Kërko

Raport i Ndihmë për Kishën që Vuan: 300 milionë të krishterë të persektuar

Në 38 vende të botës, të krishterët dhe besimtarët e feve të tjera diskriminohen ose persekutohen. Padinë e lexojmë në Raportin XIV të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”, paraqitur dje, në Romë, në Ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Në 38 vende të botës, të krishterët dhe besimtarët e feve të tjera diskriminohen ose persekutohen. Padinë e lexojmë në Raportin XIV të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”, paraqitur dje, në Romë, në Ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë.

Raport i Ndihmë për Kishën që Vuan: 300 milionë të krishterë të persektuar

Në botë, në çdo shtatë të krishterë, njëri jeton në një vend ku persekutimi është realitet dramatik e fenomen i përditshëm. 300 milionë - besimtarët që pësojnë diskriminime e persekutime. Nuk janë thjesht numra, këta. Janë mishi e gjaku i vëllezërve tanë në fe, që Raporti i Fondacionit Papnor “NDKV” ia kujton botës, e cila vijon të heshtë e të harrojë…

Të krishterët më të persektuar

Në Raportin, që shqyrton periudhën nga qershori 2016 - deri në qershorin 2018, theksohet se bashkësia e krishterë pëson forma shtypjeje e intolerance shumë më tepër se të tjerat. Pa harruar se vijojnë të bëhen gjithnjë më të padurueshme edhe shkeljet e lirisë fetare të konfesioneve të ndryshme. Raporti është fryt i studimit të realitetit të përditshëm në 150 vende të ndryshme të botës. Ndërmjet tyre, vendet ku njerëzit detyrohen të ndërrojnë fenë, ku pësojnë atentate, rrëmbime, rrënime të vendeve të kultit, fyerje të simboleve fetare, arrestime arbitrare, akuza për blasfemi, masa për kufizimin e kultit publik.

Shkelje të rënda, në 38 vende

Studimi i NDKV vë theksin mbi 38 vende, ku regjistrohen shkelje të rënda të lirisë fetare. 21 prej tyre klasifikohen si vende persekutimi të mirëfilltë. Janë Afganistani, Arabia Saudite, Bangladeshi, Birmania, Kina, Koreja e Veriut, Eritreja, India, Indonezia, Iraku, Libia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Siria, Somalia, Sudani, Turkmenistani, Uzbekistani e Jemeni. Ndërsa 17 të tjera, janë vende diskriminimi: Algjeria. Azerbajxhani, Bhuritani, Brunei, Egjipti, Federata Ruse, Irani, Kazakistani, Kirgizistani, Laosi, Maldive, Mauritania, Katari, Taxhikistani,Turqia, Ukraina e Vietnami.

Situata keqësohet në shumë shtete

Realiteti tregon se gjatë periudhës, që u mor në shqyrtim, në 17 nga 38 shtetet e shënuara, situata është keqësuar ndjeshëm. Në të tjerat, si Koreja e Veriut dhe Arabia Saudite e disa vise të shënuara më sipër - situata ka mbetur siç ishte, sepse s’kish ku të shkonte më keq.

Ndërmjet fundamentalizmit e ultra nacionalizmit

Në vende të ndryshme persekutimi frymëzohet e ushqehet nga fundamentalizmi me vulë islamike, por ndërkaq vërehet edhe thellimi i një  një force tjetër shqetësuese: nacionalizmit agresiv, në dëm të pakicave e, në disa raste, edhe të feve të ndryshme. E kjo forcë ka degjeneruar deri në atë gradë, sa të quhet ultra-nacionalizëm. Ky është rasti i Indisë.

Në perëndim shtohet antisemitizmi

Së fundi, Raporti vë në dukje se situatat kritike nuk mungojnë as në Perëndim, ku vërehet thellimi i antisemitizmit. E kjo, sidomos, në Evropë! Fenomeni shpesh lidhet me islamizmin militant e vepron posaçërisht në  Francë, ku bashkësia hebraike është më e populluara në Evropë, me 500.000 anëtarë. Thellohet shpesh edhe armiqësia kundër pakicave islamike, pasuar, pastaj, nga valët terroriste islamike, posaçërisht në Evropë.

Të mbrohet liria fetare: indiferenca vret

Presidenti i NDKV për Italinë, Mantovano, foli, gjatë paraqitjes së Raportit, për vëmendjen që duhet treguar në mbrojtje të lirisë fetare, sepse - theksoi - “indiferenca vret më shumë se terrorizmi” - e nënvizoi  se raporti mishëron misionin për të denocuar persekutimet, por edhe për t’i ndihmuar Kishat, që jetojnë nën barrën e padurueshme të diskriminimit! Pa harruar se liria fetare është në themel të të gjitha të drejtave të tjera njerëzore, e prandaj, mbrojtja e saj duhet shikuar si një nga detyrat parësore të politikës ndërkombëtare!

23 nëntor 2018, 17:53