Kërko

Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Kishtarit II

Javën e kaluar filluam të flasim për Librin e Kishtarit e pamë se autori i tij shkruan me ndershmëri fjalë të vërteta, pa e ruajtur lexuesin nga gjembat e gozhdat me të cilat e thumbon, për t’i kujtuar se cilat janë gjërat e rëndësishme në jetë, ndërsa “kotësia e kotësive” i kalon gjithnjë para sysh. Vijojmë sot me këtë Libër, gjithnjë sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Kishtari ndjehet si i burgosur. Çdo gjë është e bukur, por çdo gjë mbaron e njeriu e ndjen shijen e kësaj kotësie:

“E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer – thotë Libri i Kishtarit, në kapitullin e tretë. - Gjithçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë njeriut ta ketë parasysh jetëgjatësinë e gjërave të krijuara, ai s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim. …E kuptoj se të gjitha gjërat, që i krijoi Hyji, do të qëndrojnë për amshim: ne nuk jemi në gjendje as t’u shtojmë, as t’u mungojmë gjë: të gjitha Hyji i krijoi që ta kenë njerëzit frikën e tij” (Kish 3,10-15).

Mrekullia e trishtë

Pavarësisht nga bukuria e gjithçkaje të krijuar nga Hyji, njeriu përjeton një gjendje, që poetët e quajnë “mrekullim i trishtë” (shih Eugenio Montale). Mrekullohet para bukurisë e pushtetit të Zotit, por trishtohet, sepse sheh se njeriu është si tymi, që në fund të fundit, venitet e zhduket. Libri i Kishtarit është gozhdë që ngulet në qendër të ëndrrave të tij. Pasi përvijon etapa, që mund të bëjnë pjesë në jetën e secilit, duket sikur bie në dëshpërim:

“Vendosa në mendjen time ta kënaq trupin me verë… vendosa të bëj vepra të mëdha: ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta; bëra kopshte e pemishte dhe mbolla në to pemë frutore të çdo lloji, krijova liqene për të ujitur të mbjellat. Bleva skllevër e skllave… Grumbullova gjithashtu edhe argjend e ar… U bëra i madh aq sa i tejkalova të gjithë ata që kishin qenë para meje… Atëherë u solla e i vrojtova të gjitha veprat e mia, gjithçka prodhuan duart e mia, të gjithë mundin në të cilin e kisha derdhur djersën dhe ja, gjithçka - kotësi e mundim i kotë dhe s’ka farë dobie nën diell!” (Kish 2, 4-11).

Në Librin e Kishtarit dëgjohet kënga e hidhur e atij, që është dorëzuar. Pikërisht ajo këngë që, nganjëherë, si feja, ashtu edhe shkenca e sidomos, endjet e botës së sotme, përpiqen ta zbehin e madje, edhe ta harrojnë.

Ç’mbetet pra, në këtë jetë?

Në fund të fundit, Libri i Kishtarit na lë me një pyetje: ç’mbetet pra, në këtë jetë? Mos duhet të heqim dorë nga gjërat e kësaj bote e të jetojmë në thjeshtësi, pa kotësi? Edhe këtu, autori na habit me një këshillë, si kjo:

“Gëzo, pra, o djalosh, në rininë tënde dhe galdo në ditët e djalërisë, ec udhëve të zemrës sate dhe ndiqi dëshirat e syve të tu, por dije se për të gjitha këto Hyji do të të gjykojë. Larg kujdesjet prej mendjes sate, flake dhimbjen nga trupi yt: sepse djalëria e rinia kalojnë me një frymë” (Kish 11,9-10).

“Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijë koha e vuajtjeve e të afrohen ditët për të cilat të thuash: ‘Jo, nuk më pëlqejnë më!’” (Kish 12,1).

Jeta është e shkurtër e, siç thotë një këngëtar i njohur rock(Vasco Rossi): “Jeta është drithmë, që ikën fluturimthi, është e gjitha një ekuilibër mbi një marrëzi!”. Mund të gëzosh gjithçka të bukur na ka dhuruar Zoti, por kujtohu se gjithçka zhduket si tymi, prandaj, mos u gënje e mos e harro Krijuesin tënd. 

06 dhjetor 2018, 13:02