi kështu, “e gozhdon” në këtë gjendje, duke e penguar të fitojë lirinë e birit.

Hyji Atë dërgoi në botë Birin e vet të Vetëm, për të çrrënjosur nga zemra e njeriut skllavërinë e lashtë të mëkatit e për t’i kthyer, kështu, dinjitetin. Nga zemra njerëzore - siç na mëson Jezusi në Ungjill (krh Mk 7,21-23)- dalin të gjithë ndjetet e këqija e të gjitha mbrapshtitë, që e shthurin jetën dhe  marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.

E këtu duhet të ndalemi. Të ndalemi, për të reflektuar, me dhimbje e pendesë, sepse dhe gjatë këtij viti, që po përfundon, shumë burra e gra  jetuan e jetojnë në kushte skllavërie, të padenja për njeriun.

Edhe në qytetin tonë të Romës, ka vëllezër e motra që, për arsye të ndryshme, gjenden në këto kushte. Mendoj posaçërisht për ata, që jetojnë pa strehë. Janë më se dhjetë mijë. Në dimër, gjendja e tyre bëhet posaçërisht e rëndë. E pra janë të gjithë bij e bija të Zotit. Por disa forma të skllavërisë, nganjëherë tejet të ndërlikuara, i detyrojnë të jetojnë në zgrip të dinjitetit njerëzor. Edhe Jezusi lindi në kushte të ngjashme, por jo rastësisht, as fatkeqësisht: deshi vetë të lindte kështu, për të treguar dashurinë e Zotit për të vegjlit e të varfrit e për të hedhur në botë farën e Mbretërisë së Zotit, Mbretëri e drejtësisë, e dashurisë dhe e paqes, ku askush nuk është skllav, por të gjithë janë vëllezër, bij të të vetmit Atë.

Kisha, që është në Romë, nuk do të jetë indiferente përballë skllavërive të kohës sonë, e as të rrijë vetëm duke i soditur e duke i asistuar, por dëshiron të jetë brenda këtij realiteti, pranë këtij realiteti, këtyre njerëzve, këtyre situatave.

Këtë formë të amësisë së Kishës më pëlqen ta inkurajoj, ndërsa kremtojmë Amësinë Hyjnore të Virgjërës Mari. Duke e kundruar këtë mister, ne pranojmë se Zoti “u lind nga gruaja”, që ne të mund të fitonim    përsosurinë e  natyrës sonë njerëzore  “atë të bijësimit”. Nga përulja e Tij, u lartuam. Nga vogëlsia e Tij, u madhëruam. Nga brishtësia e Tij,  erdhi forca jonë. Nga Ai që u bë shërbëtor, fituam lirinë.

Si mund ta quajmë këtë, nëse jo dashuri? Dashuri e Atit, e Birit edhe e Shpirtit Shenjt, të cilëve sonte Kisha Shenjte Amë  u larton në mbarë botën himin  e lavdisë e të falënderimit!

31 dhjetor 2018, 14:07