Takim i organizatorëve të DBR-së me gazetarët, në Romë Takim i organizatorëve të DBR-së me gazetarët, në Romë 

DBR: Panamaja do të jetë zemra e botës

Takim në Romë me organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë. Për kryeipeshkvin e Panamasë, imzot José Domingo Ulloa, “do të jetë një festë e madhe feje”. Qendrore, tema e emigracionit dhe e indigjenëve.

R.SH. - Vatikan

Vlojnë përgatitjet në Panama, pak më shumë se një muaj nga Dita Botërore e Rinisë, që do të fillojë më 22 janar 2019. Sot, në një takim me gazetarët në Romë, u paraqitën për shtyp shifrat e para të kësaj ngjarjeje madhështore. Priten 200 mijë të rinj nga pesë kontinentet, 37 mijë i kanë përfunduar tashmë procedurat zyrtare e 168 mijë të tjerë po i përfundojnë, por shumë do të vijnë pa u regjistruar, saktësoi drejtori i komunikimit për DBR-në, Giancarlos Candanedo. Mëse 37 mijë, vullnetarët e impenjuar në logjistikë, asistencë e përgatitje: shumë vijnë nga Brazili e Kosta Rika, por edhe nga Franca e Polonia.

Papa do të sjellë shpresë për tërë kontinentin

“Do të jetë një festë e madhe feje”, tha imzot José Domingo Ulloa, kryeipeshkëv i Panamasë, i cili, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, konfirmoi centralitetin e temës së emigracionit. “Nuk mund të mos jetë e dashur për Kishën, për shkak të vuajtjeve dhe të dhimbjeve, që përjetojnë shumë njerëz", nënvizoi, duke kujtuar karvanin me mijëra emigrantë nga Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ne presim Papën dhe shpresën, që do të sjellë për të gjithë Amerikën Qendrore, - theksoi ai - të rinjtë do të nxiten të jenë protagonistë të ndryshimit”. Duke përmendur Sinodin e të rinjve mbajtur në Vatikan, imzot Domingo Ulloa, përvijoi si rrugë për të ndërtuar një botë ndryshe, “po”-në pa kushte të Marisë.

Kisha Qendro-amerikane: “Kisha e Martirizimit”

Prelati, duke theksuar se Kisha Qendro-amerikane është “Kishë e Martirizimit”, nënvizoi se të rinjtë duhet të kenë modele të besueshme. Ai vuri në dukje forcën, bukurinë, vendosmërinë dhe dëshminë e shumë shenjtorëve, si Oscar Arnulfo Romero, Rosa nga Lima, José Sánchez del Rio, Gjon Pali II. Konfirmoi se Papa do të takohet me të gjithë ipeshkvijtë: “Do të jetë çast për t’i dëgjuar”. Nga ana tjetër, Kisha e vendit po përpiqet t’i ndihmojë të rinjtë, që nuk kanë mundësi ekonomike, të marrin pjesë në DBR. Shumë shtegtarë do të priten në familje, edhe për të ndarë së bashku përvojën e atyre ditëve.

DBR-ja do të paraprihet nga Takimi Botëror i Rinisë Indigjene

Konfirmohet edhe pjesëmarrja e mbi 1000 indigjenëve nga anë të ndryshme të botës,  të cilët do të marrin pjesë në Takimin Botëror të Rinisë Autoktone, që do të fillojë tri ditë para DBR-së. Më pas, ata do të bashkohen me të rinjtë e tjerë.

Panama është një vend i vogël gati për mikpritje të madhe

Ambasadorja e Panamasë pranë Selisë së Shenjtë, Miroslava Rosas, nënvizoi përpjekjet e mëdha organizative të qeverisë “së një vendi të vogël, të gatshëm për mikpritje të madhe”. I madh është sidomos, “gëzimi për t'u vizituar nga njerëz prej gjithë botës”, prandaj, po punohet me të gjitha mundësitë. Në fund të takimit të sotëm në Romë, organizatorët u dhuruan gazetarëve një shfaqje të shkurtër me këngë dhe valle të traditës lokale, për të dëshmuar vlerën e mikpritjes panameze.

11 dhjetor 2018, 14:48