Kërko

Nënë Tereza Nënë Tereza 

Në Grosseto, famulli e re kushtuar Nënë Terezës

Dje pasdite, festë e fesë dhe e popullit në Grosseto të Italisë për kushtimin e një kishe të re Nënë Terezës, në zonën e Kalasë së qytetit.

R.SH. - Vatikan

Në ritin, që zgjati rreth tre orë, bashkëkremtuar nga më se 30 meshtarë, morën pjesë 700 vetë. Të pranishëm, edhe autoritetet civile e ushtarake. Fëmijët, së bashku me një të re, në rolin e Nënë Terezës, kënduan dhe kërcyen sipas koreografisë së dramës muzikore “Lapsi i Zotit”, kushtuar jetës së shenjtes shqiptare. Në fund, lëshuan në qiell tullumbace bardh e blu, në formën e rruzares. Famullitari i kësaj kishe të re është shqiptar. Quhet don Marjan Gjini.

Të ndjekim shembullin e Nënë Terezës

         Ipeshkvi i Grossetos, imzot Rodolfo Cetoloni, u kërkoi të pranishmëve, në homeli, të marrin shembull nga Nënë Tereza, “e cila e ka çuar Zotin-dashuri tek të gjithë, tek më të mënjanuarit, tek të braktisurit, tek të flakurit e çdo qytetërimi!” Në përfundim të kremtimit, të pranishmëve iu dhanë dy dhurata: numri i veçantë i “Revistës dioqezane”, krejtësisht kushtuar kompleksit të ri famullitar dhe një qese bardh e blu me disa bajame me sheqer, që shpërndahen nëpër dasma, për të nënvizuar se Kisha është nuse, ndërsa fëmijët përshëndetnin me këngë.

03 dhjetor 2018, 18:55