Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer II (nga 29 nëntor deri më 7 dhjetor)
R. SH. - Vatikan
“Atëherë Zoti Hy i tha gjarpërit: “Mbasi ti e bëre ketë gjë, mallkuar qofsh mbi të gjithë frymorët e tjerë e mbi të gjitha shtazët e egra; do të ecësh mbi barkun tënd, e pluhur do të hash për të gjitha ditët e jetës sate! Do të vë anmiqësí ndërmjet tejet e gruas, ndërmjet rodit tand, e rodit të saj; kjo do të ta ndrydhi kokën e ti do të mundohesh t’ia dëmtosh thembrën”.
E shëlbuara e parë
Me Marinë nis lufta ndërmjet rodit të gruas e rodit të gjarprit; luftë e shpallur që nga zanafilla e parë e Zojës, zënë pa njollë mëkati e prej këndej, në kundërshtim të plotë me Shejtanin. Armiqësi, që do të merrte përmasa vigane, për të përfunduar, më pas, me fitoren e plotë, kur Jezusi “ rodi” i Marisë, do të dukej në botë e me vdekjen dhe ngjalljen e tij do ta shkatërronte mëkatin.
Ajo është e zgjedhur jo vetëm pse e pamëkat të zanafillës, por më shumë akoma, sepse hirplote. “Nëna e Krishtit, e cila i dhuroi njerëzimit vetëm jetën që gjithçka përtërin… u stolis nga Zoti që në çastin e parë me dritën e një shenjtërie krejt të veçantë.
Ndër të gjitha privilegjet, të cilat Zoti ia njohu Zojës së Bekuar, më i madhi e më I larti, pas atij, falë të cilit do të bëhej Nëna e Tënzot, është të zënët e saj pa faj.
Zoja, si asnjë nga bijtë e Adamit, u përjashtua nga Ligji i përgjithshëm i mëkatit të rrjedhshëm. Që në çastin e parë të jetës, atë të të zënit, iu paraqit Atit si zëmbak i bardhë, i panjollë, si banesë e Trinisë, kelk i shuguruar, ku Biri do të merrte natyrën njerëzore!
Lutja:
Të falem, Mari,
ty rrezja e Perëndisë!
Si fjala e Izaisë,
n’krah’rorin virgjëror,
të Lumin ta përftoi.
Gurrë jete je në shkreti,
ylber nëpër stuhi,
peng bese që lidh qielli
me të lindurit n’robëri,
që t’këndojnë njëzëri sot:
“Të falemi M’ri”, Ty Nëna e Tënzot!
Për pajtore njerëzit të njohin:
t’ndërtojnë kisha e therore,
t’quajnë Mbretëreshë në lumni qiellore,
Vashë të quan Shpirti Shenjtnuesi,
Nënë të thërret Biri Shëlbuesi,
Ati i dritës, bijë të thërret!