Kërko

Van Dyck. Mostra: Van Dyck e i suoi amici. Fiamminghi a Genova 1600-1640, Genova, Palazzo della Meridiana, 9 febbraio – 10 giugno 2018 Van Dyck. Mostra: Van Dyck e i suoi amici. Fiamminghi a Genova 1600-1640, Genova, Palazzo della Meridiana, 9 febbraio – 10 giugno 2018 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Familjes së Shenjtë

Familja Shenjte e Nazaretit është model i virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme për të gjitha familjet e krishtera. Në familje njeriu zbulon marrëdhëniet me të tjerët, jo si individ i pavarur, por si bir, si bashkëshort, si prind, identiteti i të cilit bazohet në thirrjen për të dashur, për të marrë nga të tjerët e për t’ua dhuruar vetveten të tjerëve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, këtë herë dëgjojmë dhe meditojmë leximet biblike të festës së Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Familjes së Shenjtë

Në kundrimin e familjes së Jezusit, leximet biblike të kësaj së diele e orientojnë vëmendjen tonë ndaj misterit të të Birit, duke treguar në mënyrë të ndryshme se si ky realitet është i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhëniet tona me Zotin.  Shembulli i Familjes së Shenjtë na kujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë në familjen universale të Hyjit Atë e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi.

Familja e Virgjërës Mari, e Shën Jozefit dhe e Krishtit Fëmijë, që njihet si Familja Shenjte e Nazaretit, është model i virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme për të gjitha familjet e krishtera. Duke hyrë në misterin e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të marrim mësime që sot, më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë njerëzore themele të shëndosha: mësimet e paqes, të pajtimit e të dashurisë.

Sa do të dëshironim që paqja, pajtimi e dashuria e Shtëpisë së Nazaretit të mos i mungonin asnjërës prej familjeve të sotme. T’i lutemi, prandaj Zotit, që të gjithë prindërit e krishterë të jenë të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm për detyrën dhe misionin e tyre të pazëvendësueshme e tejet të rëndësishëm si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj shoqërisë, sepse nga ata pritet një dëshmi e vërtetë dhe e fuqishme ungjillore.

Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore. Në familje njeriu zbulon marrëdhëniet me të tjerët, jo si individ i pavarur, por si bir, si bashkëshort, si prind, identiteti i të cilit bazohet në thirrjen për të dashur, për të marrë nga të tjerët e për t’ua dhuruar vetveten të tjerëve.

Të lutemi para fugurës së Familjes Shenjte, duke i kërkuar të na e bëjë të dukshme veprën e Provanisë Hyjnore në jetën tonë të përditshme, t’i shndërrojë familjet në kisha shtëpiake, duke ua shtuar dëshirën e impenjimin për shenjtërimin e jetës.

O Familje Shenjte e Nazaretit,
ringjalle në shoqërinë tonë, vetëdijen
për karakterin e shenjtë e të padhunueshëm të familjes,
pasuri e paçmuar dhe e pazëvendësueshme.
Çdo familje të jetë banesë mikpritëse e mirësisë dhe e paqes!

                                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë 1 Sam 1, 20-22.24-28

Ana, shumë vite pa fëmijë, është e ndërgjegjshme se Samueli iu dhurua nga Zoti si përgjigje e lutjes së saj. Për këtë së bashku me burrin shkon për të kushtuar të birin në shërbim të tempullit. Çdo fëmijë është një dhuratë e Hyjit.

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Brenda vitit, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë.” Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.
Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit.” Dhe adhuruan Zotin. Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzëne e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”.
Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”. Dhe adhuruan Zotin. Fjala e Zotit.

Psalmi 84

Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

----------
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh.
----------
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
----------
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jeruzalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
----------

Leximi i dytë 1 Gjon 3, 1-2. 21-24

Përtej familjes së shenjtë të formuar nga Jezusi, Jozefi dhe Maria është një familje më e madhe hyjnore: Hyji është Ati, Biri është i parëlinduri i një shumice vëllezërish që Shpirti Shenjt i bashkon në besim dhe mirësi.

Lexim prej Letrës së parë të Gjonit

Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.  Fjala e Zotit.

 Ungjilli Lk 2, 41-52
Mes dijetarësh të tempullit shfaqet për herë të parë “misteri i Jezusit”. Maria, e ëma, është e tronditur nga humbja e Jezusit dhe mbetet e mahnitur nga përgjigjja e Jezusit. Rrugët e Hyjit nuk janë tonat dhe ndonjëherë na habitin. Jezusi kthehet në Nazaret dhe për 18 vjet jeton nën kujdesin e prindërve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai u përgjigji: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë.
Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve. Fjala e Zotit.

28 dhjetor 2018, 15:47