Kërko

Shenjtërorja e Zojёs sё Bekuar nё Loreto tё Italisë Shenjtërorja e Zojёs sё Bekuar nё Loreto tё Italisë 

Me 10 dhjetor kalendari kremton festёn e Zojёs sё Loretos

Jemi para Shtëpisë së vërtetë të Nazaretit, para këtij vendi, prej nga vjen mesazhi i heshtur i Marisë, që i ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit! Emri i Loretos lidhet ngushtë me Shenjtën Nënë Terezë. 18 vjeçe, Ajo vendosi të hyjë në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos.

Sot mё 10 dhjetor në Shenjtëroren mariane të Loretos, nё Itali, pёrkujtohet e kremtohet, si çdo vit Ardhja e Shtëpisë Shenjte tё Zojёs Mari nё Nazaret.

Kur shtegton në Loreto, nuk mund të mos prekesh thellë nga historia e nga pamja madhështore e shenjtërores. Zemra e kësaj oaze mariane është një shtëpi, sipas traditës, vetë shtëpia ku jetoi Virgjëra Mari.

Sipas traditës, Shtëpia e Zojës në Nazaret, e përbërë nga tre mure të thjeshta guri, mbështetur në hyrje të një shpelle të zgavruar në shkëmb, pas dëbimit të të krishterëve nga Palestina nga ana e myslimanëve, u shpëtua prej rrënimit të sigurtë e përfundimtar dhe, në vitin 1291 u mbart në Tersat, në Kroacinë e sotme; ndërsa më 10 dhjetor 1294, pas një mbartjeje të dytë, u vendos në Loreto, nё Itali, ku vijon të jetë edhe sot.

Kur flasim për Shtëpinë Shenjte, për këto tre mure misterioze, duhet të kujtojmë gjithnjë se ajo, që tradita popullore ka menduar, ka besuar e ka dashur deri tani, bëhet gjithnjë më tepër një realitet historik e arkelologjik. Jemi, pra, para Shtëpisë së vërtetë të Nazaretit, gjë që na e forcon edhe më shumë mahnitjen para këtij vendi, prej nga vjen mesazhi i heshtur i Marisë, që i ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit!

Shenjtorja e Loretos ka të veçantë se na kujton Zbulimin e vlerës së Mishërimit të Birit të Hyjit, Jezu Krishti. Natyrisht, ajo e Loretos është Shenjtërore mariane, por njëkohësisht, edhe Shenjtërore kristologjike. Shenjtëroret lindin rreth një fenomeni të jashtëzakonshëm, që mund të jetë një dukje, ose një zbulesë, por mund të lindin edhe rreth një figure, ndërsa Loreto është ndryshe, sepse Shenjtërorja lindi rreth një shtëpie. Vërtetë figura e Zojës së Loretos, aq tipike, aq e njohur, është shumë e dashur e shumë popullore. Por nuk është Zoja e Loretos qendër e Shenjtërores. Qendër janë ato tri faqe muri, që panë takimin e Engjëllit tё Zotit me MarinëVirgjёr. Që e ruajnë këtë kujtim!

Ku banon Zoti, duhet ta pranojmë se jemi të gjithë në shtëpi tonë; ku banon Krishti, vëllezërit e motrat e Tij nuk janë më të huaj. Maria, Nëna e Krishtit, e edhe Nëna jonë, na hap portën e shtëpisë së saj, na prin për të hyrë në vullnetin e Birit të saj.
Ja, ky është mësimi më i çmuar, që mund të nxëmë në Loreto. Feja na bën të banojmë, të rrijmë në këtë shtëpi, por edhe të ecim në udhët e jetës.

Por shtëpia e Loretos, na jep edhe një mësim tjetër: kjo shtëpi qe e vendosur në një rrugë. Mesazh i rëndësishëm, ky.
Nuk është shtëpi private, nuk i përket një njeriu a një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë, në rrugën ku kalojmë të gjithë ne. Atëherë mund të themi se këtu, në Loreto, gjejmë një shtëpi, që na bën të rrijmë, të banojmë, e njëkohësisht, të ecim; na kujton se jemi të gjithë shtegtarë, për udhë drejt një banese tjetër, drejt shtëpisë së fundme, drejt Qytetit të amshuar, banesës së Hyjit me njerëzimin e shpërblyer.

Por nuk duhet harruar kurrë se për ta hapur portën e kësaj shtëpie, për t’i hapur portat e Zotit, duhet t’i themi ‘po’, lirisht, ashtu si bëri Maria. Zoti, kërkon pranimin e lirë të Marisë, për t’u bërë njeri. E sigurisht ‘po’-ja e Marisë është fryt i hirit hyjnor. Por hiri i Zotit nuk e zhduk lirinë, përkundrazi, e krijon dhe e mbështet. Feja nuk i heq asgjë krijesës njerëzore, përkundrazi, i siguron kushtet për realizimin e plotë e përfundimtar

Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e Marisë Virgjёr, në çastin kur Ajo iu përgjigj "po" engjëllit tё Zotit, filloi ngjarja më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Hyji. Zoti u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe mund t'i ndodhte njeriut? E kjo ngjarje e mahnitshme kremtohet sot, duke kënduar himin e “Madhёrimit” - "Magnificat" - "Zemra ime madhëron Zotin"! që jehoi përsëri ndërmjet mureve të lashta, shoqëruar me lutjen, drejtuar Nënës së Zotit: "O Mari, në zemrën tënde jeton përgjithnjë kujtimi i ditës së madhe kur the "Po". Ti kthehesh pambarimisht në shtëpinë e vogël të Nazaretit dhe mahnitesh përpara Kryeengjëllit Gabriel, që të sjell lajmin se Zoti dëshiron të bëhet njeri, si ne. E sot ne hyjmë në zemrën tënde, për të shijuar mrekullinë që provove atë ditë sa të largët, aq të afërt, ditën kur the "po". Dëshirojmë të jetë dita e "po" sonë, e ta themi së bashku me ty, o Mari!".

Ajo që, në përshpirtërinë e popullit të krishterë, është shtëpia e përvuajtur e Marisë dhe e Familjes Shenjte, burim i kujtesës së gjallë të Lajmërimit të Zojës dhe të misterit të Mishërimit të Hyjit, është vend shpirtëror e simbolikisht shumë i përshtatshëm për t’u përgatitur për këtë kohë tё Ardhjes së misterit tё Krishtlindjes dhe tё kumtimit tё kёtij Lajmi tё Mirё në botën e sotme.

E, së fundi, kujtojmë se emri i Loretos lidhet ngushtë me Shenjtën Nënë Terezë. 18 vjeçe, Ajo vendosi të hyjë në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos. Ndërsa duke nisur nga viti 1928, për më se 20 vjet, dha mësimin e historisë e të gjeografisë në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës.
 

10 dhjetor 2018, 09:21