Kërko

Besimtarë të krishterë egjiptianë Besimtarë të krishterë egjiptianë 

Egjipt: qeveria al-Sisi restauron dhe ia përshtat ligjit më se 500 kisha

Me rastin e përurimit të planit kombëtar të strehimit shoqëror, presidenti egjiptian Abdul-Fattah al-Sisi përtëriu impenjimin për restaurimin e kishave të shkatërruara nga “Vëllezërit Myslimanë”: dosje e lënë pas dore nga qeveritë e mëparshme.

R.SH. - Vatikan

Përveç rindërtimit të kishave, qeveria po përpiqet të legalizojë edhe ndërtesa të tjera të krishtera dhe po jep leje për ndërtimin e kishave dhe të instituteve të reja kopte.

Restaurime pas sulmeve kundër vendeve kishtare, që nga viti 2013

Kishave në Egjipt - raporton agjencia Fides – u është dashur të fillojnë ristrukturimin dhe modernizimin për të zhdukur pasojat e sulmit të “Vëllezërve Muslimanë”, që goditën vendet e kultit, duke nisur nga gushti i vitit 2013. Në tërësi, u kryen 90 sulme në anë të ndryshme të vendit, kryesisht në Minya, por edhe në rajonet e Asyt, Fayoum, Giza, Suez, Sohag, Luxor dhe Beni Suef. Restaurimi dhe përshtatja e ndërtesave me ligjet në fuqi pati filluar në kishat e Minyas, prekur nga akte vandalizmi, por edhe në strukturat shoqërore, spitalore dhe arsimore në Suez, Beni Suef dhe Giza. Qeveria e al-Sisi i kushton vëmendje të madhe temës së ndërtimit të kishave: projektligji i miratuar më 30 gusht 2016 ishte hapi i parë për modernizimin e rregullave të ndërtimit të kishave, që në 100 vitet e fundit, i referoheshin një dekreti të epokës otomane.

Në studim, 2500 kërkesa për legalizim

Legalizimi, sanksionuar me një dekret të ri, nënshkruar nga kryeministri Sherif Ismail, synon përshtatjen e kishave sipas dispozitave të reja ligjore. Në deklaratat e mëparshme, Papas Tawadros II i Aleksandrisë pohon se qeveria aktuale “po shëron shenjat e mbetura nga plagë të thella, po tregon kujdesin e nevojshëm për stabilizimin e shoqërisë dhe për afirmimin e vlerave të qytetërimit të vërtetë”. Sipas pastorit Michael Anton, zv.kryetar i Komitetit për përshtatjen e kishave dhe anëtar i Komitetit përkatës ministror, ​​vitet e fundit, kanë hyrë në këtë projekt 500 kisha. Për më tepër, Komiteti ministror po shqyrton aktualisht 2.500 dokumente të kadastrës, paraqitur nga Kisha ortodokse kopte, për identifikimin dhe arkitekturën e disa kishave dhe sallave liturgjike në të gjithë vendin, ku, prej vitesh, ritet fetare kremtohen pa autorizimet e nevojshme, në mënyrë që të legalizohet pozita e tyre.

19 dhjetor 2018, 12:03