Kërko

Lindja e Krishtit Lindja e Krishtit 

Koha e Ardhjes: përgatitja e betlehemit, pritje e lindjes së Krishtit

Të Dielën II të Kohës së Ardhjes, liturgjia e ditës na bën të dëgjojmë zërin e shën Gjon Pagëzuesit, që na paralajmëron me fjalët e Isaisë profet: “Përgatitjani udhën Zotit!”. Është ftesë për ta hapur zemrën e për të mirëpritur shëlbimin. E Jezu Krishti është i vetmi ndërmjetësues për këtë.

R.SH. - Vatikan

Dje, në të gjitha shtëpitë e, edhe në Vatikan, u ndezën dritat e betlehemit e të pemës së Krishtlindjes. Shpella e Betlehemit, ashtu siç ishte në atë vend të vogël në trojet ku lindi Krishti, kthehet në një hapësirë të dukshme në çdo banesë të krishteri, zgjedhur me kujdes nga prindër e fëmijë, që së bashku mblidhen për ta ndërtuar sërish e çdo vit, gati në një liturgji shtëpiake, që përsëritet. E që është shumë e rëndësishme për edukimin e më të vegjëlve. Edukohen të presin, duke u përgatitur materialisht e shpirtërisht për Zotin që po vjen; mësohen ta përmbajnë padurimin, duke i dhënë vlerë dhuratave të përditshme të Zotit, në pritje të dhuratës më të madhe; kuptojnë se duhet ta falenderojnë Hyjin për vetë jetën e tyre.

Ndërtimi i betlehemit e zbukurimi i pemës së Krishtlindjes në familje kërkon pjesëmarrjen e të mëdhenjve dhe të të vegjëlve. Nëse kjo bëhet me harmoni familjare e në atmosferën e gëzueshme të fesë, në vigjiljen e Krishtlindjes do të pritet vërtet Foshnja Hyjnore. Natën e Krishtlindjes, me zemrën plot përvujtëri e mahnitje, e gjithë familja do të këndojë “Gloria” – Lavdi Hyjit. Pas meshës së mesnatës, Krishti Fëmijë do të vendoset në djepin e vet pej kashte, ndërmjet Marisë e Jozefit, në betlehemin e përgatitur së bashku. Pritet edhe Ai nga familja e vet, si çdo fëmijë – dhuratë e Zotit për t’u dashur e për t’u mbrojtur.

08 dhjetor 2018, 17:27