Kërko

 Mozaiku i Zojës totus tuus Mozaiku i Zojës totus tuus 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (29 nëntor - 7 dhjetor) dita VII

Dita e shtatë e nëntëditshes së Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne deri natën e Festës, më 7 dhjetor. E pastaj, edhe Festën, me Papën Françesku, që do të shkojë, si çdo vit, në Sheshin romak të Spanjës, për të nderuar Të Papëlyerën.

Vijojmë nëntëditshen kushtuar Zojës së Papërlyer, titulluar sot: “Maria në Kishën Shenjte”. Titull që na kujton praninë e Marisë në Kishën e të gjitha kohërave, për virtyt të vetë të ShenjtnueshmesTrini.

Tri Vetjet e Trinisë dhe Maria

Qëndrimi që mbajtën Tri Vetjet e Trinisë në Mishërimin e në ardhjen e parë të Jezusit, vijon çdo ditë, në mënyrë të padukshme, në Kishën shenjte, që ata do ta ruajnë deri në të sosur të shekujve, në ardhjen e fundme të Krishtit.

Maria, thesari i Zotit

 Hyji Atë mblodhi një masë ujërash, e i quajti det; mblodhi bashkë të gjitha hiret, e i quajti Mari. Mblodhi burra e gra që ia kushtuan e vijojnë t’ia kushtojnë gjithë jetën, e i quajti Kishë. Dhe ia besoi Marisë, që shenjtorët e quajnë thesari i Zotit e që i pasuron njerëzit, të cilët i kushtohen sinqerisht, me begatinë e hireve të saj.

Maria, Nënë e të zgjedhurve të Zotit

 Shpirti i Shenjtë Hyj dëshiron të formojë të zgjedhur në Marinë e përmes saj. E i thotë: “Lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi. E shumëdashura Vasha ime, lëshoi rrënjët e të gjitha virtyteve tuaja në ta, që të rriten nga virtyti në virtyt, nga hiri në hir. Unë gjeta shumë kënaqësi në ty, kur jetoje mbi tokë, duke praktikuar virtytet  më të larta, që dëshiroj t’i gjej ende përmbi dhe. Prandaj ti duhet t’i ripërftosh të zgjedhurit e mi; që unë të shoh, me kënaqësi ndër ta, rrënjët e fesë sate të patundur, të përvujtërisë së thellë, të përuljes universale, të uratës së përkryer, të dashurisë së valë, të shpresës së thellë e të të gjitha vityteve. Ti mbetesh përgjithnjë amë bijsh më shumë se kurrë: feja jote më dhëntë besnikë; pastria jote, virgjëra; pjelloria jote, të zgjedhur për tempujt e Hyjit”.

Rojtare e thesareve

 Hyji Bir i përcolli Nënës gjithçka fitoi me jetën e Tij e me vdekjen e Tij, meritat e Tij të pafundme e virtytet e Tij të mahnitshme; e e caktoi rojtare të thesareve, që ia la trashëgim Ati; përmes saj ia jep meritat e Tij gjymtyrëve të veta, ua përcjell virtytet, ua shpërndan hiret. Ajo është rava e tij misterioze; lugu i kroit të tij, përmes të cilit përdëllimet e Zotit rrjedhin ëmbëlsisht e begatisht në Kishë.

Ndaj nga të gjitha kishat që lartohen mbi dhe, ngrihet drejt qiellit brohoria:

 “Të falemi Mari, Zojë e Virgjër Hirplote!

Të falemi, kur drita zbardh e kur erret nata!

Të falemi ty, që na e ktheve përsëri në ballë kurorën plot me shkëlqim të njeriut të shëlbuar!”.

Lutja:

O Virgjër, Nënë, në dorë tënde e lëshojmë krejt Kishën!

Ta porosim ty, që thirresh “ndihmë e barinjve”.

Mbroji e ndihmoi në misionin e tyre apostolik,

ipeshkvij, meshtarë, rregullatarë, laikë…!

Kujtoi para Zotit lutjet e tyre!

Ruaja fenë, fuqizoja shpresën, shtoja dashurinë!

Kujtoi ata, që kalojnë çaste të vështira, që kanë nevojë, që ndodhen në rrezik!

Mos i lësho dore ata, që persekutohen a janë në pranga për dashuri të Birit tënd!

Premto të qëndrojnë deri ditën kur, të çliruar nga Kalvari i tyre, të mund të bashkojnë zërat me korin vigan të besimtarëve, që të këndojnë njëzëri: “Të falemi Mari, hirplote!”.

05 dhjetor 2018, 15:18