Kërko

 Papa takohet me shqiptarët Papa takohet me shqiptarët 

Takim i shqiptarëve me Papën, për kujtimin e Skënderbeut: intervistë e Prof. Domenico Morellit

Papa Françesku u takua sot, në orën 17.00, në Sallën Klementine, në Vatikan, me një delegacion prej 200 shqiptarësh, ardhur në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Hero i Kombit shqiptar.

Në delegacion bënin pjesë kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani; Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi; kreu i Bashkësisë myslimane, Skënder Bruçaj, kreu i Bashkësisë së Bektashive të botës, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, organizatore e takimit; kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë Durrësi; Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës Shkodër-Pult;  ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli; ipeshkvi i Dioqezës arbëreshe të Ungros, në Kalabri, imzot Oliverio Donato, ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve në Sicili (dioqezë arbëreshe), imzot Giorgio Demetrio Gallaro dhe një grup i madh artistësh shqiptarë, që sonte dha një koncert në Teatrin Argjentina, në Romë.

Gjergj Kastrioti, siç dihet, ishte mbrojtës i lirisë së popullit të vet dhe i mbarë krishterimit në Evropë, gjatë periudhës së Perandorisë Otomane e  pati marrëdhënie me pesë Papë: Eugjenin IV, Nikollën V, Kalistin III, Piun II dhe Palin II. E dëshmon këtë afresku me portretin e Heroit, që ruhet akoma në fasadën e një pallati pranë Qurinales, dikur seli papnore.

Mbi këtë takim, Sergio Centofanti i drejtorisë editoriale të Vatican-News bisedoi me profesorin italo-shqiptar Domenico Morelli, që pati marrë pjesë edhe në audiencën me Shën Palin VI, në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit:

Qëllimi i takimit?

Dëshirojmë, sidomos, t’i përcjellim përshëndetjen tonë Atit të Shenjtë e, posaçërisht, të dëgjojmë prej Tij një fjalë mbështetjeje, nxitjeje që të shkojmë përpara, që kujtimi i kësaj figure, e cila ia doli mbanë t’i bashkojë të gjithë princërit e Shqipërisë, t’i bashkojë rishtas mbarë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, për ta ruajtur identitetin e tyre e, njëkohësisht, të angazhohen për t’i mbrojtur vlerat tipike për këtë bashkësi.

Kush ishte Skënderbeu?

Skënderbeu ishte një nga prijësit e mëdhenj të epokës - pa dyshim, më i madhi i Shqipërisë - i cili, që nga viti 1443 e deri më 1468, duke bashkuar forcat jo vetëm të shqiptarëve, por edhe me ndihmën e gjithë Perëndimit, e me mbështetjen e pakursyer të Papëve - arriti t’i vinte pritë të pakapërcyeshme pushtimit turk drejt perëndimit. Kujtohet, pra, për këto bëma. Prandaj me të drejtë, Papët e quajtën “Athleta Christi”, sepse mbrojti qytetërimin perëndimor e, posaçërisht, fenë e të krishterëve në Evropë.

Ç’mund të na thoni për situatën aktuale në Shqipëri?

Shqipëria, me ngadalë, por edhe me forcë të madhe, po përpiqet të hyjë në Bashkimin Evropian e t’i kapërcejë vështirësitë tradicionale, tipike për shoqëritë pas-komuniste.

E situata ekonomiko-shoqërore, si paraqitet?

Është në zhvillim, sepse ka shumë emigrantë shqiptarë, që punojnë nëpër botë - në Itali, për shembull, janë 500 mijë vetë -  të cilët dërgojnë shumë  fryte të punës së tyre. Pastaj bëhen përpjekje të investohen në disa fabrika, por sidomos në industritë moderne, si ajo informatike. Në këtë këndvështrim  duhet thënë se Kisha katolike po kryen një veprimtari shumë të rëndësishme në fushën shëndetësore e atë të formimit të të rinjve, pa bërë asnjë dallim. Vijnë pastaj, marrëveshjet me universitetet italiane, si Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit e ai i Tor Vergata.

Cili është roli i bashkësisë katolike në Shqipëri?

Është të dëshmojë vlerat e krishtera, pjesë e pandarë e historisë dhe e kulturës shqiptare të cilat, në një fare mënyre, u lanë mënjanë, për shkak të pushtimit otoman një herë e të diktaturës komuniste, më pas. Veç kësaj, bashkësia katolike promovon vlerat e krishterimit dhe thirrjen evropiane të vendit, përmes edukimit në shkollat katolike, që ndiqen shumë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Dëshiron, pra, të jetë  dritë e t’i edukojë shqiptarët me frymën e vlerave të vëllazërimit. Vlera që, edhe gjatë persekutimeve, nuk u shuan kurrë, sepse edhe në fshehtësi, gjatë diktaturës komuniste, shqiptarët vijuan të besojnë, familjet vijuan t’u mësojnë fëmijëve katekizmin, Skënderbeu vijoi të quhet “Athleta Christi”, edhe pse gjithë kjo u pagua me gjakun e shumë martirëve!

19 nëntor 2018, 15:34