Cerca

Vatican News
 Fortesa ku u gjet unaza e Poncit Pilat Fortesa ku u gjet unaza e Poncit Pilat  (ANSA)

Pilati: 57-vjet pas zbulimit të lapidarit të Pilatit, gjindet unaza e tij

57 vjet pas zbulimit të lapidarit ndërtuar nga Ponci Pilat, gjindet unaza e tij, që përdorej edhe si vulë.

R. SH. - Vatikan

Dëshifrohet shkrimi mbi unazën prej bronzi, gjetur në Herodion, fortesa pranë Betlehemit, e përdorur nga romakët dhe nga prefekti, që e dënoi me kryqëzim Krishtin.

Jashtë Ungjijve, të cilët flasin gjerësisht për Poncin Pilat, që e dënoi me vdekje Jezusin e Nazaretit, lajmet për të duhen kërkuar me kandilin e Diogjenit. Por tani  arrin zbulimi, që shton gurin mungues në mozaikun e figurës së tij; mbi një unazë, zbuluar në fund të viteve ’70 në Herodion, fortesë pranë Betlehemit, u arrit, më në fund, të deshifrohet shkrimi, që vërteton se është unaza e Pilatit. Fjalët mbi unazë arritën t’i lexojnë studiuesit izraelitë.

Të katër Ungjijtë, Veprat e Apostujve, historiani Titus Flavius Iosephus   e Taciti, arrijnë në të njëjtin përfundim, sipas të cilit Jezusi u dënua me kryqëzim gjatë administrimit të Judesë nga Ponci Pilat. E këtë informacion e gjejmë të kodifikuar edhe në Besojmë (si në formulën niceno-kostandinopolitane, ashtu edhe në simbolin më të shkurtër të Apostujve). Duke thënë Atynën, pohojmë “U kryqëzua nën Poncin pilat”, ose “Pësoi mundimet nën Poncin pilat”. Mbi bazën  e informacioneve, që na vijnë nga Titus Flavius Iosephus, por edhe nga Filoni, Taciti, Svetoni, Dion Kasi dhe Euzebi, ka shumë mundësi që Pilati ta ketë kryer detyrën e  tij në Jude, ndërmjet viteve 26 e 36, ose shumë-shumë në fillim të vitit 37 pas Krishtit.

Dhjetë vjet janë një periudhë mjaft e gjatë për detyrën e guvernatorit, e kjo na lë të kuptojmë se Pilati pati aftësi të veçanta për t’i nënshtruar  popullsitë, të cilat i qenë besuar nga perandori Tiber. Mbi bazë të të dhënave nga udhëtimet e Shën Palit për përhapjen e krishterimit në Palestinë, si ato për themelimin e Kishës së Antiokisë etj. etj. mund të themi pothuajse me siguri të plotë se Krishti nuk u kryqëzua në vitet e fundit të mandatit të guvernatorit, emri i të cilit përsëritet në shekuj të shekujve nga miliona e miliona besimtarë, në kremtimin e liturgjisë të së dieles e në lutjet e përditshme. Hamendësohet se Krishti - siç shkruan John P. Meier - u kryqëzua  nga fundi i viteve ’20 ose 30 të shekullit I, që vijon të quhet në shekuj, pas Krishtit.

Lapidari i Poncit Pilat u zbulua 57 vjet më parë

Më 1961, një grup arkeologësh italianë, të drejtuar nga Antonio Frova, ndërsa po gërmonin për zbulimin e një teatri romak, pranë kryeqytetit të lashtë të Judesë, Cesarea Marittima, duke rrotulluar njërin nga gurët e këmbës së një shkalle, u kujtuan se në të ishte skalitur mbishkrimi, pjesërisht i dëmtuar:

[DIS AUGUSTI]S TIBERIÉUM

[....PO]NTIUS PILATUS

[...PRAEF]ECTUS IUDA[EA]E

[..FECIT D]E[DICAVIT]

Augustit Tiberium

 ... Ponci Pilat

... prefekt i Judesë

... ia kushton». 

Ka shumë mundësi që  ndërtesa, ku  u gjet mbishkrimi, të ishte fillimisht tempull i ndërtuar në nderim të Tiberit, pikërisht nga Ponci Pilat, gjatë kohës së sundimit në Jude. Mbishkrimi sot ruhet në Muzeun izraelit, në Jeruzalem.

Pak vjet pas zbulimit, më 1968, arkeologu izraelit Gideon Forster, duke punuar në gërmadhat e fortesës së ndërtuar pranë Betlehemit nga Herodi i Madh, ndërmjet mijëra objekteve të gjetura, zbuloi edhe unazën prej bronzi, deshifrimi i së cilës, një gjysëm shekulli më pas, u bë i mundur  pasi u fotografua nga një aparat i fuqishëm fotografik. Eksperimenti përshkruhet në Israel Exploration Journal. Studiuesit  Shua Amurai-Stark e Malcha Hershkovitz mundën të dallojnë mbi unazë, një kupë të rrethuar me emrin e Pilati, shkruar me shkronja greke.

 Daniel R. Schwartz, i Hebrew University të Jeruzalemit, pohon: “Ky emër, ishte tejet i rrallë në ato kohë. Nuk njihet asnjë njeri me emrin Pilat në këtë periudhë e unaza tregon se ai që e mbante, ishte njeri i kamur e me pozitë. Objekti, që me sa duket përdorej edhe si vulë, ëshë i punuar thjeshtë, pa ndërlikime. Rrethanë, që të lë të kuptosh se funksionari romak  e mbante në gisht çdo ditë, e jo vetëm me raste të veçanta.

06 dhjetor 2018, 15:24