Kërko

 Zoja e Zënë pa Mëkat Zoja e Zënë pa Mëkat 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (29 nëntor - 7 dhjetor) dita VI

Dita e gjashtë e nëntshes së Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne deri natën e Festës: nëntë ditë. Sot titullohet “Vegim Parrizi”

S’ka gjë më të mirë se ti, o Vashë-Nuse! Në ty s’ka kurrnjë njollë. Emri yt, balsam që ajrin mbushë! Je kopsht i thurur e krua i kyçur e përrua që lag kopshtijet. E je burim me ujë të gjallë, që gurgullon nga Libani, o më e bukura ndër gra. Hijerëndë, porsi Jeruzalemi, trimëreshë, si aradhet e ushtrisë me flamuj shpalosë për luftë. Ti në horizont del porsi agimi, e hijshme porsi hëna, si dielli e shndritshme! Vegim Parrizi!

(Sipas Këngës së Këngëve)

Maria, dritë e rrezes së amshuar

Sado të flasësh për Marinë, nuk mjafton; sado ta lavdërosh, nuk është shumë, sado t’i lutesh, nuk është tepër…Ajo është dritë e rrezes së amshuar; gurrë e gjallë, që  gurgullon në vërrije të blerta të qiellit, Grua e folme prej amshimit…Këtë na kujton, dita e gjashtë e nëntshes së  Zojës së Papërlyer.

Maria meriton më të lartat lavde

 Sado të flasësh për Marinë, nuk mjafton. Maria nuk lavdërohet kurrë si e sa duhet, nuk  lartohet, nuk nderohet, nuk duhet as nuk shërbehet kurrë, aq sa meriton. Sepse Ajo meriton më të lartat lavde, nderime, dashuri, përkushtime.

Lutja:

Të falemi Mari, hirplote, më e shenjta ndërmjet shenjtorëve, më  e lartuara ndër qiej, më e lumnueshjma ndërmjet engjëjve. Të falemi, më e nderuara se çdo krijesë!

Të falem! Parajsë qiellore, zëmbak i bardhë, trëndafil plot me aromë,  që hap petalet për t’i shëruar të vdekshmit!

Të falem, Tempull i panjollë i Hyjit,

ndërtuar shenjtërisht, stolisur me madhështi hyjnore,

 i hapur për të gjithë! Oazë  kënaqësish mistike.

Të falem, e Papërlyer, Virgjër e Nënë!

E denjë për lavd e nderim, fiskajë ujërash, thesar pafajnie, shkëlqim shenjtërie. Mari, na prij në limanin e paqes e të shpëtimit, për lumni të Krishtit, që jeton në amshim me Atin e me Shpirtin Shenjt. Amen!

(Shën Gjermani)

04 dhjetor 2018, 16:15