Kërko

Lutja e Taizé-së në Madrid Lutja e Taizé-së në Madrid 

Taizé: familjet e Madridit, të lumtura që presin të rinjtë

“Mos ta harrojmë mikpritjen” është tema e Takimit të 41-të evropian të të rinjve, organizuar nga Bashkësia e Taizé-së. Nga 28 dhjetori deri më 1 janar, 15 mijë të rinj mblidhen në kryeqytetin iberik. I presin 170 famulli e mijëra familje.

R.SH. - Vatikan

Frère Carlo Eugenio është 80 vjeç dhe që prej 60 vjetësh jeton në Bashkësinë e krishterë murgare dhe ekumenike të Taizé-së, që si çdo vit, organizon edhe kësaj radhe Takimin e 41-të të evropian të të rinjve. Që sot e deri më 1 janar, të rinj nga e gjithë Evopa janë mbledhur në Madrid, për t’u lutur së bashku për gjithë botën, në këtë kapërcyell nga viti 2018 në vitin e ri 2019. Por edhe për t’u njohur, për të shkëmbyer përvojën ndërmjet tyre e me banorët e kryeqytetit spanjoll e për t’u kthyer në shtëpi më të pasur shpirtërisht.

         Një fazë e re e “shtegtimit të besimit në tokë”, filluar nga vëlla Roger në fund të viteve ‘70, për të cilin frère Carlo Eugenio është dëshmitar entuziast: “Do të dëshironim që ky takim i Madridit të jetë çast shprese për të rinjtë” , shpjegon në intervistën me Vatikan Neës, duke shtuar se familjet e Madridit kanë treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për t’i strehuar djemtë e vajzat evropiane. E kanë fituar tashmë “sfidën e mikpritjes”, për të cilën flet Papa Françesku në Mesazhin kushtuar këtij takimi ndërkombëtar.

R. - Për të rinjtë, jeta sot është ndoshta më e vështirë se disa vite më parë: jeta e prindërve të tyre, nganjëherë, ishte më e lehtë, sepse sot rinia ka frikë nga e ardhmja, është në ankth se nuk gjen punë dhe trembet nga dhuna, që përshkon botën. Natyrisht që ka të rinj, të cilët e kanë të vështirë ta shohin pozitivisht botën e sotme, prandaj, ne përpiqemi t’i mbledhim dhe të reflektojmë me ta, për të nisur kështu, një udhë shprese. Do të dëshironim që ky takim i Madridit, të jetë vërtet çast shprese për ta.

Mesazhi i Papës Françesku, që flet pikërisht për “sfidën e mikpritjes”, për promovimin e një kulture takimi, çfarë kontributi jep, aktualisht, në punën e përditshme të Bashkësisë së Taizé-së?

R. - Tema e këtij takimi – prandaj e përsërit Papa - është ajo e mikpritjes. Papa e rithekson, por në të vërtetë është edhe një nga temat e magjisterit të tij, që na frymëzon. Në një takim si ai i Madridit, mikpritja është qendrore, sepse të gjithë të rinjtë strehohen nga familjet e kryeqytetit spanjoll. E bukuria është se këto familje, të cilat kanë pranuar të hapin dyert, nuk i njohin të rinjtë, që do të hyjnë në shtëpitë e tyre: ndoshta as që flasin të njëjtën gjuhë. Megjithatë, pranuan: “Po, ne i mirëpresim”.

E kjo përsëritet vazhdimisht, që prej 40 vjetësh. A keni mbetur ndonjëherë të zhgënjyer?

R. – Jo. Jo, jo: e përjetojmë çdo herë në një qytet të ndryshëm e pastaj, shihen qartë “pasojat”. Natyrisht, nuk mund të maten: çfarë kalon në zemrat e njerëzve nuk mund të matet, por shihet si zhvillohet kjo ndjenjë e mikpritjes, edhe më vonë...

28 dhjetor 2018, 13:04