Kërko

Konferenca mbi klimën në Poloni, Cop24 Konferenca mbi klimën në Poloni, Cop24 

Cop24 mbi klimën. Impenjimi i të krishterëve kundër ngrohjes

Vijon në Katowice të Polonisë, Konferenca botërore mbi klimën, Cop24, tre vjet pas marrëveshjes së Parisit. Kisha Katolike, së bashku me Kishat protestante e me Këshillin Ekumenik Polak, dëshiron “t’u ofrojë pjesëmarrësve mësimet e Kishës për gjithësinë dhe t’u tregojë hapat e bëra deri tani, në favor të shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës”.

R.SH. - Vatikan

Vijon në Katowice të Polonisë, Konferenca botërore mbi klimën, Cop24, tre vjet pas marrëveshjes së Parisit. Në qytetin e pasur me miniera qymyrguri, deri më 14 dhjetor, përfaqësues të 200 shteteve të botës, duhet të marrin vendime konkrete kundër ngrohjes globale, duke e kufizuar rritjen e temperaturës mesatare të tokës jo me shumë se 2 gradë, deri në fund të shekullit. “Është çështje për jetë a vdekje”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në ceremoninë zyrtare të hapjes.

Direktivat për zbatimin e marrëveshjes së Parisit

Objektivi i Konferencës është përcaktimi i linjave udhërrëfyese për zbatimin e marrëveshjes së Parisit, ndihma financiare për vendet më të varfëra, sigurimi i impenjimit të qeverive për uljen e emetimit të gazit serë (dioksidit të karbonit) brenda vitit 2020. Banka Botërore do të japë 200 miliard dollarë për periudhën 2021-2025, për të ndihmuar vendet në zhvillim t’u bëjnë ballë më mirë ndryshimeve të klimës. Është dyfishi i shumës së mëparshme.

Impenjimi i Kishës Katolike, protestante dhe ortodokse

Ndërkaq, në një letër për besimtarët, me rastin e Takimit të Katowices, kryeipeshkvi i qytetit, imzot Wiktor Skworc, nënvizon se Kisha Katolike, së bashku me Kishat protestante e me Këshillin Ekumenik Polak, dëshiron “t’u ofrojë pjesëmarrësve mësimet e Kishës për gjithësinë dhe t’u tregojë hapat e bëra deri tani, në favor të shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës”. Në qytet, është krijuar një “hapësirë shpirtërore” e përbashkët, ku organizohen lutje e debate mbi tematikat ambientale.

Kremtime ekumenike

Më 9 dhjetor parashikohet një kremtim ekumenik, ndërsa çdo ditë kremtohen liturgji në gjuhë të ndryshme në kishat e qytetit, edhe për besimtarët ortodoksë, luteranë, metodistë dhe baptistë. Më 10 dhjetor, në Katowice do të kujtohet 70-vjetori i Këshillit Ekumenik të Kishave, që me 349 anëtarët e tij, përbën forumin kryesor të dialogut ndërmjet të krishterëve. Cop24 u parapri nga një seminar për këndvështrimin e krishterë mbi ekologjinë, organizuar nga Fondacioni Renovabis dhe nga fakulteti i Teologjisë së Universitetit të Slesias.

03 dhjetor 2018, 13:33