Kërko

 Zoja e Fatimës Zoja e Fatimës 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (29 nëntor - 7 dhjetor) dita VIII

Dita e tetë dhe e parafundit e nëntëditshes së Zojës së Papërlyer. I kushtohet Zojës, “Nëna e Krishtit e Nëna jonë!”.

R: SH. - Vatikan

I tronditur rëndë nga rreziqet e kësaj jete, që shpesh ka më shumë lot se gëzime, njeriu kërkon etshëm një strehë, nën të cilën të mund të struket në ditë rrebeshesh. Kërkon gëzim, mes lotësh; breg, mes dallgësh; dritë, mes errësirës. Kërkon dorën e nënës në rrëzime, si në ditët e miturisë. Çdo njeri, deshi s’deshi, e ndjen në shpirt se veç nënës e atit, që e nxorën në dritën e kësaj bote, ka edhe një Atë e një Nënë qiellore,  gati për t’ia shtrirë dorën në ditë të kthjellta e të zymta. Këtë na kujton dita e parafundit e nëntshes kushtuar Zojës së Papërlyer.

Jemi bij të Hyjit e të Marisë

Ashtu si në krijimin natyror e në atë njerëzor është një baba e një nënë, edhe në krijimin e mbinatyrshëm e shpirtëror është një baba, Hyji e një nënë, Maria. Të gjithë bijtë e vërtetë të Hyjit e besimtarët e vërtetë  kanë atë Hyjin e nënë, Marinë. Kush nuk e ka nënë Marinë, nuk e ka as Hyjin atë. Prandaj ata, që nuk besojnë, që e urrejnë, e përbuzin ose nuk e përfillin  Marinë, nuk mund ta kenë Hyjin atë, sepse nuk e kanë nënë Marinë: po ta kishin Nënë, do ta donin e do ta nderonin, ashtu si biri i denjë që, natyrisht, e do dhe e nderon nënën e vet, që i dhuroi jetën.  

Maria, peng i besës lidhur qielli me njeriun

 

Maria, në të cilën mbiu Fjala e Zotit, është edhe peng i besës, që lidhi qielli me njeriun. Prej këndej poetët me të drejtë e quajnë “Pasqyrë e mendjes prej kah rrjedh jeta”, e asaj Mendjeje, që i ngarkoi Virgjërës së përvuajtur të Nazaretit detyra, të cilat nuk mund t’i përfshijë arsyeja. Mund t’i përfshijë vetëm zemra njerëzore. Këtë na nxit të meditojmë kjo ditë e parafundit e Nëntshes kushtuar Zojës së Papërlyer,

Lutja:

As dëbora nuk është

më e bardhë se ti!

As tingujt, më të këndshëm

se kënga jote,

o e Papërlyer,

mbi djepin e Hyjnisë!

Njerëzit veshimtë

i dëgjojnë tingujt

e shohin symbyllur

Shpellën e shkretë t’ Betlehemit:

Me mija vjet larg nesh,

e mija, pranë,

Pse shpella gjindet kudo,

e  kudo grazhdi,

e gjindet Nëna e Zotit,

mbi krye të gjitha ferishteve:

“Dorë që lëmon ëmbël

burime tingujsh

përmbi mjerimet tona

e mbi lumninë, që na pret!”.

06 dhjetor 2018, 15:31