Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Vizita nder varreza Vizita nder varreza  (ANSA)

Meditim për muajin nëntor kushtuar të vdekjes

Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe i jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, i cili qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë

R.SH. - Vatikan

Një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, më 1 nëntor, Kalendari liturgjik i Kishёs, më 2 nëntor, na fton të përkujtojmë besimtarët e vdekur, t’i lutemi Hyjit për ta, të cilëve u kushtohet gjithë muaji nëntor në vijim.  Pra, mbarë Kisha, sot më 2 nëntor, i përkujton me lutje të vdekurit.  Besimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar.

E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Kishës i cili, me fjalët e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë me Zotin. Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të krishtera, i nxiste besimtarët “të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14).

Përkujtimi i të vdekurve lidhet me një nismë të Shën Odilonit, abat i Klyni, në shekullin X. Asokohe nga kjo abaci vareshin një mijë manastire benediktine, e kjo ndihmoi që nisma të përhapej shumë shpejt në të katër anët e Evropës veriore. Më pas, në vitin 1311, Roma e shpalli përkujtimin e të vdekurve, festë zyrtare. Por, pavarësisht nga kjo, Kisha, që në kohët e para të krishterimit, i ka kujtuar gjithnjë të vdekurit me përshpirtëri të thellë, me meshë e me vepra bamirësie

Po njeriu modern e pret përsëri  jetën e pasosur, apo mendon se ajo i përket mitologjisë, së cilës nuk i beson më askush?

Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe i jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, i cili qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë. E pra Zoti vijon të ekzistojë, edhe kur nuk i besojmë: e me të, edhe jeta e përtejme. Prandaj Kisha na fton t’i përkujtojmë besimtarët e vdekur me meshë, lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të pastruar, të pranohen në jetën e amshuar.

Por ç’ është kjo jetë e amshuar?

Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos, një cilësi e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bashkon pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët marrin pjesë në të njëjtën Dashuri. Pra, vdekja na kujton një gjë tepër të rëndësishme: se të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë, të paracaktuar për lumturinë e amshuar në atë masë, me të cilën hyjmë në misterin e Hyjit. Po vdekja nuk është fjala e fundit, sepse “njeriu është paracaktuar për një jetë të pa kufi, që ka rrënjët e veta dhe plotësimin e vet në Hyjin.

Pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? Çfarë lidhje ka ndërmjet tyre? 

Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që priren nga Parajsa, që janë në Purgator. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës. Dikush ka thënë se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para se të pranohemi në festën e shenjtorëve.

Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë të vdekurit që i përkujtojmë gjatë nëntorit, janë njerëz që jetojnë në bashkim me ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse të kujtosh të gjithë shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës, por presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos ndjehemi kurrë të vetmuar. 
 
Ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon me të gjitha mënyrat ta harrojë vdekjen: nga buron kjo prirje në shoqërinë tonë? 

Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna.

Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta.

Kishte të drejtë Shën Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”. I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja.

Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.

02 nëntor 2018, 09:59