Kërko

 Mesazhi i Papës, Festivalit të doktrinës shoqërore Mesazhi i Papës, Festivalit të doktrinës shoqërore 

Mesazhi i Papës, Festivalit të doktrinës shoqërore “liria e fjalës, në rrezik”. Flet imzot Gjergj Meta

Në Veronë të Italisë, filluan punimet e Festivali të doktrinës shoqërore, me temë “Liria e fjalës, në rrezik”. Tubimit i drejtohet një mesazh i fuqishëm i Papës, himn për lirinë. Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, trajton temën “Nga regjimi komunist, në liri: udha e Shqipërisë”.

R. SH. - Vatikan

Gjithnjë më ndërkombëtar, Festivali i doktrinës shoqërore - që nisi sot e  do të vijojë deri më 25 nëntor, në Qendrën Katolike të Veronës. Punimet filluan në orën 20.30 me mesazhin e Papës. Vijuan me dy fjalime kushtuar temës “Rreziku i lirisë”, mbajtur nga dy vëzhgues të privilegjuar të Lindjes e Mesme dhe Shqipërisë. Fjalimi me temë “Lindja e Mesme, tokë ku bashkëjetojnë tri fe të mëdha monoteiste të historisë”, po mbahet nga atë Ramzi Sidawi, ekonom pranë Rojtarisë së Tokës Shenjte, për “Udhën e vështirë drejt lirisë dhe paqes: lexim i situatës në Lindjen e Mesme”.

Për Shqipërinë, vend ish-komunist, do të flasë imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, i cili do të mbajë ligjëratën me temë “Nga regjimi komunist, në liri: udha e Shqipërisë”.

Mesazhi i Papës Françesku

Pjesëmarrësit ndoqën me shumë interes mesazhin e Papës Françesku, i cili filloi me fjalët domethënëse “Liria është dhurata e madhe, që i bën Zoti krijesës së vet”, e vijoi me lajtmotivin e fuqishëm: “Bota ka nevojë për njerëz të lirë!”. Të gjithë - vijon mesazhi i Papës - duhet të angazhohemi për të zhdukur gjithçka që ua rrëmben burrave e grave thesarin e lirisë. Françesku vë theksin mbi tri situata, që e pengojnë lirinë të japë fryte: varfëria, sundimi i teknologjisë dhe reduktimi i njeriut në konsumator. Në radhë të parë, varfëria, e shkaktuar nga padrejtësitë e mëdha, që vazhdojnë në botë e edhe në qytetet tona - shkruan Papa - i cili, më pas, e ngre zërin, në një padi të fortë. Të varfërit - shkruan - nuk janë të shfrytëzuar, janë fundërrina, “mbeturina”. Sepse jetojmë në kulturën e hedhurinës. Kemi, pastaj, edhe një situatë tjetër, që ndikon negativisht mbi përvojën e lirisë. Është zhvillimi teknologjik, kur nuk shoqërohet me zhvillimin e duhur të përgjegjësisë, të vlerave, të ndërgjegjes. Humbet, kështu, kuptimi i kufirit, që ka si pasojë sfidat epokale, para syve të të gjithëve.

Absolutizimi i teknikës mund të kthehet  kundër njeriut

Duke folur për situatën e tretë negative, katandisjen e njeriut në konsumator, Papa thekson: “Kjo paradigmë i bën të gjithë  të besojnë se janë të lirë, derisa të kenë lirinë për të konsumuar, ndërsa këtë liri e kanë vetëm ata, që janë pakica, e cila ka në dorë gjithë pushtetin ekonomik e financiar”. Kjo nuk është liri. Kjo është skllavëri - nënvizon fort Papa në mesazhin drejtuar Festivalit të doktrinës shoqërore të Veronës. - Por nëse disa kanë frikë të shkojnë kundër rrymës - vijon - ka shumë që, në të përditshmen e tyre, jetojnë me thjeshtësi, solidaritet, me zemra e porta të hapura. Janë e vetmja përgjigje, që i jepet skllavërive të ndryshme, sepse dinë të jetojnë si njerëz të lirë.

“Janë këta - nënvizon akoma Papa - që ndezin dëshirat e përgjumura, hapin horizontet, frymëzojnë bamirësinë. Liria nuk i vret kurrë ëndrrat, përkundrazi, ndërton në jetë çka shumë e dëshirojnë, por nuk kanë guxim ta bëjnë. Natyrisht, të jesh i lirë është sfidë – kujton Papa në mesazh -  josh, nxit, jep guxim, zgjon ëndrrat, ngjall shpresë, investon mbi të mirën, beson në ardhmërinë. Përmban një forcë më të fuqishme se çdo skllavëri.

Bota ka nevojë për njerëz të lirë, e liria e njeriut e zbulon me fund vetveten, kur e kupton se lind e mbrohet nga liria  e dhembshur e Atit, që dëfton, në të Birin, fytyrën e Mëshirës. Nën shikimin e tij plot me dashuri, çdo njeri mund ta rifillojë gjithnjë udhën e “rrezikshme të lirisë”.

Punimet vijojnë deri më 24 nëntor

Punimet do të vijojnë deri më 24 nëntor. Nesër në kuadrin e kuvendimit “Avokatë mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe të viktimave të dhunës në botë”, Eduin Mauricio Capaz Lectamo, lider i bashkësisë indiane të Cauca Colombia do të  flasë për “Mbrojtjen e tokës dhe të bashkësisë: dëshmi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë”. Të shtunën do të flasë  Jones Newton, president i Bank of Labor (Kansas City), në kuadrin e takimit “Reforma e Bankave të Kreditit kooperativ dhe ndikimet mbi territorin dhe   sipërmarrjet”. Së fundi, “Afrika dhe projekti Kinga Madagaskar”, më 24 nëntor, në takimin “Afrika dhe Italia:  përsëri drejt  rilindjes”.

Secili nga ne e dëshiron me gjithë shpirt lirinë, sepse është në lojë humanizmi ynë e dinjiteti ynë. Por liria tepër shpesh jo vetëm rrezikohet, por edhe mohohet plotësisht - shpjegon Adriano Vincenzi, koordinator i Festivalit, në të cilin do të vijojnë të jehojnë fjalët e Françeskut: “Liria përmban një forcë më të fuqishme se çdo skllavëri!”.

22 nëntor 2018, 16:19