Visita al cimitero Visita al cimitero  

Me 2 nëntor, përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur

Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë.

R.SH. - Vatikan

Në ditën e përkujtimit të të vdekurve, kur nisemi simbolikisht për një shtegtim, sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona.

Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash.

Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit që më s'janë. 

Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë.

E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!

Në realitet jeta e vërtetë, jeta e amshuar, fillon që në këtë botë, ndonëse në pasigurinë e ngjarjeve të historisë; jeta e amshuar nis në atë masë, që ne ia hapim zemrën misterit të Hyjit dhe e pranojmë mes nesh. Është Hyji Zot i jetës e në Të jetojmë, lëvizim e ekzistojmë (Vap 17,28).

Nga ana tjetër, në perspektivën e urtisë ungjillore edhe vetë vdekja na jep një mësim të mirë, sepse na detyron ta shikojmë sy në sy realitetin. Na shtyn ta pranojmë kotësinë e të gjitha gjërave që duken të mëdha e të fuqishme në sytë e botës. Përballë vdekjes humbet kuptimin gjithçka që e shtyn njeriun të mburret, ndërsa del në pah ajo që vlen seriozisht. Gjithçka mbaron, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë. Vetëm Zoti e ka jetën në vetvete: është vetë Jeta!.

Prandaj njeriu mund të arrijë në jetën e pasosur, vetëm duke hyrë në logjikën e dhurimit: ashtu si Hyji na u dhurua ne në Jezu Krishtin, kështu edhe ne jemi të thirrur t’ia dhurojmë vetveten të tjerëve: është logjika e dashurisë, që na bën të kalojmë nga vdekja në jetë, pavarësisht nga ligështitë tona njerëzore. Kjo fjalë jete e shprese na ngushëllon pa masë përballë misterit të vdekjes, posaçërisht kur na i merr njerëzit që i duam më shumë.

Në se na trishtoi ndarja prej njerëzve të dashur e vijon ende të na hidhërojë thellë mungesa e tyre, feja na mbush me ngushëllim, duke na kujtuar se ashtu si për Zotin Jezus, e gjithnjë për hir të Tij, vdekja nuk ka më pushtet mbi ta (cfr Rom 6,9). Duke kaluar, në këtë jetë, përmes zemrës së mëshirshme të Krishtit, kanë hyrë në ‘një vend pushimi’’ (Ur 4,7): E tani dëshirojmë me gjithë zemër t’i mendojmë në shoqërinë e shenjtorëve, të lehtësuar më në fund nga hidhërimet e kësaj jete, e ndjejmë edhe ne dëshirën të bashkohemi një ditë me këtë shoqëri kaq të lumtur.

02 nëntor 2018, 09:59