Kërko

2018.11.30 Presepe Ossana 2018.11.30 Presepe Ossana 

Koha Ardhjes, ecje drejt Krishtlindjes

Gjatë ditëve të Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na ndihmon t’ia përgatisim vendin në zemrat tona Zotit, që vjen në kohë, në histori e në natyrën tonë njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Jemi në Kohën e Ardhjes, në periudhën përgatitore për Lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit. Koha Ardhjes, është ecje drejt Krishtlindjes.Në udhëtimin e shpirtit, secili prej nesh përpiqet të thellohet më tepër në misterin e jetës dhe të mësojë të vërtetat e përjetshme, që hedhin dritë mbi të dhe mbi qëllimin e saj. Periudha përgatitore e Ardhjes, para Krishtlindjes, na jep mësime të çmuara dhe drejtimin e duhur për pritjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Le të udhëtojmë së bashku përgjatë kësaj periudhe që të ndriçohemi prej mësimeve jetëdhënëse të Kishës.

Periudha e Krishtlindjes në Kishën Katolike fillon me Ardhjen, e cila zgjat katër javë e, nis me thirrjen “të rrimë zgjuar e të përgatitemi për Ardhjen e Zotit”. Koha liturgjike e Ardhjes është kohë e thirrjes nga ana e Jezusit Zot e Shpëtimtar. Ai na fton të shkojmë ta shohim, ta takojmë.

Së pari, ne duhet të shohim Krishtin - njeri. Duhet ta njohim si qenie konkrete njerëzore, hebre, mësues, profet. Ta takojmë si Foshnjën e Marisë, si birin e marangozit, si nazaretasin. Më pas, pasi sytë tanë të hapen dhe zemrat të pastrohen, do të shohim “gjëra më të mëdha”. Ne do ta njohim jo thjesht si një mësues, por si Mësuesin, jo thjesht si një profet, por si Profetin, jo thjesht si një bir njeriu, por si Birin e njeriut, të parafolur nga profetët. Do ta shohim jo thjesht si një bir i Hyjit, por si Birin e Hyjit, i Lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Ne do ta shohim si Fjalë e Zotit në trup njerëzor, si Ikonë e Hyjit në formë njerëzore. Dhe së fundi, do ta shohim Atë si vetë Hyjin.

Hapi i parë në udhëtimin drejt Krishtlindjes është takimi me njeriun Jezus. Nëse dëshirojmë vertet të shkojmë, me siguri edhe do të shohim. Ashtu si Filipi e Natanaeli, që në Ungjillin e Shën Gjonit, shkojnë për të parë nëse mund të vinte gjë e mirë nga Nazareti, edhe ne, sipas premtimit të Krishtit, do të shohim “gjëra më të mëdha” nga sa presim. Do ta njohim se kush dhe çfarë është Ai në të vërtetë. Së pari duhet të shkojmë. Nëse nuk shkojmë, nëse nuk nisemi udhës, që na çon në Betlehem, nuk do ta shohim kurrë Hyjin e Mishëruar për shpëtimin tonë.

Gjatë ditëve të Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na ndihmon t’ia përgatisim vendin në zemrat tona Zotit, që vjen në kohë, në histori e në natyrën tonë njerëzore.  Jezu Krishti, Biri, Fjala e Hyjit është formuar fizikisht e shpirtërisht në trupin e Marisë, kështu që Ai mund të formohet edhe në ne. Ky është kuptimi i Krishtlindjes, i cili është dhe kuptimi i vetë jetës: Krishti në ne dhe ne në Krishtin. Hyji me ne dhe ne me Hyjin.

Ndërsa fillojmë udhëtimin drejt Krishtlindjes, rruga para nesh është e qartë. Ne mund të ndjekim “rrugën e ngushtë” që na çon te jeta, ose mund të vazhdojmë “rrugën e gjerë” që na çon në shkatërrim. (Mt. 7:13-14) E kremtimi i kohës së Ardhjes shënon dhe lajmërimin e Lindjes së Krishtit. Kjo kohë liturgjike e shpirtërore na kujton ngjarjen madhështore të festës së Krishtlindjes: “Ja Krishti lind, lavdërojeni; Ja Krishti i qiellit vjen, dilni priteni e në zemra pranojeni”.

Nëse nuk nisemi e shkojmë nuk do të shohim kurrë. Por nuk mjafton vetëm të shkojmë te Krishti. Ne duhet ta shohim me të vërtetë. Shumë njerëz e panë Krishtin kur erdhi në tokë e mori natyrën tonë njerëzore, por jo të gjithë e panë Atë si Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës. Ka shumë njerëz, që vijnë në kishë dhe, ende nuk shohin. Krishti na e thotë edhe psenë. Arsyeja, thotë Ai, është se ata duan errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre janë të liga. (Gjn 3:19)

Periudha e Ardhjes është kohë kremtimi, ngazëllimi dhe gëzimi. Kisha i fton të gjithë të kremtojnë. Jemi krijuar të galdojmë për dhuratat e Hyjit dhe për vetë Zotin. Ky është thelbi i jetës sonë. Jemi krijuar të jemi “imituesit e Hyjit” dhe “pjesëmarrës të natyrës hyjnore”. Zoti është Hyji i të gjallëve, prandaj ne jemi krijuar për të jetuar; Zoti është i mirë, prandaj ne jemi krijuar për të qenë të mirë; Zoti është i urtë, prandaj ne jemi krijuar për të qenë të urtë; Zoti është i mbushur me paqe, gëzim, mirësi, dashuri, fuqi dhe zemërgjerësi, kështu duhet të jemi dhe ne.

Lindja e Jezusit lajmërohet në botë si shpallja e gëzimit të madh. Po kështu engjëjt, që u sollën barinjve lajmin e gëzimit të madh, shpallën, duke i thurur lavde Hyjit, paqe mbi dhé dhe mbi njerëzit vullnetmirë.
Krisht Lind - prek dhe mbush qiellin dhe tokën.
Krishti Lind – ndër njerëzit vullnetmirë.
Krishti Lind – Zoti erdhi në tokë.
Krishti Lind – Hyji i dhuroi njeriut dashurinë, gëzimin dhe jetën më të ëmbël.
Krishti Lind – gëzohuni!
Në këtë Krishtlindje, Hyji na bëftë të denjë për të marrë në zemër Jezusin Foshnje, duke i lejuar t‘i mbushë ato me dritë e bekime Hyjnore.

03 dhjetor 2018, 14:38