Cerca

Vatican News
20171204_BAV_Pal.lat.537_0252_fa_0125v_PADRE NOSTRO.jpg 20171204_BAV_Pal.lat.537_0252_fa_0125v_PADRE NOSTRO.jpg  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Lutja "Ati ynë", sipas shën Agostinit

Shën Agostini në Letrat drejtuar Probës, na udhëheq nëpër frazat e“Atynës”, na ndihmon ta kuptojmë siç duhet: “Për ne, fjalët janë të nevojshme, dhe kuptojmë se ç’i kërkojmë Zotit, por të mos kujtojmë se me këto fjalë mund t’i sugjerojmë ndonjë gjë Zotit, ose ta detyrojmë të bëjë vullnetin tonë".

Lutja apo urata është themelore për jetën shpirtërore të njeriut. Këtë na mëson e porosit Kisha. Lutja është një pik themelore referimi për rritjen tonë shpirtërore e kështu po i kthehemi temës së lutjes  së “Atynës” me fjalët e shën Agostinit, ipeshkëv të Iponës, e pikërisht me ndihmën e këtij teologu e filozofi, të ndalemi te kuptimi që ka “lutja” për të krishterët e t'i përshkojmë fjalët e lutjes së “Atynës”  që Jezusi ua mësoi dishepujve.

Në “Letrën për Probën”, shën Agostini i Iponës thotë qartë se çdo njeri e ka brenda vetes dëshirën për t’u lutur. Në praktikën asketike është e njohur “lutja e vazhdueshme”, e cila e impenjon njeriun ditë e natë, me një frazë, sa të shkurtër, aq domethënëse: “O Zot, Jezu Krisht, ki mëshirë për mua!”

Kështu, vetë jeta e njeriut kthehet në lutje, siç thoshte Shën Pali Apostull, i cili në Letrën e parë drejtuar Selanikasve, i këshillon: “Lutuni pa u ndalur”(5,17). Për shën Agostinin, kjo frazë do të thotë: “Dëshironi, pa u lodhur, të merrni si dhuratë prej Atij, i vetmi që mund t’ua japë, jetën e lumnueshme, e cila s’është tjetër, veçse jeta e amshuar”(Letra 130, Agostini Probes, 8, 15-9, 18, f. 89-93).

Por një shprehje e Jezu Krishtit në Ungjillin e shën Mateut, na paralajmëron të mos themi fjalë të kota në lutje, sepse Zoti e di mirë për çfarë kemi nevojë: “Kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë”(6,7). Është pikërisht në këtë çast, që Krishti u mëson dishepujve të vet lutjen kryesore të krishterimit “Atë Ynë-n”.

Shën Agostini, gjithnjë në Letrat drejtuar Probës, na udhëheq nëpër frazat e“Atynës”, duke na ndihmuar ta kuptojmë drejt atë: “Për ne, fjalët janë të nevojshme, sepse kështu i thërrasim mendjes dhe kuptojmë se ç’i kërkojmë Zotit, por të mos kujtojmë se me këto fjalë mund t’i sugjerojmë ndonjë gjë Hyjit, ose ta detyrojmë të bëjë vullnetin tonë".

Kur themi: “U shenjtëroftë emri Yt”, e nxisim vetveten të dëshirojmë që emri i Hyjit, i cili është gjithmonë i shenjtë, të konsiderohet i shenjtë edhe në mesin e njerëzve, të mos përçmohet, gjë kjo, që nuk i sjell përfitime Zotit, por njerëzve.

Kur themi: “Ardhtë Mbretëria Jote”, e cila do të vijë pa tjetër, duam-s’duam ne, e nxisim veten ta dëshirojmë atë mbretëri, që të vijë për ne e të jemi të denjë për të.

Kur themi: “U bëftë Vullnesa Jote si në qiell ashtu dhe në tokë”, ne i kërkojmë Zotit të jemi të gatshëm e të bindur për të zbatuar vullnetin e Tij, në atë mënyrë, që ia zbatojnë engjëjt e qiellit.

Kur themi: “Bukën tonë të përditshme, na e jep sot”, me fjalën “sot”, kuptojmë “kohën e tashme”, në të cilën ose kërkojmë të gjitha gjërat e mjaftueshme për të jetuar, më e rëndësishmja prej të cilave është “buka”, ose dëshirojmë sakramentin e besimtarëve, që është i nevojshëm në këtë jetë, për të arritur lumturinë, jo të kësaj bote, por të botës së amshuar.

Kur themi: “Na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë”, i thërrasim mendjes se duhet të bëjmë diçka për ta merituar këtë hir.

Kur themi: “Mos na le të biem në tundim”, kërkojmë që të mos na gënjejnë e të mos biem në tundim e në dhimbje, kur na duket se na mungon ndihma hyjnore.

Kur themi: “Na liro nga e keqja”, i kujtojmë vetes se akoma nuk e zotërojmë të mirën, në të cilën nuk do të vuajmë asnjë të keqe.

Fjalët e fundit të lutjes së Zotit kanë një kuptim kaq të madh, sa çdo i krishterë, në çdo lloj mundimi, kur i shqipton, loton e gjëmon, por këtu fillon, këtu ndalet e këtu përfundon lutja e tij… Fjalët e tjera që themi… nuk shprehin tjetër, veçse gjithçka përmbahet në lutjen, që na ka mësuar Zoti, nëse e themi mirë e si duhet. Kush thotë gjëra, që s’kanë të bëjnë me këtë lutje ungjillore, …lutet sipas kërkesave të trupit… të rilindurit në Shpirtin Shenjt duhet të luten vetëm sipas kërkesave të shpirtit”, përfundon shën Agostini (Letra 130, Agostini Probes, 11, 21-12, 22, f. 93-95).

12 dhjetor 2018, 11:02