Kërko

2108.11.05 martiri-beati-albanesi mons Vinçenc Prennushi e altri 37 martiri Chiesa albanese 2108.11.05 martiri-beati-albanesi mons Vinçenc Prennushi e altri 37 martiri Chiesa albanese 

Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë

Më 5 nëntor Kisha katolike Universale i përkujton e kremton Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë

R.SH. - Vatikan

Ndër katolikët e shumtë shqiptarë, që gjatë regjimit komunist u burgosën, u torturuan e iu nënshtruan proceseve të rreme, në përpjekjen për ta çrrënjosur Ungjillin nga kultura e një populli të tërë, përkujtojmë sot, në festën e tyre liturgjike, 38 martirët e parë, që janë shpallur të lum nga Kisha Katolike. Në listë, dy ipeshkvij, 21 meshtarë dioqezanë, 7 meshtarë françeskanë, 3 jezuitë, një seminarist e katër laikë (ndër ta edhe probandja Marie Tuci, e vetmja femër në grup). U shpallën të lum si sot në Shkodër, në vitin 2016, me një meshë në katedralen e Shën Shtjefnit, kryesuar nga prefekti i atëhershëm i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

         Qe Papa Françesku ai, që nënshkroi më 26 prill 2016, Dekretin zyrtar, që u njihte martirizimin atyre, të cilët i pati parë në fotografitë e varura mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më 21 shtator 2014, gjatë vizitës së tij njëditore në Tiranë.

Persekutimi komunist

         Dihet nga të gjithë se gjatë regjimit komunist në Shqipëri u vranë pesë ipeshkvij, 60 meshtarë, 30 rregulltarë françeskanë e 23 jezuitë, dhjetë seminaristë e tetë murgesha, pa llogaritur laikët e shumtë. Akuzat me të cilat arrestoheshin, torturoheshin dhe dilnin para gjyqit, i cili e kishte gjithnjë gati paraprakisht vendimin, ishin kryesisht dy: spiunë të Vatikanit dhe bashkëpunëtorë të nazizmit a të fashizmit, në varësi nga kontaktet, që kishin me Evropën. E kështu, meqë shumë meshtarë ishin edhe të mësuar, duke i zhdukur fizikisht, i jepnin edhe një goditje të rëndë vetë identitetit kombëtar, në formimin e të cilit ata, pa dyshim, kishin kontribuar.

Mesha e 4 nëntorit 1990

         Për persekutimin e klerit e të besimtarëve katolikë është shkruar shumë, megjithëse nuk mjaftojnë faqe librash për të përmbledhur me të vërtetë çdo ngjarje e çdo përjetim, por kësaj radhe nuk po ndalemi në ato netë të errta të historisë së Shqipërisë, për të shkuar drejtpërdrejt në natën e ringjalljes, në atë 4 nëntor 1990, kur kremtimi i meshës së parë pas komunizmit nga don Simon Jubani, në varrezat katolike të Shkodrës, shënoi kthesën drejt lirisë së fesë.

Procesi i lumnimit

         Që atëherë, me durim e punë, Kisha Katolike mblodhi pak nga pak, dëshmitë gojore e të shkruara, dokumente e procesverbale, që tregonin për martirizimin e bijve të vet, për t’ua paraqitur krejt besimtarëve të globit si dëshmi për Krishtin. Kështu, më 10 nëntor 2002, në katedralen e Shkodrës, në praninë e prefektit të atëhershëm të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Crescenzio Sepe, u hap faza dioqezane e procesit të lumnimit për 38 martirët e parë, për imzot Vinçenc Prennushin me shokë. Njëkohësisht, por veç prej të parëve, u hapën proceset e lumnimit edhe për françeskanin, atë Luigj Paliq, vdekur më 1913, dhe për meshtarin dioqezan don Gjon Gazulli, vrarë më 1927.

Dekreti dhe mesha e lumnimit

         Hetimet dioqezane përfunduan më 8 dhjetor 2010, gjithnjë në katedralen e Shkodrës, në praninë e Prefektit të nderit të Kongregatës për Klerin, kardinalit Claudio Hummes, dhe u miratuan me dekretin e 9 marsit 2012. Jo shumë larg nga kjo datë, në korrik 2015, dy vëllimet e “positio super martyrio” u paraqitën në Kongregatën vatikanase për Ҫështjet e Shenjtorëve. Më 17 nëntor të po atij viti, teologët këshilltarë u shprehën pozitivisht, duke pohuar se këta 38 martirë kishin vdekur vërtet për shkak të urrejtjes së vrasësve ndaj fesë. Më 26 prill 2016, duke pritur në audiencë kardinalin Angelo Amato, Papa Françesku autorizoi botimin e dekretit zyrtar, që i shpallte të 38-tët martirë. Lumnimi i tyre u kremtua më 5 nëntor 2016, në katedralen e Shkodrës, në praninë e një populli të madh, që i kishte lartuar me kohë në altar. Aty qëndrojnë, për t’u kujtuar brezave, që do të vijnë, si dëshmohet feja në Krishtin, por edhe ç’është diktatura, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më.

05 nëntor 2018, 17:05