Kërko

Pas Krishtit, ngarkuar me kryq Pas Krishtit, ngarkuar me kryq 

Dyfishohen misionarët e vrarë në 2018-tën: në krye të listës, Afrika

Botohet dosja e Agjencisë së Veprave Papnore Misionare Fides: 40 veprimtarë katolikë vriten gjatë vitit; 456, duke nisur nga 2001-shi.

R. SH. - Vatikan

Janë 40, pothuajse dyfishi në krahasim me vitin 2017, misionarët e vrarë  në vitin, që po përfundon. Shumica, meshtarë: 35, sipas të dhënave të Agjencisë Fides. Pas pesë vjetësh, gjatë të cilave numri më i lartë i misionarëve të vrarë u regjistrua në Amerikë, më 2018-tën vendin e parë në këtë klasifikim tragjik, e zë Afrika. Edhe këtë vit shumë meshtarë e humbën jetën, kryesisht gjatë përpjekjeve për grabitje, në vende ku mbretëron varfëria, zvetënimi ekonomik e moral; ku dhuna është rregull jete e ligj, ku autoritetet e shtetit janë të korruptuara, prandaj, të papërfillshme e ku feja manipulohet e përdoret për qëllime, që nuk kanë të bëjnë fare me të.

Flijimi i Afrikës

19 meshtarë, 1 seminarist e 1 laike janë viktimat e Afrikës. Të prek thellë vdekja e Thérese Deshade Kapangala, bijë e Republikës Demokratike të Kongos. Ishte vetëm 24 vjeçe e përgatitej të niste udhën e dëshirtareve ndërmjet Motrave të Familjes Shenjte. U vra në janar 2018, gjatë shtypjes së protestave kundër presidentit Kabila, organizuar nga laikët katolikë në mbarë vendin! Ishte kandidate për murgeshë, por kjo nuk e pengoi të binte në radhët e para të njerëzve të shtypur, që i kundërviheshin paqësisht dhunës. Thérese, që këndonte në korin e famullisë dhe aktivizohej në Legjionin e Marisë, sapo kishte dalë nga Mesha, kremtuar në lokalietin  Kintambo, në veri të Kinshasës. Te porta e priste vdekja, me pamjen e  ushtarëve radhurit para kishës. Sapo shkeli pragun, e kapi një nga plumbat që shkreheshin kundër manifestuesve, të cilët po përpiqeshin të strehoheshin në kishë. Thérese ra, nësa mbulonte me trupin e vet një fëmijë, vënë në shënjestër nga ushtarët.

Brutale, masakra në  Nigeri, gjatë së cilës ranë don Joseph Gor dhe don Felix Tyolaha, vrarë nga dora e xhihadistëve të fshatit Mbalom, në shtetin Benue, pjesë qendrore e vendit, që ndan  veriun mysliman nga jugu i krishterë. Masakra ndodhi në agimin e 24 prillit, gjatë meshës së mëngjesit, shumë të frekuentuar. Sapo kish filluar e besimtarët vijonin të hynin në Kishë, kur një grup i armatosur nisi të qëllojë mbi ta. 19 vetë, ndërmjet të cilëve edhe dy meshtarët, u vranë me gjakftohtësinë më të madhe. Më pas banditët, që nuk ishin ngopur me gjak, hynë në fshat, ku  bënë rrafsh me tokë më se 60 shtëpi!

Don Albert Toungoumale-Baba, i moshuar, shumë i dashur e martir

Ishte 71 vjeç, don Alberti, që u vra në famullinë e Zojës së Fatimës, jo larg  nga qendra e PK5,  në Bangui, kryeqytet i Republikës Qendrafrikane, gjatë një masakre, në të cilën humbën jetën më se 16 vetë e qindra të tjerë u plagosën, Një grup i armatosur sulmoi famullinë, ndërsa don Alberti me disa besimtarë po kremtonin Meshën për festën e Shën Jozefit. Ishte data 1 maj 2018. Meshtari i vrarë, ndër më të moshuarit e dioqezës së Bangui, tepër i dashur nga besimtarët, ndodhej në këtë kishë për kremtimin, si kapelan i Lëvizjes “Vëllazëria e Shën Jozefit.

Dashuria për njerëzit dhe pasioni për fenë

Edhe Amerika pagoi një haraç të rëndë gjatë 2018-tës. U vranë 12 meshtarë - 7 nga të cilët, në Meksikë - dhe 3 shekullarë. Ndër historitë e tyre, më preksja, ajo e don Juan Miguel Contreras García, i shuguruar prej pak kohe. Ishte 33 vjeç natën e 20 prillit 2018, kur u vra në përfundim të Meshës shenjte, që sapo e kish kremtuar në famullinë e Shën Piut nga Pietrelçina të Tlajomulco, në Meksikë, ku kishte zëvendësuar një meshtar tjetër, të kërcënuar me vdekje. Një grup i armatosur hyri në kishë, u drejtua në sakresti e, sapo arriti aty, hapi zjarr mbi meshtarin, ende të veshur me petkat meshës. Familjet vendase humbën një nga mbrojtësit e tyre kryesorë. Ndërsa atë Carlos Riudavets Montes, meshtar spanjoll i Shoqërisë së Jezusit, 73 vjeç, u gjend i lidhur, me shenja të dukshme dhune, në bashkësinë indiane të Amazonës peruviane të Yamakentsa, ku kishte formuar me qindra lider indios, duke iu kushtuar i tëri misionit. E donte - e duhej nga bashkësia.

Misionarët guximtarë mbështeten në Krishtin e vëllezërit

Pas historive të ndryshme, Agjencia Fides shënon në përfundim të  Raportit për 2018-tën, një emërues të përbashkët  për misionarët: dashuri për Krishtin e bashkëveprim me njëri-tjetrin e me njerëzit, të cilëve u shërbejnë. Me bindjen se vetëm kështu mund ta japin si duhet dëshminë e tyre ungjillore. Duke u shërbyer të gjithëve. Me guxim, edhe përballë situatave më të rrezikshme.  Në vendin ku shërbejnë, besnikë deri në vdekje  të angazhimeve që morën para Krishtit!

 

30 dhjetor 2018, 17:37