Zoja e Papërlyer në Sheshin romak të Spanjës Zoja e Papërlyer në Sheshin romak të Spanjës 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer II (nga 29 nëntor deri më 7 dhjetor)

Vijon nëntshja e Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne për nëntë ditë. Sot, 30 nëntor, dita e dytë, titullohet "E shëlbuara e parë".

R. SH. - Vatikan

Atëherë Zoti Hy i tha gjarpërit: “Mbasi ti e bëre ketë gjë, mallkuar qofsh mbi të gjithë frymorët e tjerë e mbi të gjitha shtazët e egra; do të ecësh mbi barkun tënd, e pluhur do të hash për të gjitha ditët e jetës sate! Do të vë anmiqësí ndërmjet tejet e gruas, ndërmjet rodit tand, e rodit të saj; kjo do të ta ndrydhi kokën e ti do të mundohesh t’ia dëmtosh thembrën”.

E shëlbuara e parë

Me Marinë nis lufta ndërmjet rodit të gruas e rodit të gjarprit; luftë e shpallur që nga zanafilla e parë e Zojës, zënë pa njollë mëkati e prej këndej, në kundërshtim të plotë me Shejtanin. Armiqësi, që do të merrte përmasa vigane, për të përfunduar, më pas, me fitoren e plotë, kur Jezusi “ rodi” i Marisë, do të dukej në botë e me vdekjen dhe ngjalljen e tij do ta shkatërronte mëkatin.

Ajo është e zgjedhur jo vetëm pse e pamëkat të zanafillës, por më shumë akoma, sepse hirplote. “Nëna e Krishtit,  e cila i dhuroi njerëzimit vetëm jetën që gjithçka përtërin… u stolis nga Zoti që në çastin e parë me dritën e një shenjtërie krejt të veçantë.

Ndër të gjitha privilegjet, të cilat Zoti ia njohu Zojës së Bekuar, më i madhi e më I larti, pas atij, falë të cilit do të bëhej Nëna e Tënzot, është të zënët e saj pa faj.

Zoja, si asnjë nga bijtë e Adamit, u përjashtua nga Ligji i përgjithshëm i mëkatit të rrjedhshëm. Që në çastin e parë të jetës,  atë të të zënit, iu paraqit Atit si zëmbak i bardhë, i panjollë, si banesë e Trinisë, kelk i shuguruar, ku Biri do të merrte natyrën njerëzore!

Lutja:

Të falem, Mari,

ty rrezja e Perëndisë!

Si fjala e Izaisë,

n’krah’rorin virgjëror,

të Lumin ta përftoi.

Gurrë jete je në shkreti,

ylber nëpër stuhi,

peng bese që lidh qielli

me të lindurit n’robëri,

që t’këndojnë njëzëri sot:

“Të falemi M’ri”, Ty Nëna e Tënzot!

Për pajtore njerëzit të njohin:

t’ndërtojnë kisha e therore,

t’quajnë Mbretëreshë në lumni qiellore,

Vashë të quan Shpirti Shenjtnuesi,

Nënë të thërret Biri Shëlbuesi,

Ati i dritës, bijë të thërret!

30 nëntor 2018, 16:04