Kërko

Krishtit Mbret i gjithësisë -Pantocratore Krishtit Mbret i gjithësisë -Pantocratore 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “B

Jezu Krishti, Mbret dashurie që mbretëron në zemra tona! Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 34-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, të cilën Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “B“

Miq të nderuar kemi mbërri në të dielën e fundit të ‘Kohës së rëndomtë të këtij viti’ liturgjik kishtar, që mbyllet me këtë të diele. Para nesh kemi figurën e Jezusit, Mbretit të Gjithësisë. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, Danieli profet fliste për një bir të njeriut të cilit Zoti i jep çdo pushtet e të cilit të gjithë popujt, kombet e gjuhët i shërbenin (krh Leximi I). Kjo profeci u realizua në Jezusin: Ai është i vetëdijshëm se është Mbret, i paralajmëruar (profetizuar) e i pritur, dhe këtë e dëshmon shumë qartë para Pilatit, por saktëson edhe faktin se Mbretërinë e Tij nuk duhet kërkuar me dhe ndër kategoritë njerëzore, pasi që Mbretëria e tij nuk është këtu poshtë mbi tokë, pra nuk është e kësaj bote. (krh Ungjillin).

Mbretëria e Jezusit është një Mbretëri ku ligji është Dashuria ndaj Hyjit e të afërmit; ku Drejtësia quhet Mëshirë, Përdëllim; ku i afërmi e të tjerët nuk janë nënshtetas apo të nënshtruar por Vëllezër e Motra sepse janë bijtë të të njëjtit Atë Qiellor; ku armët e Jezusit janë Fjala, Udhëzimi e Urata.

Pra, kjo festë liturgjike e re, siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925, e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është e realizuar përmes planeve të superfuqive apo ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës kemi Krishtin mbi kryq, si akt i mbramë i mbretërisë së tij tokësore e si gjest i parë i Mbretërisë së tij të lavdishme, që ofron falje e shpëtim.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele pra, na fton të meditojmë mbi figurën e Krishtit si qendër kyçe të historisë sonë, si qendër të ngjarjeve tona personale e të njerëzimit dhe të gjithësisë mbarë.

Këtë, të bindur se Jezusi është Mbret i gjithësisë, se Mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote, nuk mund të krahasohet me asnjë perandori apo mbretëri historike, e megjithëkëtë Mbretëria e Krishtit realizohet e ndërtohet në histori e në kohë, duke i shndërruar ato. Në pyetjen e drejtpërdrejtë të Pilatit “a je ti mbreti i judenjve?”, Jezusi përgjigjet, duke pohuar se është mbret, por në mënyrë absolutisht origjinale (Ungjilli). Kështu Gjoni ungjilltar shpjegon se mbretëria e tij qëndron në dëftimin e Tij Hyjnor, do të thotë në komunikimin e Zotit njerëzve. Në të vërtetë, Jezusi i mundëson e lejon Hyjit të jetojë në njeriun e njeriut i ofron mundësinë të ketë pjesë dhe të jetojë në bashkim më Hyjin.

Pra, pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar. Liturgjia e Fjalës së Zotit na ofron kështu, kuptimin e festës së fundit, që mbyll vitin liturgjik, kushtuar Krishtit Mbret i Universit.

Të dielën e fundit të çdo viti, para fillimit të Kohës së Ardhjes, çdo besimtari i krijohet përsëri rasti të reflektojë për kuptimin e pushtetit mbretëror të Krishtit, krejt në kundërshtim me mënyrën si konceptohet historikisht ky pushtet nga kultura njerëzore. Çfarë kuptimi ka pushteti i Jezu Krishtit Mbret, po ta krahasojmë me atë të një monarku, që sundon mbi tokë? Pushteti i Krishtit nuk është ai i mbretërve e i të mëdhenjve të botës; është pushtet hyjnor për të dhënë jetën e pasosur, për të çliruar nga e keqja, për të përmbysur sundimin e vdekjes. Është pushtet i Dashurisë, që di të nxjerrë të mirën nga e keqja, të zbutë zemrën më të ngurtë, të çojë paqen në mes të ndeshjes më të ashpër, të ndezë shpresat në errësirën më të dendur. Kjo Mbretëri e Hirit nuk imponohet kurrë. Përkundrazi: e respekton gjithnjë lirinë tonë.

Solemniteti i Krishtit Mbret nisi të kremtohej më vonë se disa festa të tjera,  por rrënjët e tij biblike e teologjike janë tejet të thella. Titulli ‘mbret’, që i jepet Jezusit, është shumë i rëndësishëm në Ungjijtë. Krijon mundësitë për ta kuptuar plotësisht figurën e Tij e misionin e Tij të shëlbimit. Në këtë drejtim mund të vërejmë një rritje: fillohet me shprehjen ‘mbret i Izraelit’ e arrihet në atë të mbretit universal, Zotërisë së gjithësisë e të historisë, domethënë shumë më përtej shpresave, që ushqente vetë populli i Izraelit.

