Kërko

2018.09.12 Raffaello Sanzio – La Madonna Del Granduca 2018.09.12 Raffaello Sanzio – La Madonna Del Granduca 

Festa e Zojës së Papërplyer, shkollë feje, dashurie e shërbimi

Në fillim të Kohës shpirtërore të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit..

R.SH. - Vatikan

Në fillim të Kohës shpirtërore të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Të reflektojmë së bashku mbi rolin e Virgjërës Mari në rrugën e shëlbimit, ditën e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer.

Siç dihet, Festa e Zojës së Papërlyer Festa e Zojës së Papërlyer është ndër festat më të bukura e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjërës Mari. Në këtë festë të të Zënurit të Pafaj të Virgjërës Mari, besimtarët e krishterë me mirënjohje të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin që Ai na dhuroi në personin e Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha e kremton sot më 8 dhjetor.

Po cila është domethënia e porosia e kësaj feste për besimtarë të krishterë? Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikmëri të jashtëzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgënjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli. 

Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e rimendon, e rimediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin.

Maria është krijesë e jashtëzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”.

E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qendrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje.

Kisha pra, në këtë kohë pritjeje, na ofron shembullin e Marisë si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, si të veprojmë që zemra jonë të jetë e gatshme për të pranuar Zotin që vjen.

E Kisha në festën e sotme na thotë se duhet ta përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. Kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjën larg nga shtëpia? Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjës? Por sigurisht Maria i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që ia tha Engjëllit i Zotit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash e të bëjë ashtu si të duash”.

Ne pra, duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta përshkuar përsëri rrugën e Betlehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë udhë shpirtërore, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë tonë bashkëkohore, perëndimore, vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale, sepse këto nuk mund të japin lumturinë e vërtetë e në këto nuk mund ta gjejmë kuptimin e jetës. Për këtë e dimë se vlen vetëm Zoti: ky është mësimi i Krishtlindjes.

E për ta përvetësuar këtë mësim të Foshnjës Hyjnore të Betlehemit, Maria është mësuesja më e mirë; derisa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij Hyjnore, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumturi i qoftë Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.

Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Krijuesit, Maria krijoi kushtet që shpresa e mijëravjeçarëve të bëhej realitet, të hynte në botë e në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh.

Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi: “Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit. Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdridhur në dritën e paperëndueshme të atdheut të amshuar, shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!”.

07 dhjetor 2018, 17:55