Kërko

 Zoja e Lurdës Zoja e Lurdës 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer IV (29 nëntor- 7 dhjetor)

Vijon nëntshja e Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne deri natën e Festës: nëntë ditë. Sot, 2 dhjetor, dita e katërt, titullohet “Mbi Zojën nuk ka asnjë njollë mëkati!”.

R. SH. - Vatikan

Të zënët pa mëkat të Marisë u propozua në shekuj nga Etërit e Kishës me një mori shprehjesh, që lavdërojnë pastrinë e shenjtërinë e saj abosolute.  Derisa Papa Piu IX, më 8 dhjetor 1854, e shpalli solemnisht si dogmë të fesë katolike.

Ashtu sikurse Krishti, Biri i vetëm i Atit e Biri i Marisë, duke u mishëruar, do t’i paraqitej Zotit si Adam i ri, për ta shpërblyer njerëzimin e përhumbur në skëterrën e mëkatit, ashtu edhe Zoja përfaqësonte Evën e Re, jo më të mashtruar nga djalli, por të shenjtëruar e krejt të papërlyer. Kryevepër e paarritshme! Për të cilën Kryeartisti mendoi që nga amshimi. Në të u përmbush premtimi i parë i Zotit në Parajsën e tokës: “Një grua  - i pati thënë gjarpërit helmatisës - do të ta ndrydhë kokën”. Në të Zënët e Zojës njerëzimi pa Juditën e Besëlidhjes së Re, lumturinë e Jeruzalemit të rindërtuar, gëzimin e Izraelit të rilindur. Vërtet - punë të mëdha e të bindshme kreu Zotit në Zojën. Vetëm Atë, ndërmjet miliarda njerëzve, që vijnë e shkojnë në këtë botë, e veshi me petka shpëtimi, e mbështolli me mantel drejtësie e shenjtërie, ia stolisi ballin me kurorë vezulluese yjesh e nuk lejoi për asnjë çast të vetëm, që djalli të kishte pushtet mbi të e të gëzohej duke e vënë nën thembër, ashtu si pasardhësit e tjerë të Adamit!

E bekuar je, o Mari, prej të lartit Zot, mbi të gjitha gratë e tokës. Krejt e bukur je - e mbi ty nuk ka asnjë njollë mëkati!

Lutja

O ju të gjithë, qi në Shqiptari,

M’katër vend Kryqin e bâni,

Siellnju sot prej Zojet Mri

E nji zemre e nji zani,

Kangë e valle Asajë t’i kndoni,

Shpirt e zêmer t’ia kushtoni!

Në ket’ ndandçë te lteri i saj

Krej stolisë me drandofille,

Plot me Fé, Dashtni e Uzdajë,

Prej së Lumes (qi prej qielle,

U kje dhanun për Pajtore),

Lypni hir e lypni ndore.……

Tjetër strehë né s’na ka mbetun,

Per me u strukun n’ ditë mjerimit,

As nuk kemi kûj m’i u pshtetun,

Nder tallaze të desprimit!

Posë njasajë së Lumes Nanë

Qi âsht si dritë e âsht si hanë.

Ajo, po, ndër hallet t’ona,

Tash na njet doren ndimtare,

Se si heret, si ne e vona,

Asht diftue njimend shqiptare.

Vetë përherë i ka bâ hije

Ksajë së hijshmes tokë Shqypnije!1

 

 1 Marrë nga Atë Gjergj Fishta, Vallja e Parrizit,  Shkodër, 1925, fq 33-34

02 dhjetor 2018, 14:00