Vatican News
Jeruzalemi Jeruzalemi 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Vajtimeve

Flasim sot për Librin biblik të Vajtimeve, që për shekuj, mendohej se ishte vepër e Jeremisë profet, por, tani dimë se ndoshta, nuk është kështu, megjithëse kjo nuk ka fort rëndësi. Më e rëndësishme është të kujtojmë se pesë vajtimet e mëdha, që përmbahen në këtë libër të trishtuar e të hidhur, i referohen shkatërrimit të Jeruzalemit nga ushtria e Nabukodonosorit, në vitin 587 para Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Titulli i këtij Libri, natyrisht, nuk të josh për lexim. Zakonisht, nuk duam të dëgjojmë vajtime e këtu, nuk ka gjurmë gjërash të gëzueshme. Vajtimet krijojnë çift me Librin e Jobit, por nëse në poemën e urtisë gjejmë një individ të vetëm, që ia larton britmën Zotit, duke i thënë se është i pafajshëm, në këtë libër, është zëri i Jeruzalemit, që ngrihet lart për të shprehur dhimbje pa fund për fatin e vet.

         Megjithatë, Jeruzalemi nuk e fsheh se fati i tij s’është tjetër, veçse dënimi i Hyjit për mëkatet e qytetit. Prandaj, Vajtimi i parë është pikërisht ky pranim i fajit:

“Shikoni e shihni

a ka dhimbje si dhimbja ime,

sikur kjo që po më mundon,

me të cilën Zoti më ndëshkoi

në ditë të zemërimit të furisë së vet” (Vaj 1,12).

 

“Vërejti rreptë mbi faje të mia,

me dorë të vet i lidhi barrë,

i ngarkoi në qafën time

e krejtësisht më la pa fuqi.

Më lëshoi Zoti në një dorë të tillë,

prej të cilës më nuk mund të ngrihem”(Vaj 1,14).

 

“I çon Zoti kundër Jakobit

gjithkund përreth armiqtë e tij:

erdhi e u bë Jerusalemi

sukull i ndytë në mesin e tyre.

I drejtë është Zoti,

se i kundërshtova fjalës së tij”(Vaj 1,17-18).

         Por rrëfimi i fajit, përfundon me këtë lutje:

“Shih, o Zot, se në ç’të vështirë jam,

përbrendëset më janë përzier,

tronditur është në mua zemra,

se s’dëgjova, për të mos dëgjuar” (Vaj 1,20).

         Pasi e pranon fajin, në Vajtimin e dytë, Jeruzalemi tregon sa shumë vuajti kur e pa se Zoti iu kthye kundër e u bë armiku i tij, duke e shkatërruar pa mëshirë. E për t’i kërkuar mëshirë, Jeruzalemi bërtet e derdh lot, duke pikturuar imazhin më tragjik të tmerreve, që pësoi:

“Këqyr, o Zot, e deh, shiko,

me kë u solle der tani kështu?

Vallë të hanë gratë frytin e vet,

foshnjat që duhet të rriten?

Thua të vriten në Shenjtërore të Zotit

priftërinjtë edhe profetët?

Dergjen për tokë në rrugë të madhe

fëmijë e plak,

virgjërat e të rinjtë e mi

ranë prej shpatës:

i vrave ditën e zemërimit tënd,

i godite dhe nuk pate mëshirë” (Vaj 2,20-21).

         Por në dy Vajtimet e para vetëm sa preket ajo, që në Vajtimin e tretë bëhet qendra e Librit. 18 versetet e para janë fjalët më të ashpra, që janë shkruar ndonjëherë kundër Zotit dhe zemërimit të Tij. Është vajtimi i atij, që e ka humbur besimin në Zotin. Është kënga e ateistit.

“Unë jam njeriu që e sprovoi mjerimin

nën frushkullin e zemërimit të tij.

Ai më urdhëroi e më bëri të ec

nëpër terr e jo në dritë.

Veç kundër meje e solli, e risolli

gjith’ditën dorën e vet.

Ma shkriu lëkurën edhe mishin,

i thërmoi eshtrat e mia.

Përreth meje ndërtoi mur,

me helm e pikëllim më rrethoi.

Më ndryu të jetoj në një vend të errët

porsi të vdekurit e përhershëm.

Më rrethoi në mur që të mos mund të dal,

më lidhi në pranga të rënda.

Nëse thërras e kërkoj ndihmë,

e përbuz lutjen time.

M’gurë të latuar m’i muroi rrugët,

m’i mbylli shtigjet e mia.

Arushë në pritë u bë për mua,

luàn që sulet befasisht.

 Me ferra m’i zuri rrugët,

më copëtoi e më la në mjerim.

E ngrehu harkun e vet, mua më vuri

shenjë shigjete.

I nguli në të hollët tim

bijat e kukurrit të vet.

U bëra përqeshje e pop’llit tim,

kënga e përditshme e tyre.

Më ka ushqyer me hidhërime,

me lëng mendre më ka dehur.

Me gurë dhëmbët m’i thërmoi,

më zhgërreu në pluhur.

Shpirti im më s’di ç’është paqja,

më nuk di ç’është lumturia.

Thashë: “Lamtumirë, o lumturi,

e gjithçka prisja prej Zotit!” (Vaj 3,1-18).

         Është gati e pabesueshme që në Bibël të jetë përfshirë një tekst si ky e megjithatë, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, Shkrimi Shenjt nuk na shpëton nga përvoja njerëzore. Kjo britmë është efekti, që shkakton historia në ne, përshtypja që kemi shpesh, kur shohim botën. A s’është e vërtetë se kur shohim dhunë e humbim besimin në Zotin? Por Bibla nuk na lë në trishtim, i jep një strehë zemrës së njeriut, që e ka humbur besimin. Këtë, të dashur dëgjues do ta shohim në emisionin e ardhshëm, duke vijuar të flasim për Librin e Vajtimeve.

 

P.S. Pika jonë e referimit, edhe kësaj radhe, është vëllimi i shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

13 dhjetor 2018, 17:24