Përpara madhështisë së këtij pushteti mbretëror, paradoksal me simbolin e tij, Kryqin, çdo ndërgjegje njerëzore nuk mund të mos e pyesë veten: Kë do të ndjek! Zotin, apo qoftëlargun? Të vërtetën apo gënjeshtrën? Të marrësh anën e Krishtit nuk të garanton suksesin sipas kritereve të botës, por të siguron atë paqe e atë gëzim, që vetëm Ai mund ta japë. E dëshmon, në çdo epokë, përvoja e shumë burrave e grave që, në emër të Krishtit, në emër të së vërtetës e të drejtësisë, ditën t’i kundërvihen lajkave të pushteteve tokësore të fshehura pas maskave, deri në atë pikë, sa ta vulosnin me martirizim këtë besnikëri.

E një nga këta njerëz të jashtëzakonshëm është edhe rregulltarja shqiptare, e Shenjta Nënë Terezë Ganxhe Bojaxhiu, që jetoi me dhe për të varfrit e të mënjanuarit e shoqërisë. Ajo ka meritën e themelimit të një Kongregate të Misionareve të Dashurisë, për të shërbyer, përkëdhelur, mjekuar të varfrit më të varfër, të përjashtuarit e shoqërisë sonë, për ta mbrojtur e lartuar dinjitetin e këtyre njerëzve, duke zbuluar në ta figurën e vetë Hyjit dhe duke mbrojtur e dashur vetë Jezusin në ta. Jeta e vepra e Ganxhe Bojaxhiu janë dëshmi që pasqyron fytyrën e vërtetë të Krishtit Mbret. E Shenjta Nënë Terezë ka shërbyer Krishtin Mbret duke u përkujdesur e dashur më të varfrit ndër të varfër. Në se vëmë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.

Zotit, pra, nuk i duhen gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk mishërohen në jetë urdhërimet e tij. Solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që kremtojmë këtë të diele, na kujton edhe shëmbëlltyrën e gjyqit të mbarmë. E vërteta mbi fatin tonë të mbramë e mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi është ky, mesazhi i Ungjillit të këtij solemniteti dhe i asaj, që njihet si ‘shëmbëlltyra mahnitëse e gjyqit të fundit’. E, ta kujtojmë përmbajtjen e shëmbëlltyrës: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët … “(Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj - hierarkia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë - duken qartë në historinë e popujve me kulturë të krishterë.

Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik e shoqëror të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori.

Kisha na kujton se mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt. Një mësim i fortë ky, të cilit Kisha i shton edhe mendime të tjera, po kaq të fuqishme. Zoti e ka shumë për zemër të mirën tonë, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më të vegjlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë.

Prandaj nuk di ç’ të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e Tij të Amshuar ata që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë fjalën e Tij.

                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Dan 7, 13-14
Kush është “Biri i njeriut”? Biri i njeriut mund të tregojë të gjithë popullin e Izraelit, por edhe një personazh të panjohur që ka fuqi mbinatyrore. Jezusi merr mbi vete këtë emër, sepse është plot me domethënie shpëtuese. Në këtë profeci profeti Daniel deklaron që populli i poshtëruar në histori ka një besëlidhës në qiell. Jezu Krishti do të shfaqet si njeriu i të gjithëve, kudo i pranishëm, por edhe aq i mbinatyrshëm dhe i pakapshëm.

Lexim prej Librit të Danielit profet
Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 93
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot

Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.

Të palëkundshme e bëri botën;
assesi s’do të trandet!
I patundshëm është froni yt
qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!

Dëshmitë e tua
janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.

Leximi II Zb 1,5-8Gjoni u zbulon të krishterëve të persekutuar dhe të shtypur kuptimin e egzistencës së tyre dramatike. Një njeri, Jezusi, që paraqet të gjithë njerëzit, ka kaluar nëpërmjet provave dhe dështimeve të përditshme që i ndodhin çdo njeriu. Ai është i parëlinduri i një njerëzimi që do të rilindë përtej vdekjes, dhe u tregon të gjithë njerëzve fatin e tyre të vërtetë: të bëhen meshtarë të botës dhe familjarë të Hyjit.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen. Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega, thotë Zoti Hyj. Ai që është, që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 18, 33-3
Në Ungjillin e Gjonit takohet kjo pyetje: Kush është Jezusi? Në këtë pjesë përgjigjja është ajo që vijon: Jezusi është mbreti i universit, ai që ka fuqinë mbi gjithçka e mbi të gjithë. Me vdekjen e tij ka arritur ora e së vërtetës, kryqi bëhet froni mbi të cilin mbretërohet. Vdekja e Jezusit nuk është një fund, por fillimi i një bashkimi me Hyjin që nuk do të mbarojë kurrë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi i përgjigji: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”
Pilati përgjigji: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

23 nëntor 2018, 16:43