Kërko

 Vetratë kushtuar Zojës së Papërlyer Vetratë kushtuar Zojës së Papërlyer 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (29 nëntor - 7 dhjetor) dita V

Dita e pestë e nëntshes së Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne deri natën e Festës: nëntë ditë. Titullohet “E bukur, si hëna”

“Një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diell, me hënën nën këmbë;  mbi krye, një kurorë me dymbëdhjetë yje”.

Kush është ajo, që lind si agimi, e bukur si hëna, shkreptimtare si dielli, e tmerrshme si radhët e ushtrisë gatitë për betejë?

Gjithçka shpall mrekullitë e Marisë

Çdo ditë, nga një skaj i tokës, në tjetrin, prej më të lartit qiell e deri në humnerat e thella, gjithçka predikon, gjithçka shpall pambarimisht mrekullitë e Marisë. Koret e engjëjve, burra e gra, të çdo moshe, shtrese, feje, të mirë e të këqij, e deri demonët, duan s’duan, e shpallin të lume, të detyruar nga vetë e vërteta. Mbarë aradhet e engjëjve të qiellit shpallin pa pushim: “Shenjte, Shenjte, Shenjte është Maria, Virgjër e Nënë e Hyjit”. E miliona e miliona herë në ditë, i drejtojnë përshëndetjen engjëllore; “Të falemi Mari…”, e i përkulen para, duke i kërkuar, si hir, t’i nderojë me një urdhër dalë nga goja e saj. Deri Shën Mëhilli, ndonëse prijës i të gjitha aradheve qiellore, është më i zellshmi për t’i bërë ai, e edhe të tjerët, të gjitha nderimet e mundshme, përherë në pritje për të pasur nderin të shkojë, sipas urdhërit të Marisë, në shërbim të ndonjerit nga shërbëtorët e saj.

Toka mbarë është plot me lavdinë Tënde

Toka mbarë është plot me lavdinë e Zojës; e lavdiplote është posaçërisht ndër të krishterë, ku u zgjodh pajtore e dalazotëse mbretërísh, provincash, dioqezash, qytetesh. Një mori katedralesh i kushtohen Zotit, në emër të saj. Nuk ka kishë, pa një altar në nder të Marisë; nuk ka rrugë a lagje, që të mos ketë një fugure mrekullibërëse të asaj, që largon çdo të ligë e dhuron çdo mirësi. Sa sivëllezëri e shoqata, në nder të Marisë! Sa rregulltarë e rregulltare të kongregatave të ndryshme shpallin lavdinë e saj e flasin për mëshirën e saj! Nuk ka fëmijë, që të mos e lavdërojë, sapo nis të bëlbëzojë Falemimërinë; e as mëkatar që, me gjithë kokëfortësinë e tij, nuk e ka në zemër një shkëndijë besimi në të; e s’ka demon të fundit të ferrit, që të mos e respektojë, duke u dridhur nga frika.

Lutja

O Mari, diell i gjithësisë,

Ti jetën e zgjon

në kufijtë e ndaluar

mes qiellit e dheut,

e shpirtrat ndihmon,

t’arrijnë të paarritshmen:

një rreze të ndritshme

nga yjet e tua!

Mari, Nënë e Zotit

e bukur, si hëna,

e ndritshme, si yjet,

më e bardhë se vetë dëbora,

e fortë, si ushtria

gatitë për betejë,

që s’është betejë mërie,

Po sulm dashurie!

Me gishtat e mësuar,

ti tingujt i lëmon

në token e re,

në qiellin e ri

e vajin e botës,

e bën melodi!

03 dhjetor 2018, 15:13