Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Kryeipeshkvi Hoçevar në një meshë në Beograd Kryeipeshkvi Hoçevar në një meshë në Beograd 

Serbi: program ekumenik për 100-vjetorin e Luftës së Madhe

Me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, nga 9 deri më 11 nëntor, kryedioqeza e Beogradit ka organizuar një sërë kremtimesh, në kuadrin e përfundimit të Vitit të Bashkimit, shpallur për të kujtuar se si e ashtuquajtura “Luftë e Madhe” ndryshoi hartën e Ballkanit.

R.SH. - Vatikan

“Kemi përgatitur një program të pasur ekumenik, shpirtëror e kulturor”: kështu shpjegon për agjencinë katolike Sir, kryeipeshkvi i Beogradit, imzot Stanislav Hoçevar, duke nënvizuar se synimi i Kishës është t’u kërkojë të gjithëve “të impenjohen në udhën e pajtimit, të paqes e të bashkëpunimit”.

Do të nënshkruhet një mesazh për paqen

         Imzot Hoçevar vë në dukje rindërtimin e zyrave të kryeipeshkvisë “ish-ambasada austrohungareze). “Ҫast tjetër domethënës – shton do të jetë nënshkrimi i një mesazhi për paqen, nga ana e përfaqësuesve të bashkësive fetare, pranë monumentit, që i kushtohet Virgjërës Mari, Nënë e Evropës, që të gjithë popujt evropianë të jenë të bashkuar në larmi”.

Reflektim mbi identitetin evropian

         Programi fillon nesër, më 9 nëntor, me konferencën “Identiteti evropian”, në të cilën marrin pjesë mitropoliti Porfirije i Sinodit të Shenjtë të Kishës ortodokse serbe, peshkopi ortodoks Jovan Ҫulibrik, përfaqësuesi i BE-së në beograd, Sem Fabrici, kryetarja e negociatave me BE-në pranë qeverisë serbe, Tanja Misheviç dhe ipeshkvij të tjerë të Ballkanit. Konferenca synon të reflektojë mbi “filozofinë e luftës” për të arritur tek paqja. Parashikohen tre seksione me temë: “Liria dhe përgjegjësia”, “Teza, antiteza dhe sinteza”, si edhe “Lindja për Perëndimin, Perëndimi për Lindjen, Ballkani – përgjithmonë, Evropa për Evropën”.

I pranishëm, edhe kardinali Shënborn

         I ftuar nderi në këto kremtime do të jetë kryeipeshkvi i Vienës, kardinali Kristof Shënborn. Në prag të mbërritjes së tij, përfaqësuesit e feve do të marrin pjesë në një lutje ekumenike për paqen në Evropë, në kishën e Krishtit Mbret, në Beograd e pastaj, në kopshtin e kryeipeshkvisë do të mbillet e ashtuquajtura “kaçubja e Moisiut”, “shenjë e dëshirë për dashuri, mirëkuptim e dialog ndërmjet të gjithë subjekteve në Evropë”. Të shtunën, më 10 nëntor, kardinali Shënborn do të kryesojë kremtimin eukaristik për paqen dhe pajtimin ndërmjet popujve në kishën e së Lumes Virgjër Mari, ndërsa pasdite, parashikohet një lutje mbi varret ushtarake në varrezën Novo Groblje.

Vizita në kampin e refugjatëve

         Në mbrëmje, në fakultetin teologjik ortodoks, do të paraqitet përkthimi në serbisht i librit të kardinalit Shënborn “Jezusi mësues. Shkollë jete”. Në përfundim të vizitës, kryeipeshkvi i Vienës do të shkojë në kampin e refugjatëve të Obrenovacit, ku punon aktivisht Karitasi i Serbisë.

08 nëntor 2018, 18:31