Imzot Rrok Mirdita Imzot Rrok Mirdita 

Mё 7 dhjetor kujtojmë imzot Rrok Mirditёn nё pёrvjetorin e vdekjes.

Imzot Rrok Mirdita, ipeshkëv, meshtar e atdhetar, në përvjetorin e kalimit në amshim, më 7 dhjetor 2015. “Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit”: kështu pra, Papa Bergoglio e paraqiti, angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdites.

R.SH. - Vatikan

Mё 7 dhjetor kujtojmё imzot Rrok Mirditёn nё pёrvjetorin e vdekjes. Dy fjalë mbi figurën, veprimtarinë, stilin e dëshminë që dha Imzot Rrok Mirdita për popullin e Zotit, Kishën, Atdheun, e pёr mbarё shoqërinë shqiptare.

Po e kujtojmë sot, më 7 dhjetor 2016, në vjetorin e kalimit në amshim, me fjalët e Papës Françesku, drejtuar kryeipeshkvit të ndjerë, imzot Rrokut, me rastin e 50-të vjetorit të meshtarisë së tij, kremtuar pak muaj para vdekjes, më 4 korrik 2015.

“Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit”:  kështu pra, Papa Bergoglio e paraqiti, një vit më parë, angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv metropolit i Tiranës-Durrësit, me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë, që u kremtua më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë.

Papa Françesku, në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës, përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 50-të vjetorit të meshtarisë, më 4 korrik 2015.

Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat e rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita bëri dhe pati gjatë 50-të vjetëve të meshtarisë së tij, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e të urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që është qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës.

Imzot Rrok Mirdita ishte e mbetet një protagonist dhe dëshmitar i një periudhe të veçantë për kombin e Kishën shqiptare, atë menjëherë pas rënies së regjimit të diktaturës komuniste, fillimit të rindërtimit të indit shoqëror, njerëzor, shpirtëror, kishtar e kombëtar nga viti 1993 deri më 2015.

Imzot Rrok Mirdita ishte atdhedashës, lajmëtar i fesë së krishterë, për çka jetoi e veproi me një vetëmohim, përherë në shërbim të Zotit e popullit, për Fe e Atdhe, për të mirën dhe përparimin e besimtarëve, të Kishës, të shoqërisë e të mbarë popullit shqiptar.

 

Imzot Mirdita njihet për misionin e tij ipeshkёvnor, në krye të Kishës dioqezane të Tiranë-Durrësit, që nga viti 1993 deri në ditën e kalimit në Amshim, më 7 dhjetor 2015,  por ekziston edhe periudha po aq e frytshme, si meshtar, në mesin e diasporës shqiptare në Nju Jork të SHBA-së.

Imzot Rrok Mirdita kudo punoi në vreshtin e Zotit, në mesin e popullit të tij dashur shqiptar, me entuziazëm e përkushtim në një shërbim të pareshtur, si bari i mirë shpirtëror që ishte, për popull dhe me popull.

 

Duhet nënvizuar edhe vizionin e pasionin që kishte Imzot Rroku gjatë shërbimit të tij meshtarak për Kishën dhe popullin shqiptar. Ai e njihte mirë  jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e popullit shqiptar, ia dinte ëndrrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhitë, të mirat e të këqijat, prandaj si bari e prijës shpirtëror, bëri gjithçka mundi për t’i prijë popullit në udhën e Zotit e të atyre vlerave që janë shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, duke theksuar sfidat e propozuar udhën për t’i bërë ballë atyre, gjithmonë  duke pas si qëllim e synim, të mirën e popullit dhe të Kishës.

 

Imzot Mirdita kujtohet si kryeipeshkëv i vendosur, i qëndrueshëm, i durueshëm, largpamës, i urtë, i përzemërt, i afërt dhe i matur.

Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioqezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirës për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit, shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të domosdoshme për një demokraci të mirëfilltë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin e orientimin që jepte kujtdo.

 

07 dhjetor 2018, 14:38