Cerca

Vatican News
 Shpallja e dogmës të Zojës së Papërlyer Shpallja e dogmës të Zojës së Papërlyer 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (nga 29 nëntor deri më 7 dhjetor)

Filloi sot nëntshja e Zojës së Papërlyer. Në këtë kohë kemi nëntshen e Solemnitetit, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne për nëntë ditë. Sot, dita e parë, na fton: “Të vrapojmë për ta njohur Zotin! Ardhja e Tij është e sigurt, si shkrepja e agimit".

R. SH. - Vatikan

Filloi sot nëntshja e Zojës së Papërlyer, devocion i krishterë, gjatë të cilit  thuhen shumë lutje (kryesisht Rruzarja) për nëntë ditë me radhë. Emri i devocionit vjen nga latinishtja mesjetare novenus, nëntë. U paraprin të kremteve solemne, si Krishtlindja e Rëshajët, por ndiqet edhe për të kërkuar hire të veçanta. Frymëzohet nga veprat e Apostujve (1,14), ku tregohet sesi Zoja e Bekuar me Apostujt u lutën me gjithë zjarrin e zemrës gjatë nëntë ditëve, ndërmjet Ngjitjes së Krishtit në Qiell e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi ta.

Në këtë kohë kemi nëntshen e Zojës së Papërlyer, të cilën ju ftojmë ta ndiqni me ne për nëntë ditë. Sot, dita e parë, na fton: “Të vrapojmë për ta njohur Zotin! Ardhja e Tij është e sigurt, si shkrepja e agimit. “Do të vijë ndër ne, si shiu i pranverës, si shiu që pllenon tokën”.

Më e ndritshme se dielli

Agimi është çast mahnitës! I paraprin lindjes së diellit. Në fillim duket një dritë e zbehtë, që ndriçon ngadalë qiellin nga lindja. Eshtë rrezja e parë, dëbuesja e natës. Që zgjatet e zgjatet, gjithnjë më shpejt, gjithnjë më shpejt… E arrin çasti kur shkrep drita. Del dielli, e rrezet e tij i verbojnë sytë e mësuar me terrin e natës.  Kështu del në botë edhe Zoja e Papërlyer!

Rruzullimi, në pritje

Ajo, Gruaja e parafolur nga i Amshuari, të cilën rruzullimi për shekuj e priti. Që të përtërihej toka. T’i ngjallej shpresa të munduarit. E ja, në kohë të caktuar nga vetë qielli, doli. E bardhë, si drita, veshur me rreze dielli, më e bukur se vetë hëna! Erdhi gruaja, që e pritën motet e pafundme. Gruaja, me të cilën Mendja e lartë e amshuar, veprën e vet e përsosi. Erdhi Ajo, që si ushtri kreshnike, fuqitë e ferrit për nën këmbë i shkeli! Ajo, Gruaja, që i hershmi e priti ndër mote!

Përmes Saj pritet Ai, që do të vijë…

Virgjëra përmbledh gjithçka, që kalon, më pas, nga ajo, tek i Biri… Kështu e përfytyron Krishtin, e edhe Virgjërën Mari, Besëlidhja e Vjetër dhe gjithsa shkruhet në historinë shenjte të njerëzimit. Gratë e sendet e shenjta të Besëlidhjes së Vjetër janë simbol i Saj: tempulli e altari. Sinai e ylberi. Kaçuba e ndezur e agimi. Kështu është Virgjëra, që vjen përmes gjithë këtyre shenjave, sepse përmes saj, pritet “Ai që vjen”.

Lutje Virgjërës së Papërlyer

O Virgjër e Papërlyer, fryt i parë i ëmbël, i shëlbimit, ne të admirojmë. Me Nënën, kremtojmë madhështinë e Birit, që bëri në ty mrekulli  mahnitëse!…  ke t’i ngulur sytë, ne mund ta kuptojmë e ta çmojmë veprën sublime të shëlbimit, e mund të shikojmë në të rezultatin shembullor të pasurive të pafundme, që na dhuroi Krishti, me gjakun e Tij.

Na ndihmo, Mari, të jemi të papërlyer, si ti, e, së bashku me Jezusin, shpëtimtarë të vëllezërve tanë. Na ndihmo t’ua çojmë edhe të tjerëve dhuratën, që e morëm. Na bëj shenja të Krishtit rrugëve të kësaj bote, të gënjyer vazhdimisht, e prandaj edhe të etur për të vërtetën e lumninë, plot etje për rilindje e shëlbim”. Amen!

29 nëntor 2018, 17:36