Kërko

Papa Françesku në Bangui Papa Françesku në Bangui 

Qendrafrika. Don Bondobo: jo luftë feje, por interesa të jashtëzakonshme

Kënaqësia për thirrjen e Papës në Engjëllin e Tënzot, loja e interesave që instrumentalizon ndryshimet fetare, impenjimi për një paqe, që nuk po arrihet: për këto tema flet vikari i përgjithshëm i kryedioqezës së Banguit, don Mathieu Bondobo, pas masakrës së 15 nëntorit.

R.SH. - Vatikan

Nuk ka ndonjë luftë fetare në Republikën Qendroafrikane, por ka interesa, edhe të fuqive të huaja, për të shfrytëzuar pasuritë e këtij vendi: kështu pohon vikari i përgjithshëm i kryedioqezës së Banguit, don Mathieu Bondobo, pas masakrës së 15 nëntorit në Alindao, në Jug, ku më se 40 vetë, ndër të cilët edhe dy meshtarë, u masakruan barbarisht e disa u dogjën të gjallë, nga një grup rebelësh me shumicë myslimane, UPC. Iu vu flaka katedrales së qytetit e kampi i refugjatëve në terrenin e dioqezës, u shkatërrua plotësisht. Helmetkaltërtit e OKB-së, të pranishëm në zonë – sipas shumë burimeve vendase – nuk bënë asgjë për të ndihmuar civilët e pambrojtur, ndër të cilët edhe shumë gra e fëmijë. Dje, në Engjëllin e Tënzot, Papa bëri një thirrje të zjarrtë për paqen në Republikën Qendroafrikane. Por cila është gjendja aktualisht? Të dëgjojmë don Mathieu Bondobo:

         Gjendja është dramatike. Republika Qendroafrikane vijon të vajtojë për bijtë e vet. Gjendja është shkatërrimtare dhe, me gëzim, dje morëm ngushëllimin drejtpërdrejt nga Papa gjatë Engjëllit të Tënzot: foli për Afrikën Qendrore duke kërkuar lutje për ne. Kjo na ngushëllon e na ndihmon të ecim përpara, megjithëse të trishtuar.

Pas udhëtimit të Papës në Afrikën Qendrore, në vitin 2015, erdhi një periudhë paqeje. Ҫfarë ndodhi më vonë?

         Me trishtim e dhimbje vërejmë se ka njerëz, që nuk duan ta arrijnë kurrë këtë paqe. Fatkeqësisht, kështu është. Ka nga ata, që mundohen ta pengojnë arritjen e kësaj paqeje, duke u përpjekur gjithnjë, pas çdo përpjekje, pas një hapi, të na bëjë të biem e të rifillojmë sërish nga kreu. Në këtë çast, ka nga ata që mbrojnë interesat e veta e ndihmojnë rebelët. Ajo që ndodhi në Alindao është çnjerëzore! Mjaftont ë shohim imazhet, mjafton të shohim si u vranë njerëzit, si u dogjën për asgjë! Është diçka, që njerëzimi nuk mund ta pranojë.

19 nëntor 2018, 15:47