Versioni Beta

Cerca

Vatican News
  Zoja e Papërlyer Zoja e Papërlyer 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (nga 29 nëntor deri më 7 dhjetor)

Vijon nëntshja e Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne deri natën e Festës: nëntë ditë. Sot, 1 dhjetor, dita e tretë. Titullohet “Gëzoju e galdo, Bija e Sionit!

R. SH. - Vatikan 

Gëzoju e galdo, Bija e Sionit! Asnjë krijesë nuk qe kurrë më pranë Zotit, sa Ti. Sepse kush ishte më e pastër? Kush, më e paqortueshme? Ç’mrekulli! Në dashurinë e Tij të pamasë për njerëzit, Zoti nuk u turpërua të zgjedhë për Nënë krijesën e vet. Në Marinë vërtetohen fjalët e Zakarisë Profet: “Këndo himne, gëzoju, o bija e Sionit, sepse ja, po vij të banoj në mes teje - thotë Zoti”. E Asaj i drejtohet edhe Joeli profet, kur brohoret: “Mos u tremb, o tokë, po gëzoju e galdo, sepse punë të mëdha bëri Zoti yt”.

Të përshëndes, o Hirplote: vepra jote e emri yt janë gurrë gëzimi, që ia kalon gëzimit vetë. Përmes teje erdhi në botë gëzimi pa mort, Krishti, ilaçi që shëron trishtimin njerëzor! Gëzoju, Parajsa më e lume e kopshtit të Edenit, ku mungulloi çdo virtyt, ku mbiu e u rrit Pema e Jetës,

(Shën Teodori Strudist)

Alma Mater

Maria jetoi një jetë tejet të fshehur; prandaj thirret, nga Shpirti Shenjt e nga Kisha, Alma Mater, Nënë e fshehur e sekrete. Përvujtëria e saj ishte aq e thellë, sa të mos kishte mbi këtë tokë dëshirë tjetër, më të fortë e më të përhershme, sesa të fshihej nga vetvetja e edhe nga të gjithë, për t’u njohur vetëm nga Zoti.

 Zoti, për t’ia plotësuar lutjen që të fshihej e të ishte e varfër dhe e përvuajtur, deshi ta mbante larg nga sytë e pothuajse të gjithëve: në të zënë, në lindje, në misteret e jetës, në ringjallje e në të ngjiturit në qiell. Deri prindërit e saj nuk e njihnin; e engjëjt pyesnin shpesh njëri-tjetrin: “E kush është Ajo?”. I Tejetlarti ua mbante të fshehur edhe atyre, ose, nëse zbulonte ndonjë gjë, pambarimisht më e madhe ishte çka mbante të fshehur.

Lutja:

Të falem M’ri, të thotë bota jote,

të falem, në një zë po të këndojmë,

o Zojë Virgjër, hire-plote.

N’ gëzime e n’ vaje  të kujtojmë

që na i sjellin ditë e mote.

E kur  shkrep i bardhi agim,

e kur muzgu zbret mbi dhe

t’falemi të themi me gëzim.

Ave, vashë-mbretëreshë e re!

T’falemi, sepse përftove,

atë që nuk e zë gjithësia,

mbarë natyrën ti hyjnove,

 e hirplote bijve t’ njeri’t,

prap kurorën ia vendove,

në ballë ua ktheve plot shkëlqim!

01 dhjetor 2018, 13:18